Gjysma tjetër e Shqipërisë e përmbytur, banorët në mëshirë të ujit

689
Jakup B. GJOÇA
Shqiptarët jetojnë 2 realitete të kundërta njëkohësisht, një pjesë luftojnë të mbijetojnë nga uji që u ka zënë derën, shtetarët argëtohen, duke “harruar” të mbyturit në mëshirën e fatit
Ndonëse nuk bien shira të rrëmbyeshëm dhe sasi të mëdha, një pjesë e madhe e Qarkut të Shkodrës ende mbetet e përmbytur për ditë të tëra. Në zonën e Obotit banorët janë tërësisht të izoluar për ditë të tëra, ndërsa shteti mungon, duke mos dashur ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. 
Problematikat nga përmbytja
Mijëra hektarë tokë të mbuluara nga uji, të gjitha kulturat bujqësore të dëmtuara nga qëndrimi i ujit prej më shumë se dy javësh dhe, çfarë është me e rëndësishmja; banorë që uji, jo vetëm u ka bllokuar jetën e tyre, por u ka hyrë edhe në shtëpi. Niveli i ujit përditë ngrihet në gjithë zonën e përmbytur, aq sa rrezikon të përmbytë edhe banesat e banorëve. Banorët janë të izoluar dhe ushqimi i përditshëm i tyre sigurohet me vështirësi. Janë prishur të gjitha të mbjellat e stinës, rrezikohen edhe bagëtitë. Të vetmit shtetarë që u gjenden banorëve janë nga Bashkia e Shkodrës, madje kryebashkiakja Ademi, duke e ndjekur përditë gjendjen e vështirë dhe rrezikun e përmbytjeve, i bën apel qeverisë, që të shpallë emergjencën civile dhe të ofrojë menjëherë ndihmën e shpejtë banorëve. Në zonat e përmbytura është edhe një pjesë e ushtrisë, të cilët ndihmojnë banorët edhe për qarkullimin e tyre me mjetet ushtarake të lundrimit. 
Qeveria hesht, duke dërguar për lëmoshë ca varka uji
Ndonëse kanë më shumë se 2 javë që banorët e zonës së Shkodrës janë të përmbytur nga uji, qeveria ende nuk ka shkelur fare pranë banorëve. Nuk kanë shkuar te banorët as deputetët e mazhorancës, që kanë marrë votat e banorëve të zonës, të cilëve u rrezikohet nga përmbytja shtëpia, u janë prishur të gjitha të mbjellat, po mbyten dhe iu ngordhin nga mungesa e ushqimit bagëtitë. Kryetari i Emergjencës Civile Shemsi Premçi, “kryen” detyrën e tij, vetëm duke bërë deklarata publike, që kjo zonë nuk është përmbytur nga uji që është lëshuar nga digat e hidrocentraleve, por nga shiu, ndaj edhe nuk është e nevojshme të shpallet emergjenca civile. Qeveria, ka dërguar në këto zona vetëm disa trupa të Ushtrisë me disa varka uji, për të ndihmuar banorët të lëvizin dhe të mos bllokohen tërësisht brenda shtëpive. Vetë fakti që qeveria ka dërguar trupa të Ushtrisë, është provë e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, qeveria qëllimisht nuk shpall emergjencën në këto zona të përmbytura, për të mos dhënë banorëve dëmshpërblimin, siç e parashikon ligji. 
Kryebashkiakja Ademi në Obot: Çfarë duhet të ndodhë tjetër që qeveria të shpallë emergjencën civile?!
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka inspektuar dje të gjithë zonën e përmbytur në Obot të Njësisë Administrative Ana e Malit. E vetmja mundësi për të parë nga afër situatën e rëndë dhe për të takuar banorët totalisht të izoluar, ishte lundrimi me varkat e ushtrisë. Mijëra hektarë tokë të mbuluara nga uji, të gjitha kulturat bujqësore të dëmtuara nga qëndrimi i ujit prej më shumë se dy javësh dhe, çfarë është me e rëndësishmja; banorë që uji jo vetëm u ka bllokuar jetën e tyre, por u ka hyrë edhe në shtëpi. Kryebashkiakja e Shkodrës Ademi ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me banorë të Obotit, të cilët kërkojnë vëmendje nga strukturat qeveritare. Ata shprehen të shqetësuar nga heshtja e qeverisë ndaj kërkesës së bërë nga Bashkia e Shkodrës për shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura. Ademi ka paralajmëruar edhe padi në prokurori për shpërdorim detyre si për keq-menaxhim të kaskadës së Drinit por edhe për mos-shpalljen e gjendjes së emergjencës nga strukturat përgjegjëse shtetërore.
KESH keq-administron ujin e digave të hidrocentraleve
Përmbytjet në zonën e Shkodrës, nuk kanë ardhur edhe kaq nga sasitë e reshjeve, siç pohojnë vetë banorët, por nga hapja e digave të hidrocentraleve. Ndonëse tani parashikimi i motit bëhet me saktësi dhe për një kohë të gjatë, gjendja e krijuar në digat e hidrocentraleve, që ndodhen në Drin, dëshmon, që KESH dhe punonjësit e hidrocentraleve nuk kanë marrë aspak masat e duhura, që të administrojnë ujin nëpër diga. Është fakt, që KESH dhe drejtuesit e hidrocentraleve kanë hezituar që të lejojnë që hidrocentralet të punonin me kapacitet të plotë të mundshëm, në ditët e janarit dhe të shkurtit, duke mbajtur rezerva uji në digat e hidrocentraleve, pasi nuk kishin parashikuar reshjet e dimrit. Tani, të ndodhur para faktit që shirat kanë sjellë sasi të mëdha uji dhe digat po tejmbushen, KESH dhe drejtuesit e hidrocentraleve, gjejnë mënyrën më të lehtë. Hapin portat e digave dhe shkarkojnë ujin. Këtu ka një problem të madh, që qeveria mbyll sytë dhe nuk do ta shikojë. Nëse zonat e përmbyten nga uji që shkarkohet nga digat, atëherë duhet të jetë KESH që duhet të dëmshpërblejë banorët e përmbytur, dhe jo të presin shtetin. KESH, jo vetëm duhet të mirë administrojë sasinë e ujit që mblidhet në diga të hidrocentraleve gjatë muajve të dimrit, por edhe duhet të përkujdeset paraprakisht, që sasitë e ujit që shkarkohen nga digat e hidrocentraleve të shkojnë në det dhe jo të përmbytin sipërfaqe toke dhe banesa të fshatarëve. Pra KESH duhet të investojë paraprakisht, e të përkujdeset që uji i tepërt i digave të hidrocentraleve të përfundojë nëpërmjet kanaleve në det. 

Parashikimi i motit dhe shqetësimi i madh i banorëve 
Jemi në një stinë, ku shirat edhe mund të vazhdojnë me intensitet dhe me sasi të mëdha, që do të thotë, se rreziku i përmbytjeve është edhe më i madh. Një rrezik tjetër është se lumenjtë do të sjellin sasi uji më shumë edhe nga shkrirja e dëborës. Prandaj, qeveria duhet të marrë masa konkrete, për të kufizuar përmbytjet. 
Sigal