Gjykatat të zbatojnë vendimet e Kushtetueses të pas-vendimit njësues të Kolegjeve të Bashkuara

812
Nga Kadri MUKA
Vendimet e gjykatave për pensionin e parakohshëm të ushtarakut të mos shfuqizohen 
Që nga 18 dhjetori 2017 dhe 6 shkurti 2018 situata për gjykatësit në shqyrtimin dhe rishqyrtimin e çështjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe gjithë përfituesit e tjerë para e pas ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 të ndryshuar, nuk është më si para këtyre dy datave. Data 18 dhjetor 2017 shënon datën kur Gjykata Kushtetuese mori vendimin nr. 81 dhe data 6 shkurt 2018 atë të marrjes së vendimit nr. 3 të kësaj gjykate. I pari referon pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi para dhe pas datës 01.07.2009 me të cilin Gjykata Kushtetuese shfuqizojë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00-2017-186, datë 01.03.2017 dhe i dyti i cili referon atë nga data 01.07.2009 vendimin nr. nr. 00-2017-633, datë 04.05.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Këto dy vendime të Kushtetueses vijnë pas vendimit unifikues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendim i cili ndryshojë dhe njësojë praktikën gjyqësore për trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data 01.01.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142/2009 i ndryshuar dhe atë nga kjo datë e në vijim, ri-llogaritjen e këtij pensioni sipas këtij ligji. Neni 141 i Kushtetutës i njeh Gjykatës së Lartë të drejtën e shqyrtimit të çështjeve lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit, nëpërmjet Kolegjeve të Bashkuara. Këtë të drejtë ajo e gëzon me kusht. Kushti i njësimit të praktikës gjyqësore nëpërmjet interpretimit të ligjit të asaj që shfaqet si boshllëk i rendit juridik . Këtë e qartëson vendimi nr. 6, datë 17.02.2012 i Gjykatës Kushtetuese. Shprehimisht ky vendim thotë: “Interpretimi i ligjit ka si qëllim, së pari, ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore por kur ajo kryhet me qëllim zëvendësimin e asaj që shfaqet si boshllëk i rendit juridik (mungesa e një dispozite të shprehur nga e cila të nxirret norma që duhet zbatuar në rastin konkret) ajo kthehet në një veprimtari që i ngjan asaj të krijimit të normave të reja juridike. Në rastin konkret Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk kanë qenë aspak para asaj që shfaqet si boshllëk i rendit juridik pra, nuk kanë qenë para mungesës së një dispozite të shprehur nga e cila autorizoheshin të nxirrnin normën që duhet zbatuar nga gjykatat dhe gjyqtarët për asnjë nga të tri çështjet e kërkuara për njësim. Ato nuk ishin as për përllogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi parashikuar nga neni 11 i ligji nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA në RSH”, të ndryshuar me ligjin nr. 8521, datë 30.7.1999 dhe kufizimit “jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqësisë në shkallë vendi” parashikuar në shkronjën “b” të nenit 11 të këtij ligji. As para asaj se cili është ligji I zbatueshëm për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për periudhën nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të RSH-së” deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me aktin normativ nr. 5, datë 10.11.2010. Po ashtu as edhe se cilat janë efektet prapavepruese të zbatimit të ligjit nr. 10142/2009 të ndryshuar dhe shtuar me aktin normativ nr. 5, datë 10.11.2010 në lidhje me llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Për të gjitha këto çështje Kolegjet e Bashkuara ishin para rendit juridik të konsoliduar. Kjo e drejtë ushtarakëve u garantohet nga Kushtetuta neni 52 pika 2 sipas së cilës, në rast papunësie jashtë vullnetit të tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, gjithkush ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj. Ajo është parashikuar nga statusi i ushtarakut i 3 korrikut 1991 neni 16 dhe ai i 23 marsit 2004 neni 35. Sipas tyre deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, ushtaraku që plotëson 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 vjet mashkulli gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës mujore dhe për çdo vit tjetër mbi 12 e 15 vjet i jepet një shtesë 2% e pagës referuese. Neni 11 i ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar ka qenë në e për zbatim të nenit 16 të statusit të 3 korrikut 1991. Neni 13 e 14 i ligjit nr. 9418 datë 20.05.2005 i ndryshuar ka qenë në e për zbatim të nenit 35 të statusit të 23 marsit 2004. Neni 13 e 14 i ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 ishte në e për zbatim të këtij neni të statusit të ushtarakut por edhe të vendimit nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa akti normativë nr. 5, datë 10.11.2010 që bëri shtesa e ndryshime në ligjin nr. 10142/2009 ishte në e për zbatim të vendimit nr. 33, datë 24.6.2010 të Gjykatës Kushtetuese vendim i cili jo vetëm shfuqizojë kufizimin e vendosur mbi atë të nenit 35 të statusit, por edhe bëri të qartë se masa maksimale e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk mund të zvogëlohet apo të kufizohet nga pika 2 e nenit 14 e ligjit nr. 10142/2009.Në rendin juridik, statusi i ushtarakut vjen pas kushtetutës, ligji i sigurimit shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura renditet pas statusit të ushtarakut dhe pavarësisht numrit dhe datës që mbanë dhe ndryshimeve përkatëse që kanë pësuar është në e për zbatim të të statusit të ushtarakut. Si i tillë ligji i sigurimit shoqëror suplementar nuk gëzon të drejtën e cenimit, dhunimit, zvogëlimit e kufizimit të atyre që statusi i ushtarakut parashikon për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ai nuk mund të ndryshojë as kushtin 12 vjet për femrat e 15 vjet për mashkullin për përfitimin e këtij pensioni. Ai nuk mund të cenojë, zvogëloj e kufizojë as masën e këtij pensioni për kohën minimale 12 e 15 vjet dhe as atë mbi kohën minimale mbi 12 e 15 vjet. Gjithashtu nuk ka të drejtën ta mohojë këtë masë deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sikundër edhe nuk mund të caktojë moshë përfitimi. Këto për faktin se statusi është ligj organik dhe ligji i sigurimit shoqëror suplementar ligj në e për zbatim zbatim të ligjit organik, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka bërë më se të qartë se, Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë “shumicë të cilësuar”, me “shumicë të thjeshtë. Akti normative i cili miratohet me procedurë të përshpejtuar, në rastin konkret vjen pas ligjit të sigurimit shoqëror suplementar dhe sipas pikës 3 të nenit 83 të Kushtetutës nuk ka të drejtë të shqyrtojë çështje dhe të drejta të miratuara me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit ku sipas nenit 81 pika germa “e” bën pjesë edhe statusi i ushtarakut. Në këtë rend juridik i së drejtës së ushtarakut për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk krijon boshllëk. Në respektim të nenit 52 pika 2 e Kushtetutës, neni 16 i statusit të ushtarakut të 3 korrikut 1991 dhe neni 35 i atij të 23 marsit 2004 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% e pagës mujore për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe një shtesë 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër shërbimi mbi 12 e 15 vjet. Duke qenë se të gjithë ligjet e sigurimit shoqëror suplementar këtë masë e kanë kufizuar e zvogëluar në cenim të rendit juridik, ishte detyra dhe detyrimi i padiskutueshëm i Kolegjeve të Bashkuara të respektonin hierarkinë e rendit juridik dhe hierarkinë e burimit të së drejtës, të ndryshonin dhe njësonin praktikën e gjykatave në përputhje të plotë me nenin 16 të statusit të 3 korrikut 1991 nga kjo datë deri më datë 13.05.2004 dhe nga data 14. 05.2004 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie sipas pikës 1 të nenit 35 të statusit të 23 marsit 2004. Në fakt Kolegjet e Bashkuara edhe pse jo në mungesë të rendit juridik të së drejtës, në vendimin njësues nr. 3, datë 24.11.2016, krijon normë të re ligjore. Nga data 01.01.1999 deri më 30.06.2009 e kufizojnë masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sa një pension maksimal pleqërie në shkallë vendi. Ato urdhërojnë moszbatimin e statusit të ushtarakut si dhe të ligjeve nr. 9418, datë 20.05.2005, ndryshuar me ligjin nr. 9481, datë 16.02.2006 të sigurimit shoqëror suplementar të ushtarakut, si dhe kryerjen dhe aplikimin e rillogaritjes sipas nenit 29 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 i ndryshuar me aktin normative nr.5, datë 10.11.2010 pavarësisht se masa e pensionit mund të zvogëlohet. Në këtë realitet ku, sipas nenit 132 pika 1 e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme, nenit 145 gjyqtarët i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve duke respektuar hierarkinë e burimeve të së drejtës, kanë autoritetin e plotë që pas vendimit nr. 81, datë 18.12.2017 dhe nr. 3, datë 06.02.2018 të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë ato çka thonë këto dy vendime dhe jo ato që thuhen në vendimin unifikues nr. 3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kjo sa për shkak se interpretimi përfundimtar i ligjit i përket Gjykatës Kushtetuese edhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese sipas nenit 132 të Kushtetutës janë përfundimtare e të detyrueshme për zbatim si dhe se sipas nenit 145, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat. Njëri aspekt i rëndësishëm ky të cilit i shtohet edhe aspekti tjetër, ai se është e vërtetë që sipas nenit 141 Kushtetuta i njeh Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të drejtën të njësojnë apo ndryshojnë praktikën gjyqësore, e cila mund të ketë në bazë edhe interpretimin e ligjit që lidhet me çështjen konkrete, por jo të kryejnë në mënyrë ekskluzive interpretimin e ligjeve. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendimit nr. 5, datë 07.02.2001 i kësaj gjykate; e para, ekskluziviteti në interpretimin e ligjeve nuk i përket Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. E dyta, Gjykata e Lartë, si çdo organ tjetër sigurisht që nuk përjashtohet nga e drejta e interpretimit të ligjit, por ky interpretim që ajo kryen nuk është dhe nuk mund të jetë përfundimtar dhe sipas Kushtetutës nuk ka fuqi detyruese të përgjithshme. E treta, kushtetutshmërinë e këtij interpretimi në vendimin gjyqësor konkret, kur lidhet me të drejtat themelore të shtetasve në aspektin e procesit të rregullt ligjor, e kontrollon vetëm Gjykata Kushtetuese. Arsyetimi që do të përdorë në këtë rast Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj do të konsiderohet përfundimtar. E katërta, nëse në çështjen konkrete, Gjykata Kushtetuese që shqyrton kërkesën e individit konkludon se…, kjo nuk do të thotë se është bërë një interpretim i thjeshtë i ligjit, por është arritur, që të rikonfirmohet, nëpërmjet interpretimit kushtetues, një parim thelbësor që përbën garanci kushtetuese. E pesta, interpretimi i ligjit nuk duhet kuptuar thjeshtë si njohje aparente e një dispozite konkrete, por në thelb ai përbën vlerësimin e kuptimeve të ndryshme që norma juridike merr, kur ajo do të zbatohet, për të konkluduar në arritjen e një kuptimi të vetëm dhe në përputhje me Kushtetutën. Në këtë drejtim vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëhet i detyrueshëm edhe për Gjykatën e Lartë. E gjashta, jurisprudencë kushtetuese përbën çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese, aq më tepër shqyrtimi i rastit konkret që lidhet me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe konkretisht me të drejtën e mbrojtjes dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Në këtë raport midis vendimit nr. 3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe vendimit nr. 81, datë 18.12.2017; nr.3, datë 06.02.2018 të Gjykatës Kushtetuese të cilët prevalojnë mbi të parin, gjyqtarët dhe gjykatat janë para detyrimit kushtetues të zbatimit të këtyre dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të cilët pas vendimit njësues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë shfuqizuar në papajtueshmëri me Kushtetutën vendimin nr. 00-2017-186, datë 01.03.2017 dhe nr. 00-2017-633, datë 04.05.2017 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë. Çdo qëndrim i kundërt me këtë, çdo vendim që gjyqtarët dhe gjykatat do marrin do jenë në shkelje e moszbatim të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përbëjnë proces të parregullt ligjor. Si të tillë brenda afatit kohor 4 mujor parashikuar nga neni 71/a pika 1 paragrafi “b” i ligjit Nr. 99/2016 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, do kundërshtohen nga ushtarakët në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmëri me Kushtetutën dhe do pësojnë fatin e këtyre dy vendimeve të Kolegjit Administrativë të Gjykatës së Lartë. Do shfuqizohen si antikushtetues.
Sigal