Gjyqtarët merren borxh, Gjykata e Lartë s’formon dot Kolegjet

136
E mërkura ishte dita e gjyqeve penale në Gjykatën e Lartë. Jashtë ishte afishuar lista e proceseve që duhet të zhvilloheshin, por të gjitha dështuan. Shkak ishte mosformimi i Kolegjit Penal, që prej muajsh ka vetëm 3 gjyqtarë. Për të plotësuar numrin me pesë anëtarë për çdo trupë, siç e kërkon ligji, që prej muajit korrik 2017 Gjykata e Lartë u ka hyrë borxheve. Kjo është moda më e re e kësaj gjykate, e cila merr borxh gjyqtarë nga Kolegji Administrativ dhe Civil, si edhe anasjelltas për të zhbllokuar situatën. Në mjaft raste, sikurse dje, trupa nuk formohet e për këtë zvarritjet janë tashmë diçka normale. Aktualisht Gjykata e Lartë ka nëntë anëtarë të ndarë në tre kolegje, por që asnjëri nuk është i plotë nëse nuk huazohen gjyqtarë nga kolegjet e tjera. Zyrtarisht, raportohet një stok dosjesh prej 23.900 çështje që presin në radhë për t’u shqyrtuar. Por, jo zyrtarisht thuhet se stoku ka shkuar në 25 mijë çështje, të cilat mbahen në arkiva që prej 2014. Përveç fluksit, që prej korrikut 2017, Gjykata e Lartë, e cila teorikisht duhet të kishte 19 gjyqtarë, është bllokuar dhe në pamundësi për të thirrur mbledhjen e kolegjeve të bashkuara, numri minimal i të cilit duhet të jetë 13 gjyqtarë.

Kolegji penal
1 – Edmond Islamaj
2 – Artan Zeneli
3 – Tom Ndreca
Kolegji administrativ
1 – Ardian Dvorani
2 – Xhezair Zaganjori
3 – Admir Thanza
Kolegji civil
1 – Medi Bici
2 – Shkëlzen Selimi
3 – Artan Broci