Gjykata Kushtetuese “rrëzon” ish-ushtarakët

1501
Pensionet, Gjykata Kushtetuese njeh vendimin Unifikues, “rrëzon” ish-ushtarakët
Një betejë për mënyrën e përllogaritjes së pensionit të parakohshëm, e nisur prej nëntorit 2016, rezultoi e pasuksesshme për shoqatat e ish-ushtarakëve
Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e ish-ushtarakëve, të cilët pretendonin të hidhnin poshtë një vendim Unifikues të Gjykatës së Lartë që bënte fjalë për mënyrën e përllogaritjes së pensionit të parakohshëm. Gazeta “Telegraf”, e ka ka mësuar lajmin nga burime të sigurta, ndërkohë që pritet zbardhja e vendimit. Nga burimet mësuam se vendimi ka qenë i shkurtër dhe i prerë në favor të Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë. Ushtarakët pretendojnë se sipas ligjit, masa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët llogaritet 50 për qind e pagës në bazë të së cilës janë paguar kontributet plus 2 për qind për çdo vit vjetërsie, mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, por kjo masë e 2-përqindëshit, sipas ligjit, nuk duhet të kalojë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Ndërsa Gjykata e Lartë, me një vendim Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara ka përcaktuar se pavarësisht formulës së përllogaritjes, masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk duhet të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Me këtë masë ulen gati dy të tretat e pensionit të ushtarakëve dhe tashmë që ky vendim është miratuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, atëherë të gjithë ushtarakët që kanë fituar gjyqet nga viti 2005 e këtej duhet t’iu kthejnë paratë kompanive të sigurimit”, deklaron Thoma Konduri. Kalvari i proceseve gjyqësore që ushtarakët kanë bërë nga njëra gjykatë në tjetrën, ka qenë i gjatë. Ushtarakët, bëjnë përgjegjës shtetin, për gjithë sa është bërë dhe vepruar kundër interesave të tyre. Ata shprehen, se gjykatat kanë dalë kundër shtetit, ligjeve të tij dhe kanë përligjur, Statusin e Ushtarakut. Gjykata e lartë dhe ajo Kushtetuese sipas ushtarakëve, ka vepruar me dy standarde. Nga njëra anë ka dhënë mijëra vendime pro ushtarakëve dhe nga ana tjetër ka hedhur poshtë një pjesë të kërkesave të tyre. Kushtetuesja tashmë u vuri vulën të gjitha problemeve të ngritura me kohë nga ushtarakët. Nuk dihet ende se si është argumentuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ushtarakët vetë shprehen të keqardhur për atë çfarë ka ndodhur me ta. Janë më tepër se 1 mijë ish-ushtarakë në pension, të cilët e kanë marrë pensionin sipas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ndërsa mijëra të tjera janë në proces gjyqësor, dhe pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, gjithçka për ta bëhet nul. Ata do të detyrohen të kthejnë paratë. Për gazetën “Telegraf”, folën kryetari i SHKURSH, Thoma Konduri, Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në rezervë, Zyhdi Kroi, Kolonel Pëllumb Qazimi, ish-ushtaraku, Kadri Muka dhe Hysni Mulalli, ish-ushtarak. 
Thoma Konduri, Kryetar i SHKURSH
Ushtarakët që janë në pension të parakohshëm janë cenuar nga moszbatimi i ligjit. Ata kërkuan në rrugë gjyqësore të drejtat e mohuara në pensionin e parakohshëm 1999-2009. Ky pension i barabartë me 50% të pagës referuese plus 2 % të kësaj page.
Në këtë rast, nëse sigurimet shoqërore mund të hapin sërish gjyq, atëherë të gjithë ata që i kanë marrë paratë, mund t’i rikthejnë. Janë mbi 1 mijë ish-ushtarak që kanë marrë pensionet dhe ata tashmë rrezikojnë t’i kthejnë sërish ato. Megjithatë, kjo varet në mënyrën se si do të interpretojë Gjykata Kushtetuese vendimin. 
Zyhdi Kroi, ish-ushtarak
Vazhdon rruga e nisur nga strukturat shtetërore dhe nga organet ligjvënëse me tortura kundër ushtarakëve. Drejtësia ka vdekur. Të shpresojmë në reformën në drejtësi. Besoj se një ditë do të shkojnë në vijë këto gjëra. 
Pëllumb Zaimi, Kolonel
Unë nuk kam shpresuar asnjëherë nga këto gjykata, të cilat kanë qenë gjithmonë në shërbim të UDB-së dhe të Sali Berishës. Tashmë edhe Edi Rama i Rilindjes është bashkuar me ta. Kjo gjykata, ka vendosur që për shqiptarët dhe aq më pak për ushtarakët, të mos ketë shpresë. Një vendim i tillë, krijon një problem të madh social. Shumë ish-ushtarak, kanë probleme ekonomike dhe shumë të tjerë do të duhet të rikthejnë paratë. Megjithatë, Gjykatat duhet të dinë se vendimet që tashmë kanë marrë formë të prerë dhe janë ekzekutuar, nuk mund të rikthehen, pasi ato kanë kaluar përmes përmbarimit. Unë i kam marrë ato para dhe tashmë i kam shpenzuar. Në këtë rast, Berisha dhe Rama janë bashkëpunëtor me njëri-tjetrin, kundër ushtarakëve. Pra nga njëra anë kemi Saliun që e ka pasur në dorë drejtësinë dhe nga ana tjetër kemi Edi Ramën që ndryshe hiqet dhe ndryshe bënë. Ky i fundit ka gjashtë vjet dhe nuk ka bërë asgjë as për qytetarët e thjeshtë dhe as për ushtarakët. 
Hysni Mullalli, ish-ushtarak
Unë nuk mund ta besoj që Gjykata Kushtetuese të ketë rrëzuar kërkesën tonë, por nëse vërtet Gjykata Kushtetuese, ka rrëzuar kërkesën e Shoqatave të Ushtarakëve për shpalljen antikushtetues të Vendimit Unifikues Nr3/2016 të Gjykatës të Lartë, është pak të thuash që Pushteti Gjyqësor nuk ekziston, mund të thuash që shteti i së drejtës në vendin tonë ka rënë, sepse në sistemin gjyqësor shqiptar nuk jepet më drejtësi dhe Gjykata Kushtetuese është zhytur me vetëdije te plotë në batakun antikushtetues të Vendimit Unifikues të Gjykatës të Lartë. Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka cenuar të drejtën kushtetuese të ushtarakëve për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe ka cenuar rëndë nenin 41 të Kushtetutës, interpretuar në frymën e nenit 1 të Protokollit Shtesë Nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këto dy shkelje kushtetuese që Gjykata Kushtetuese nuk ka dashur ti konstatojë na krijojnë mundësinë që ne të vazhdojmë betejën ligjore në Gjykatën e Strasburgut. Nëse do kemi hapësirë ligjore, do ti drejtohemi dhe organeve të reja të vetingut që të verifikojnë kushtetueshmërinë e këtij vendimi që na diskriminon si komunitet. Ky vendim, na penalizon duke na kthyer në “debitorë”, pa i pasur borxh askujt, shpall “debitorë” dhe ata që e kanë fituar të drejtën e tyre me vendim gjyqësor të formës të prerë, por më e keqja qëndron në faktin se me këtë vendim përfundimisht vërtetohet se Gjykata Kushtetuese ashtu si Gjykata e Lartë del mbi Kuvendin, merr kompetencat e tij, ndryshon ligje, rikthen në fuqi ligjin Nr.8087/1996 të shfuqizuar në vitin 2005, nuk njeh Statutin e Ushtarakut të vitit 2004, ligjet e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve të viteve 2005 dhe 2006 etj. 

Pushteti Gjyqësor ju kundërvihet hapur ligjeve ekzistuese dhe qasjes të re ligjore të Qeverisë dhe Kuvendit. Më konkretisht janë miratuar dy ligje që lidhen dhe me pensionet e ushtarakëve. Ligji Nr.104/2014, datë 31.07.2014 që ka ndryshuar ligjin Nr. 7703/1993, “Për sigurimet shoqërore” në nenin 32/1 thekson: “ 1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë ”. Pra reforma e re e pensioneve ka unifikuar faktin që pensionet përbëhen nga një bazë dhe nga një shtesë dhe ju ka hequr përfundimisht tavanin kufizues. Gjykata e Kushtetuese nuk bazohet në këto tre përcaktime bazë të këtij ligji, por bën të kundërtën, zeron masën e bazës dhe shtesës të pensionit të parakohshëm dhe tenton të ndërtojë një tavan të ri antikushtetues e diskriminues, duke ligjëruar pabarazinë dhe duke kufizuar masën e përgjithshme të pensionit vetëm për ushtarakët. Gjykata Kushtetuese nuk ka mbajtur parasysh faktin që Kuvendi dhe Qeveria korrigjuan një padrejtësi duke falur “detyrimet” antikushtetuese të ushtarakëve dhe po rikthejnë debitë e mbajtura si rrjedhojë e zbatimit të keq të ligjit Nr.10142/2009, të ndryshuar me aktin normativ Nr.5/2010, që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj Nr.2/2013, fatkeqësisht e quajti kushtetues. Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj përkeqëson situatën financiare të ushtarakëve dhe i shndërron ata në debitorë të rinj, me shuma që nuk i shlyejnë dot, deri në vdekje. Qeveria eliminon debitorët me argumentin se është zbatuar keq ligji Nr.10142/2009 i ndryshuar, kurse Gjykata Kushtetuese, përfundimisht krijon përsëri debitorë të rinj, duke ju kundërvënë hapur Kuvendit dhe Qeverisë. Shpresoj që Kuvendi dhe Qeveria të bëjë të njëjtën gjë,të nxjerrë një ligj të ri për faljen e debitorëve të rinj të porsa krijuar, nga ky vendim antikushtetuese dhe antinjerëzor. E them këtë sepse vetëm tek ne ndodh që ti marrësh lekët me vendim gjyqësor të formës të prerë dhe të t’i marrin prapë sikur i ke vjedhur në ndonjë bankë dhe kur vjedh bankën të shpallin hero të virgjër dhe të japin dhe rrogat. Krahasimin me bankën ma solli në mendje fakti që këtë “nder” ne ushtarakëve na i ka bërë “relatorja: FULLANI. Me udhëheqës “ligjor” “mikun” tonë ZAGANJORI. 

Kur të zbardhet dhe të njihemi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të shohim një qëndrim të tretë të saj në raport me të drejtat e ushtarakëve, sepse me dy qëndrimet e saj kontradiktore të shprehura në vendimet e saj Nr. 33, datë 24.06.2010 dhe Nr.2 datë 18.02.2013, jemi njohur dhe e kemi pësuar keq nga vendimi antikushtetues i saj Nr.2/2013.
Kadri Muka: Gjykata Kushtetuese ka përligjur Statusin e Ushtarakut
Nga ky vendim preken të gjitha ata që vazhdojnë të jenë ende në proces gjyqësor me sigurimet shoqërore, në përjashtim të atyre për të cilën Gjykata e Lartë e ka mbyllur çështjen. Kushtetuesja s’ka bërë gjë tjetër, veçse është ngritur mbi shtetin dhe ka rrezuar shtetin, pasi ajo është një e drejtë që nuk ka buruar nga ligji i sigurimit shoqëror suplementar, por nga statusi i ushtarakut që është ligj organik, pasi bënë pjesë në listën shteruese të nenit 81, pika 2 germa E e Kushtetutës. Neni 35 i Statusit të Ushtarakut është një nen, që ka krijuar nenin 13 dhe 14 të ligjit të sigurimeve shoqërore suplementare dhe këto dy nene, janë në dhe për zbatim të nenit 35 të Statusit të Ushtarakut. Si të tilla, ato nuk mund, as ta ndryshojnë, as ta cenojnë, as ta kufizojnë dhe as ta zvogëlojnë dhe sa më pak ta shfuqizojnë, ligjin 10142 dhe aktit normativ. Ligji i sigurimeve shoqërore suplementare është një ligj i zakonshëm, që miratohet me shumicën e thjeshtë, pra 501, ndërkohë që statusi i ushtarakut, miratohet me shumicë të cilësuar. Është prekur statusi i ushtarakut, dhe ky jo vetëm që ka njohur të drejtën, por ai ka përcaktuar vet se kur do përfitohet, në çmasë do përfitohet, sa i shtohet asaj mbi kohën minimale për çdo vit dhe detyron, që kjo masë do përfitohet deri në pension pleqërie dhe jo kur del një ligj tjetër. Meqë Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi vendimin numër 3 datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara, ajo detyron përfundimisht, që masa e pensionit nga 1 janari 1999 deri 30 qershor 2009, nuk do të jetë, ajo që ka caktuar statusi 50% plus 2 % të çdo viti por,një pension pleqërie në shkallë vendi. Diferenca nga 50plus 2% , për ata që janë në proces gjykimi në shkallë të parë, apel dhe gjykatë të lartë do i kthejnë. Ata që i kanë marrë dhe Gjykata e Lartë, nuk i ka pranuar rekurset e sigurimeve shoqërore, nuk cenohen. Pra, do të thotë që Gjykata Kushtetuese ka përligjur pabarazinë dhe diskriminimin. Vonesa është për faj të të gjithë shkallëve të gjyqësorit. Proceset duhet të ishin mbyllur me kohë dhe ushtaraku nuk do të ishte cenuar. Por, për shkak se gjykatat kanë zvarritur çështjen, nga 90 ditë, e ka gjykuar çështjen mbas dy ose tre vjetësh, ndëshkojnë ushtarakët. Gjykata Kushtetuese e quan në rregull. Kjo bëhet sepse gjykata duket se ka qenë në gjumë deri tani. Gjykatës së Lartë i është kërkuar tre vite më parë të unifikojë vendimin. Tani në fund e bëri. Edhe nga data 1 korrik 2009 e në vazhdim për ata që e drejta u ka lindur para kësaj date, në vend që t’u jepet ajo, që thotë Statusi i Ushtarakut, do të vazhdojnë ta marrin atë sipas këtij ligji, pra 1.5 % të pagës mesatare neto referuese, të të gjithë periudhës së shërbimit. Që do të thotë , kjo për shkak të përllogaritjes që parashikon neni 29 i ligjit 10142 i ndryshuar me nenin3 të aktit normativ numër 5 datë, 10 11. 2010. Kjo do të thotë që masa e përfitimit, u ulet, për shembull, kush ka 25 vjet, do të merrte 70% ndërsa tani merr 37% . Gjykata Kushtetuese, ka pranuar se rillogaritja nuk është për të gjithë ushtarakët, pasi ligji thotë do rillogariten pensionet sipas ligjit 8087 i marsit 1996, i ndryshuar, që do të thotë, e ka përjashtuar rillogaritjen për pensionet sipas statusit të ushtarakut të marsit të 2004, sipas ligjit tjetër 9418 datë 20.05.2005 dhe sipas ligjit 9481 datë 16.02.2006. Pra ligji i përjashton këta për shkak se Gjykata e Lartë, i ka unifikuar njësoj për të gjithë. Gjykata Kushtetuese ka pranuar që ligji 9210 i 23 marsit 2004, dhe dy ligjet e tjera ai i 2005 dhe 2006, nuk do zbatohen. Por, kush është ai që merr përsipër kompetencat e kuvendit? Në këtë rast Gjykata Kushtetuese ka marrë përsipër kompetencat e Kuvendit. Për ushtarakët e drejta u ka lindur nga data 1 korrik 2009. Dhe këtyre u heq të drejtën dhe trajtimin sipas Statusit të Ushtarakut. Kushtetuesja ka pranuar që ligji i zakonshëm, mund të cenojë ligjin organik. Ka pranuar po ashtu, që akti normativ, që bëhen për emergjenca, ka të drejtë të cenojë Statusin e Ushtarakut, kur ata nuk mund t’i diskutojnë fare. Gjykata Kushtetuese, i ka quajtur të rregullta dhe këto. Ka quajtur po të rregullt mosrespektimin e hierarkisë të burimit të së drejtës. Që do të thotë që ligji organik, që është e drejta e lindur nga statusi, të mos respektohet. 
Ja kalvari i proceseve dhe ligjeve të pazbatuara për ushtarakët
Në majin e 2005 nuk ka pasur kundërshti. Problemi ka lindur për ligjin 9491 datë 16 shkurt 2006, për disa shtesa dhe ndryshime për ligjin 9418, për ligjin e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve të forcave të armatosura. Gjykata Kushtetuese, me vendimin numër 9, datë 26 shkurt 2007, shfuqizoi tre dispozita, të atyre ndryshimeve dhe detyronte Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin që të bënte rregullime të ligjit të sigurimeve shoqërore suplementare në respektim dhe zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, pas rreth dy vitesh u bë ligji 10142 për sigurimit shoqërore suplementare datë 15 maj 2009, ligj i cili, në vend që të reflektonte vendimin numër 9, u bë i gjithë kundër vendimit numër 9 të Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj, pra 10142, u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit me vendin numër 33 datë 24 prill, 2010, shfuqizoi dy dispozita, atë për kufizimin që ky ligj i bënte masës së pensionit, caktuar nga statusi i ushtarakut, sepse me këtë kufizohej deri në dy pensione bazë, si dhe nenin 29 që kishte të bënte me ushtarakët e dënuar me vendim të formës së prerë, që nuk gëzonin të drejtën. Veç kësaj GJ.K, përcaktoi se nisur nga rëndësia dhe misioni, që ka pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, masa maksimale e tij, (e përcaktuar sipas nenit 35 e statusit të ushtarakut) nuk mund të zvogëlohet, apo kufizohet, as për interesat e përgjithshme publike. Vendimi numër 33 gjithashtu, nuk lejon asnjë lloj rillogaritje, nga e cila mund të zvogëlohet masa e përfitimit. Pas vendimit numër 33, u miratua akti normativ numër 5 datë 10 nëntor 2010, me të cilin masa e pensionit të parakohshëm, u zvogëlua me 1.5 % për vit shërbimi, të pagës mesatare neto. Paga referuese zëvendësohej me pagë neto dhe me pagën neto referuese. Kundër kësaj u paraqit një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga shoqata e Xhenios. Për të cilën u mor vendimi numër 2 datë 18 shkurt 2013, vendim që nuk e pranoi kërkesën e ushtarakëve. Tek ky vendim edhe pse çështja e pensionit të parakohshëm përgjithësisht është zgjidhur, vet vendimi dytë ka qenë i marrë për kushtet e situatës së krizës dhe ka disa absurditete. E para është se gjykata vendosi mbi krizën duke mos pasur vendim për krizën. E dyta është se GJ.K përdor fjalën mundet, që në këtë moment ka rënë vet gjykata. E treta është koha të vërtetohej se nuk është e vërtetë që kriza financiare globale nuk mund të mos ndikonte në Shqipëri. Këtë vendim e mori nga 2009 deri në 2013 kur ishin rritur pagat, pensionet, ishin falur borxhet dhe kur asnjë nga pushtetet në Shqipëri kur u gjykua në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishin deklaruar që Shqipëria është në krizë, por thoshin që Shqipëria është e dyta pas Gjermanisë. Pavarësisht kësaj u la në fuqi një akt normativ numër 5 i datës 10 nëntor 2010. Tani Gjykata Kushtetuese kishte rastin të rikuperonte në një farë mase absurditetet e veta dhe duke qenë se Shqipëria as e përjetoi krizën dhe as është në krizë, duhej të reflektonte vendimin numër 33. Në fakt edhe këtu ajo ka bërë të kundërtën. Me një fjalë, GJ.K ashtu si dhe Kolegjet e Bashkuara, në vend që të jepnin drejtësi, kanë prodhuar drejtësi, për shkelësin e Kushtetutës, të ligjit, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Pra bëhet fjalë për, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e rendit juridik dhe parimin e burimit të së drejtës. Gjykata Kushtetuese ka vulosur rrënimin e shtetit. 
Sigal