Gjykatat në 5 vjet, 1300 dënime me “arrest shtëpie” për persona pa shtëpi

832
Sigal

Paradokset; është pa shtëpi, e lenë në ‘arrest shtëpie’. Dhe një i akuzuar për grabitjen e Thesarit është pa shtëpi!? Ky paradoks lë hapësira dhe për ‘arratisje’ të të ndaluarve

Një avokat, bën prezent “hallin” me të cilin po përballet një prej kilentëve të tij, i cili ka probleme gjykimi me drejtësinë. Ja çfarë më tregoi avokati: “Klienti im B.D, ka marrë masë dënimi me ‘arrest shtëpie’. Por klienti është pa shtëpi dhe prej 2 muajsh, gjendet në vështirësi për të lënë adresë të gjendshme banimi, mbasi jeton në disa adresa të ndryshme, për shkak të mos stabilizimit në një adresë të përhershme banimi. Ky fakt, iu bë prezent në seancë trupës gjykuese, që të vendoste masë me “detyrim paraqitje”, nisur edhe prej faktit që klienti nuk është me rrezikshmëri shoqërore dhe po gjykohet për një vepër të lehtë penale: Refuzim shlyerjeje faturash energjie elektrike për shkaqe mospranimi të vlerës, gjatë kohës që ka banuar me qira në një shtëpinë e të afërmit të vetë. Gjykata nuk e pranoi arsyetimin e palës tonë dhe vendosi masën dënim me “arrest shtëpie”! Klienti im, për shkak se nuk ka shtëpi, çdo 1 javë ndërron vendbanimin (vazhdon fle tek të afërmit) dhe po në çdo 2-3 ditë, në zbatim të vendimit gjyqësor, ai detyrohet të njoftojë gjykatën dhe policinë, për “vendbanimin e ri” ku shkon për të jetuar i “izoluar”.

Nuk paragjykoj vendimet e dhëna prej gjykatave, por po ndalem tek absurdi në lidhje me masën “arrest shtëpie” që jepet prej tyre, për personat që janë pa shtëpi. Sipas Kodit Penal, për gjithë personat në gjykim, që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, ose që krijohet bindja, se nuk i shmangen gjykimit e dënimit me largim jashtë vendit, gjykatat shqiptare kanë vite që aplikojnë edhe një lloj tjetër mase dënimi me “arrest shtëpie”. Kjo ndodh në të dy shkallët e gjykimit në Shqipëri, por shpesh edhe prej Gjykatës së Lartë, prej nga jepen vendime përfundimtare, ose paraprake me masë dënimi “arrest shtëpie”, masë kjo që presupozon dënim me “burgim shtëpie”, ose izolim sigurie të personit, deri në përfundim të gjykimit. Kjo puna e dënimeve me “arrest shtëpie” është bërë “modë” nga gjykatat. Por “moda” e këtij lloj dënimi është sa absurde edhe problematike për të dënuarit me “arrest shtëpie”, që nuk kanë shtëpi. Nga këto lloj dënimesh, vazhdojnë të jepen pothuajse përditë e madje shumë. Të tilla masa dënimi, u dhanë edhe për disa nga 7 numëruesit e lekëve të Bankës së Shtetit, ku njeri prej atyre që u dënua me “arrest shtëpie”, rezulton pa shtëpi. Sipas statistikave që disponon Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme, në 5 vitet e fundit, nga gjykata shqiptare janë dënuar me “arrest shtëpie”, afro 1300 persona pa shtëpi. Sipas një raporti “sekret” të policisë shqiptare, për 436  persona pa shtëpi por të dënuar me “arrest shtëpie”, policia është njoftuar për ndryshime të vendbanimeve të tyre më shumë se 3-4 herë për secilin. Për afro 230 persona të dënuar me “arrest shtëpie” por që janë pa shtëpi, policia nuk është njoftuar fare prej tyre e tashmë ka humbur kontrollin mbi vendbanimet e tyre dhe me vendim gjykate e urdhra prokurorie, i ka shpallur në kërkim për arrest e gjykim për shkelje të masës së dënimit. Sipas një raporti të prokurorisë dhe gjykatave, 115 perona të dënuar me “arrest shtëpie” por që janë pa shtëpi, kanë përfunduar në “arrest me burg”, mbasi kanë shkelur dënimin me “arrest shtëpie”, të detyruar prej mos gjetjes së mundësive të strehimit. Kjo lloj mase dënimi që jepet nga gjykatat, për këtë kategorie personash, krijon vështirësi e shpesh pamundësi për policinë, që të ketë nën kontroll e sigurim fizik të dënuarit me “arrest shtëpie” që janë pa shtëpi e lëvizin nga një “strehë” në tjetrën. Një inspektor policie I një zone në Shkodër  tregon se : Kishte 1 person pa shtëpi të dënuar me “arrest shtëpie”, që kishte lëvizur 16 herë brenda 3 muajve, duke qëndruar tek të afërmit e tij. Në rastin konkret, polici që ka detyrë të merret me kontrollin e zbatimit të vendimit me “arrest shtëpie”, detyrohet të lëviz andej nga shkon i dënuari, qoftë edhe nëse ai p.sh, ndryshon vendqëndrimin 5 herë në ditë! Edhe një fakt tjetër absurd i ditëve të fundit, në lidhje me këtë kategori të dënuarësh. Prej 1 jave po shkatërrohen disa objekte në aksin  tek “Rruga e Elbasanit”. Disa pronarë objektesh kanë kundërshtuar policinë, por edhe objektet janë prishur edhe banorët që kanë kundërshtuar policinë janë arrestuar. Gjykata, e cila edhe e di që të arrestuarve u janë prishur shtëpitë, i ka dënuar me… “arrest shtëpie”! Në cilën shtëpi do qëndrojnë ata dhe ku duhet ti kontrollojë inspektori i zonës ?