Gjyqi për Valbonën është historik

688
Lavdosh FERRUNI
Valbona është gjymtuar rëndë. Valbona është duke vdekur, por ka akoma shumë shpresë të shpëtojë. Bota ka gjetur terapinë për të luftuar dëmet në natyrë, pra edhe të njerëzve që janë pjesë e natyrës, pa dyshim. Terapia janë vetë njerëzit që tashmë edhe me ligje ndërkombëtare dhe kombëtare janë pjesë e vendimmarrjes dhe me plot legjitimitet për t’iu drejtuar gjykatës për vendimmarrje të gabuara. Për, Shqipërinë, jo gjeografikisht periferike, aplikimi i kësaj terapie shënon moment historik, pikërisht me Valbonën. Dihet se ka dhe të interesuar për vdekjen e Valbonës, jo se e urrejnë atë, por se mund të përfitojnë prej vdekjes së saj. Këta janë shumë pak, por kanë fuqi, janë dhe arrogantë. 

Krye/gjyqtarja e çështjes së Valbonës, Ilvana Cicolli, në arsyetimin ligjor në fillim të procesit, lidhur me pranimin e kërkesës së banorëve të Valbonës dhe shoqatës “Toka” për pavlefshmërinë absolute të koncesionit të HEC në Valbonë konkludoi, se ata legjitimohen në këtë kërkesë. Përtej legjitimitetit perifrazimi i saj në një çështje gjyqësore reale shqiptare është padyshim historik. Përveç referencës ligjore ajo, si kurrë më parë në Shqipëri, i referohet dhe një marrëdhënieje të re globale, jo vetëm teorike, të vendimmarrjeve qeveritare në raport me mjedisin. Ajo shprehet: “Deri në momentin që burimet natyrore konsideroheshin të pakufizuara meritonin garanci vetëm si të mira me karakter ekonomik. Kriteri për ligjshmërinë e një të mire ishte ai i “përvetësimit” Legjislacioni juridik garantonte dhe mbronte para së gjithash pronën private ndërsa të mirat me karakter natyror konsideroheshin të pakufizuara, pra pa interes, res nullius.” 

“Situata aktuale është e ndryshme, pasi të mirat me karakter natyror janë kthyer në burime në zhdukje e sipër e, si rrjedhojë kanë nxitur konkurrencën e bashkësisë njerëzore. Në këtë perspektivë mjedisi ka si nevojë një garanci të plotë të ofruar nga korpusi juridik”- përfund ajo. 

Duke interpretuar perifrazimin e mësipërm në situatën e Valbonës, pikërisht për të kufizuar zhdukjen e të mirave me karakter natyror njerëzit, nëpërmjet të zgjedhurve të tyre e kanë përcaktuar Valbonën: Zonë të mbrojtur, Park Kombëtar, që do të thotë se, disa zona duhet të mbeten natyrore, ku të mos veprojë kriteri i “përvetësimit”. Dhe ligji thotë se në këto zona duhet marrë leje edhe për të mbledhur kërpudha, edhe për të mbledhur bimë medicinale, edhe për të kaluar në to kafshët shtëpiake, edhe për të vozitur me kanoe etj. Por ja që del ndonjë i fuqishëm e arrogant që thotë: -Unë jam tek kjo “etj.”, dhe kam edhe leje për HEC që hyn tek “etj”. Por tek “etj” mund të hyjnë gjithë industritë ndotëse të planetit. Në fakt në Botë ka dhe industri ndotëse edhe industri më pak ndotëse, por ama njerëzit kanë vendosur që disa pjesë të Botës të jenë Park Kombëtar, as park industrial, as Park Energjetik, as Park (resort) turistik ( si duan tani me këtë “etj” të shkatërrojnë Parkun Divjakë-Karavasta).

Këtë devijim të madh duhet ta zgjidhë Korpusi Juridik Shqiptar. Natyrisht dihet si është gjendja e këtij korpusi, prandaj është edhe vendimi për Valbonën: Historik. Korpusi ka bërë çudira me prona e me kriminelë, e pa mbarim prapësi me natyrën, që nuk ka gojë të flasë. Dihet që edhe legjislacioni, jo i integruar siç duhet në Shqipëri, me dashje apo pa dashje e lë ndonjë shteg për abuzuesin. P.sh në rastin e Valbonës, pala e paditur, nuk flet për ligjin e mjedisit, por për ligjin e koncesioneve e pyet: Ku thuhet në ligjin e koncesioneve, se njerëzit që preken nga dëmtimi i mjedisit (se vetë mjedisi nuk ka gojë të ankohet, por dikur hakmerret…) kanë të drejtë të ankohen në gjykatë për koncesionin? Kurse pala paditëse, në emër të njerëzve dhe natyrës së pazëshme, thotë, se është shkelur ligji për mjedisin, ligji që është formuluar nga njerëzit, tani në kohën kur të mirat me karakter natyror konsiderohen jo më të pakufizuara, jo res nullius, dhe i ka dhënë pikërisht vetë njerëzve një fuqi që nuk e kanë pasur më parë, fuqinë rrëzuese të koncesioneve të gabuara.

Pyetja që shtrohet sot: Valbona është Park Kombëtar, apo Park Energjetik, apo siç tha plaku i Valbonës: Është djalë apo është çikë ? Nuk mund të jetë gjysma djalë – gjysma çikë. Nuk mund të jetë hetero. Kjo është e sigurt.
Sigal