Gjykata: Presidenti kishte të drejtë për largimin e gjeneralëve

828
Sigal

Vendimi/ Rrëzohen 2 kërkesat e gjeneralëve, Abaz Lleshi, Dhori Spirollari për pezullimin e dekretit

Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka rrëzuar 2 kërkesat e gjeneralëve, Abaz Lleshi, Dhori Spirollari për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani i cili i shkarkoi nga detyra 1 muaj më parë. Vendimet për mos nisjen e gjykimit në lidhje me pezullimin e dekreteve të Presidentit janë dhënë nga gjykatëset Fahrije Bundo dhe Enkelejda Metaliaj me argumentin se Lleshi dhe Spirollari nuk janë paraqitur në seancë. Ndërsa mbetet ende në shqyrtim kërkesa e Gjeneral Sandër Lleshit, e cila pritet të shqyrtohet më dt.9 Korrik. Tre gjeneralët pas shkarkimit akuzuan publikisht për shkarkimin e tyre Ministrinë e Mbrojtjes, Arben Imami. Gjithashtu me anë të një komunikimi publik me mediat, gjeneralët i kërkuan z.Nishani i cili ka njëkohësisht dhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të mos bëhej palë e këtij procesi ilegjitim. Ata argumentuan asokohe se shkarkimi i tyre ishte i paargumentuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ishte një hakmarrje e Imamit pasi ata kishin denoncuar shkelje flagrante në Forcat e Armatosura.

Dekreti i lirimit nga detyra të 3 gjeneralëve

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar lirimin nga detyra të tre gjeneralëve të lartë në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Tre dekretet që mbajnë datën 21 maj, lirojnë nga detyra, Gjeneral Brigade Sandër Lleshit, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Abaz Lleshi Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale si dhe Komandantit të Forcës Ajrore dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Dhori Spirollari. “Në mbështetje të neneve përkatëse të Kushtetutës “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Presidenti dekretoi: Lirimin nga detyra të Gjeneral Brigade Sandër Lleshit, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Abaz Lleshi Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale si dhe Komandantit të Forcës Ajrore dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Dhori Spirollari.”

 Reagimi publik i gjeneralëve pas dekretit

Tre gjeneralët e shkarkuar së fundmi nga Presidenti Bujar Nishani, Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi kanë lëshuar akuza të forta, ndaj kreut të shtetit, ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe kryetarit të Komisionit të Sigurisë. Ata kanë argumentuar se dekreti për shkarkimin e tyre dhe 30 për qind të gjeneralëve është i paligjshëm. Ata thanë se në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për qindra ushtarë profesioniste.”Ne mendojmë se Presidenti i Republikës ka shpërfillur jo vetëm ligjin, por edhe vendimet e formës së prerë të Gjykatës, e cila ka shpallur si të paligjshëm lirimin e disa gjeneralëve të Forcave të Armatosura nga Presidenti i Shqipërisë, në një praktikë të ngjashme të realizuar vetëm para disa kohësh. Vendimi i Presidentit vetëm për të liruar gjeneralët nga detyra dhe mosdekretimi i zëvendësuesve në funksionet përkatëse përbën një precedent serioz. Ngutja për të krijuar vende bosh në strukturën e lartë të komandimit e drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura është e pajustifikueshme”, tha Sandër Lleshi. Zoti Sandër Lleshi tha se shkarkimi i tij ka ardhur pasi ‘Forumi Shqiptar i Kanadasë’ ka kërkuar lirimin e tij. “Unë shpreh publikisht dyshimin se autoritetet në fjalë janë motivuar nga propozimi i një organizate integraliste me natyrë të errët, e quajtur ‘Forumi Shqiptar i Kanadasë’, e cila ka dërguar një propozim publik për lirimin tim nga Forcat e Armatosura me pretendime absurde që lidhen thjesht dhe vetëm me besimin tim katolik”, tha Lleshi. “Testi i gradimit bazohet në një ligj të vjetër dhe ndërkohë të dëmshëm për Forcat e Armatosura. Rekrutimi, emërimi dhe lirimi i personelit ka degraduar në një proces krejtësisht arbitrar, personal dhe jotransparent. Pasojë e këtij sistemi janë shumë emërime pa asnjë kriter profesional dhe dekurajim i personelit cilësor dhe me integritet”, tha Lleshi. Ne deklaratën e tyre ata kanë argumentuar se Forcat e Armatosura të Shqipërisë po vuajnë jo vetëm nga emërimet dhe shkarkimet e njëanshme, por edhe nga një fryrje artificiale e radhëve të Ushtrisë, të cilat kanë mungesa në uniforma dhe në automjete. Gjendja, por edhe trajtimi i Forcave të Armatosura u tha në deklaratë është krejt ndryshe nga imazhi mediatik që paraqitet e për të cilin harxhohen miliona. Rekrutimi dhe lirimi i personelit bëhet përmes vendimmarrjeve personale dhe pa kritere profesionale.

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Por në një reagim të sajin, Ministria e Mbrojtjes i cilëson të pabaza akuzat e tre ish-gjeneralëve dhe thotë se shkarkimet e tyre janë të ligjshme. “Për lirimin e gjeneralëve nga detyra është zbatuar me përpikmëri kuadri ligjor. Akuza për diskriminim mbi bazë fetare është e papranueshme dhe absurde, pasi Forcat e Armatosura do të mbeten një institucion laik. Me dekretin e presidentit, shkarkimet janë bërë në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes.