Gjykata prish banesat e hallexhinjve, “harron” vilat pa leje të ministrave

508
Sigal

DURRËS/Në një sipërfaqe 9 mijë m2 veçohen vila të shumta të politikanëve, deputetëve e shtetarëve

Fadromat e INUK, bazuar në një vendim gjykate, shumë shpejt do të prishin disa banesa të ardhurish vitet e fundit në Durrës, por jo vilat e pushtetarëve që ndodhen fare pranë tyre. Prej afro 4 vitesh ka nisur përplasja institucionale mes zaptuesve të trojeve me pronarë legjitim, dhe atyre që disponojnë vendime gjyqësore për pronat e tyre në zonat bregdetare. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës i ka njohur pronën mbi një sipërfaqe toke një qytetari pas afro 4 vitesh seanca torturuese. Aktualisht mbi këtë sipërfaqe toke në bregdet janë ndërtuar vila 3- 4 kate. Por fare pranë tyre janë ngritur edhe disa banesa të thjeshta, të cilat u përkasin disa familjeve të ardhurish nga veriu dhe jugu i vendit. Pronari i tokës nuk ka pranuar të marrë paratë e “banorëve”, të cilët janë vendosur në tokën e tij dhe ka kërkuar në gjykatë prishjen e tyre dhe lënien lirë të trojeve të veta. Gjykata ndoshta për herën e parë në historinë e saj, pasi i ka dhënë të drejtë pronarit të truallit, ka ngarkuar për zbatimin e vendimit zyrën e Përmbarimit në Durrës. Kjo e fundit ka njoftuar rojet e vilave se fadromat do të jenë prezent në bllokun e tyre të banimit, gjë, e cila ka shkaktuar tensione dhe reagime nga pronarët e tyre në Tiranë. Por vetëm pas 2 javësh, vendimi i ri i dalë nga një seancë e papritur gjyqësore, urdhëron Përmbarimin të prishë disa shtëpi, të disa të ardhurve, pasi vetëm ato ishin pa leje. Nga ana e tyre banorët, e ardhur pas vitit 1999, kanë deklaruar se janë në proces legalizimi, gjë nuk ja lehtëson aspak situatën. Por ndërkohë avokatët e palëve propozojnë një zgjidhje që mendohet se do t’i kënaqë të dyja palët, si pronarin e ligjshëm po ashtu edhe banorët që kanë ndërtuar në atë sipërfaqe toke. Historia e tyre ka nisur qysh pas viteve ‘90. Tranzicioni ka sjellë një numër të madh banorësh nga zona të ndryshme të Shqipërisë, që u vendosën në Durrës për të ndërtuar një jetë tjetër më komode. Disa prej tyre zgjodhën zonën e Spitallës, Kallmit, Rrushkullit, apo edhe u vendosën rrëzë një kodre në periferi të qytetit. Ata zaptuan një sipërfaqe toke dhe ndërtuan banesa. Paralelisht me banesat e tyre, u ndërtua edhe një bllok me vila 3- katëshe dhe me rrethim muri, si të ishte një fshat turistik, me sipërfaqe 9 mijë metra katrore. Në këtë kohë para tyre u shfaq pronari i tokës, me dokumentet e pronësisë në dorë, dhe meqenëse ata kishin ndërtuar objekte të kushtueshme banimi ky i fundit ju kërkoi paratë për vlerën e trojeve dhe gjithçka mbyllej mes tyre. Përplasja e pronarit ishte fillimisht me të ardhurit, të cilët pasi paguan një numër të pakët këstesh me vlerën 3 mijë lekë metri katrorë nuk u treguan korrektë dhe e ndërprenë pagesën. Ata menduan se, duke aplikuar për legalizimin e banesave do t’i shpëtonin detyrimeve ndaj pronarit. Avokatët e banorëve hallexhinj mendojnë se çështja mund të kthehet edhe njëherë në gjykatë për interpretim ligjor dhe banesat të vazhdojnë procesin e legalizimit ndërsa pronari i tokës të kompensohet. Por duket se ata që rrezikojnë më shumë nga fadromat janë banesat e hallexhinjve të ndërtuara me blloqe, sesa vilat aty pranë.