Sigal

51-vjeçari Kujtim Koxha, i cili vrau 3 punonjës të bashkisë dhe plagosi një tjetër i është caktuar masa ‘arrest me burg’ nga gjykatës së Matit. Gazetari Enver Doçi raporton se seanca gjyqësore u zhvillua për gati 30 minuta, ndërsa autori i krimit nuk pranoi të fliset para togave të zeza. Ndërkohë Gjykata ruhet nga forca policie.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë që i mori jetën 3 personave dhe një tjetër u plagos ndodhi pasditen e 11 tetorit në fshatin Shëlli të Matit. Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime. Nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital. Ndërkohë i plagosur mbeti kolegu i tyre, Astrit Hani, i cili mori dy plumba në kofshë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Koxha, ish-kryeplak i këtij fshati, njihej si person problematik në zonën e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.

Gjatë momentit të shoqërimit në Komisariatin e Burrelit, Kujtim Koxha nuk shfaqi pendesë për krimin e 3-fishtë, ndërsa ka refuzuar të mbrohet me një avokat të caktuar nga shteti. Koxha mësohet të jetë shprehur se avokatin për në seancë gjyqësore do e gjejë ai vetë.

Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e çështjes, autori i ngjarjes së rëndë u justifikua me fjalët se njëri nga viktimat e kishte fyer dhe e kishte qëlluar me shuplakë. “Njëri nga ata më qëlloi në shuplakë dhe më tha je i dehur. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur”, -është shprehur ai.