Gjykata burgos bujkun për 25 mijë lekë për borxhin e dritave, kur OSHEE-ja i detyrohet me 108 milionë lekë!

595
Para 3 muajsh, policia e Elbasanit, që në mesnatë, kishte rrethuar shtëpinë e bujkut Fadil Tata në fshatin Jagovinë të Elbasanit dhe priste me durim çeliku, të dilte nga shtëpia bujku që ta arrestonte, pasi në xhepin e të madhit të policisë ishte dhënë urdhëri i shtetit, që të arrestohej fshatari, pasi i kishte borxh 25.000 lekë OSHEE-së. Bujku Fadil Tota, çohet pa u gdhirë dielli dhe drejtohet për te toka, që pret të punohet, pasi ka në ngarkim 9 pjesëtarë të familjes së tij. Asnjë nga familjarët e Fadil Totës nuk punon, as në administratën publike dhe as gjëkundi dhe e vetmja mënyrë jetese për të nxjerrë bukën e gojës për 9 familjarë është puna e tij në tokën e vet. Kryefamiljari i familjes të 9 vetave, sa kalon pragun e shtëpise dhe hedh 2 hapa në rrugë, papritur gjendet përtokë, pasi i hidhen sipër tij policët, që kishin tërë natën që e ruanin dhe e arrestojnë. Pasi i heqin shatin dhe lopatën nga duart, policët i vënë prangat bujkut Fadil Tata nga fshati Jagovinë, aty te porta e shtëpisë së tij, dhe ashtu, duke e tërhequr zvarrë, e hipin në makinë dhe, pa i thënë asnjë akuzë për arrestimin brutal, thua se bujku Fadil Tata ishte pronari i magazinave të laboratorit të drogës në Xibrakë, e çojnë në polici, për ta përballur me akuzën e mospagimit të detyrimit 25.000 lekë ndaj OSHEE-së. Të tetë pjesëtarët e familjes së bujkut Fadil Tata, mbetën tashmë, pas arrestimit të kryefamiljarit nga policia, për mospagim të borxhit OSHEE-së, pa asnjë ndihmë ekonomike. Shteti, këtyre pjesëtarëve të familjes, nuk mund t’u japë asnjë ndihmë sociale, meqë i la pa asnjë ndihmë ekonomike, pasi u arrestoi kryefamiljarin për borxhe, sepse i trajton ata si familje me tokë, pra me të ardhura. Dhe po ky shtet, që nuk u jep familjeve të varfëra fshatare asnjë ndihmë sociale, po burgos kryefamiljarin për një borxh qesharak ndaj një kompanie biznesi me pronar shtetin. Kur Kroacia u fali qytetarëve të vet borxhet deri në 5.000 euro, qeveria jonë burgos bujkun vetëm 220 dollarë, si borxh ndaj OSHEE-së . Ky është realiteti ynë, nuk është fabul. 
E vërteta, si një fabul nga një shtet arrogant
Fadil Tata është nga fshati Jagodinë e Elbasanit, 57 vjeç. Ka në ngarkim 9 pjesëtar familje. KESH (dje dhe sot është OSHEE), në vitin 1993 në pasurinë e tij, brenda rrethimit të shtëpisë së tij, në tokën e vet, ka ndërtuar kabinën elektrike dhe ka vendosur transformatorin me anën e të cilit furnizon me energji elektrike gjithë zonën. Duhet t’i jepte fshatarit Fadil Tatës minimumi 30.000 lekë në muaj, si qera nga përdorimi i sendit në tokën e tij. Mirëpo, KESH-i dhe në vazhdimësi CEZ dhe këto 2 vjetët e fundit OSHEE-ja, nuk i ka paguar asnjë leke fshatarit Fadil Tatës, nga përdorimi i tokës së tij për vendvendosjen e transformatorit të energjisë elektrike. Gjithsej OSHEE, deri më sot, i ka detyrim Fadilit 108 milionë lekë dhe nuk ja jep, edhe pse nuk ka asnjë pretendim nga OSHEE-ja, që fshatarit nuk i takojnë lekët e qirasë për tokën që i ka marrë në përdorim. 
Bujku bën burg 3 muaj, për borxhin 25.000 lekë ndaj OSHEE-së
Bujku Fadil Tata, duke qenë se për 23 vjet KESH, CEZ dhe OSHEE nuk i paguajnë asnjë lekë qira për tokën që i kanë marrë dhe e përdorin për transformatorin e tyre, në shenjë proteste nuk pagoi energjinë elektrike, duke u kthyer në debitor për 250.000 lekë. Policia e arrestoi, ashtu brutalisht, para shtëpisë së tij, në mëngjez herët. Gjykata e shkallës së parë në Elbasan i dha si masë sigurimi burg pa afat. Ky person nuk ishte dënuar kurrë më parë, madje as gjysh stërgjyshi. Në gjykatën e Apelit në Durrës, bujku Fadil Tata kërkoi që së paku t’i jepnin arrest shtëpie, sepse veç 7 pjesëtarëve të tjerë, ka në ngarkim edhe nënën e tij 91 vjeçare. Të gjithë pa punë! Në gjykatën e Apelit u paraqit edhe mandat arkëtimi, që ky person i mori lekët borxh dhe ia shleu OSHEE-së. Mirëpo gjykata e Apelit Durrës, për turpin e saj, për shkak se nga tre gjyqtarë të trupit gjykues, njëri për servilizëm ndaj qeverisë aktuale, për të shprehur besnikërinë e tij ndaj saj dhe dy gjyqtarët e tjerë, e lanë në burg pa afat Fadil Tatën. Mbi bazën e një kërkese urgjente të avokatit të Fadilit, një gjyqtar i përgjegjshëm dhe i drejtë i gjykatës së Elbasan, Taulant Tafa e liroi nga paraburgimi pas 3 muaj mbajtje në arrest me burg.
Dy standadet e shtetit: arreston të pambrojturit dhe nuk ndëshkon administratorët e OSHEE
Bujku Fadil Tata argumentoi dhe provoi në gjyq, sipas avokatit të tij, Idajet Beqiri, se OSHEE-ja, që nga 1993 dhe deri tani, i ka borxh atij, 108 milionë lekë për qiranë e përdorimit të tokës së tij për qëllimet e saj. Mirëpo, asnjë gjykatë, nuk mori parasysh këtë denoncim të bujkut Fadil Tota ndaj OSHEE-së, që e kishte paditur për borxh. Ligji është i barabartë ndaj të gjithëve dhe duhet të japë drejtësi për të gjithë. Nëse ligji e parashikon burgimin e qytetarit deri në 3 muaj, për mospagim borxhi, përse ligji është indiferent dhe mospërfillës ndaj OSHEE-së që i ka borxh 108 milionë lekë fshatarit? Kjo gjykatë që nxorri urdhërarresti ndaj fshatarit Tota për borxhin e 25 .000 lekëve ndaj OSHEE-së, përse nuk nxjerr urdhërarresti për gjithë drejtuesit e KESH, CEZ, OSHEE-së, që i kanë borxh 108 milionë lekë po këtij fshatari që e burgosin për një shumë qesharake borxhi? Si ka mundësi që Gjykata e Apelit në Durrës e lë akoma në burg fshatarin Fadil Tota, edhe kur ky i ka paguar detyrimet që ka ndaj OSHEE-së? Nëse kryemininistri, siç e ka deklaruar jo pak herë, kërkon që me ashpërsimin e Kodit Penal, të kultivojë edukatën e respektimit të ligjit nga qytetarët, duke cilësuar shkeljet administrative me vepër penale dhe duke dënuar qytetarët me burgim, në vend të masave administrative, duhet njëkohësisht dhe paralelisht, që edhe organet e drejtësisë të zbatojnë të barabartë ligjin ndaj kushdo që e shkel dhe jot ë bëjnë diferencime, duke burgosur fshatarë që nuk kanë bukë të hanë për një borxh qesharak, kur shteti dhe kompanitë e biznesit ku shteti është pronar nuk u paguan asnjë lekë nga qindra milionë lekë që u detyrohet qytetarëve. 
Sigal