Grabitja e kasafortës së postës në Krujë, arrestohet roja

124

Pas grabitjes së kasafortës së postës në Krujë, policia ka arrestuar rojen. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet B.P. Mësohet se 51-vjeçari akuzohet për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, ndërkohë që ende nuk dihet se sa është shuma e grabitur nga autorët.

Të njëjtat burime sqaruan se grabitja ndodhi mëngjesin e sotëm, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar. Roja private, shtetasi B.P., pas marrjes djeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.

Gjithashtu është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasit me inicialet S.T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.