Gjygji ndaj imamëve, Fadil Muslimani: Vetëm ISIS mund të shpëtojë Shqipërinë

924
TIRANE – I pandehuri për rekrutimin e luftëtarëve në Siri, Fadil Myslimani ka dhënë një deklaratë të fortë kur tha se Shqipëria do të shpëtojë vetëm pas ardhjes së ISIS-it në vendin tonë. Nga banka e të akuzuarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Myslimani tha se shteti po fut në burg njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe veten e tij, dhe ndaj zgjidhja thotë ai – është ISIS. “Pas ardhjes së militantëve të ISIS, do ju ndëshkojnë të gjithëve”, – u shpreh Myslimani.
….
Gjyqi ndaj 9 imamëve të vetëshpallur që akuzohen për rekrutime të xhihadistëve në Siri nuk i ka shpëtuar tensioneve dhe përplasjeve në sallë as këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
I pandehuri Gerti Pashja i është drejtuar trupit gjykues me tone të ashpra: “Ju jeni kriminelë, armiq të islamit”. 
Në nisje të seancës e cila po zhvillohej normalisht, Gerti Pashja kërkoi të shohë vendimin përmes të cilit ishte lejuar përgjimi i telefonatave mes Artur Korrës dhe Erzen Gashit, me dyshimet se ai është përgjuar pa pasur një vendim. Kjo kërkesë u pranua nga gjykatësja e cila urdhëroi prokurorinë të vë këtë dokument në dispozicion të të pandehurit. Por reagimi ka qenë demonstrativ. Gerti Pashja grisi vendimin dhe braktisi më tej sallën me ofendime ndaj gjyqtarëve të cilët i etiketonte vazhdimisht si kriminelë.
Ndërsa imami i vetëshpallur Genci Balla i ka adresuar akuzat e tij ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe vetë shtetit, që sipas tij “kanë marrë peng fenë islame”. “KMSH e ka kthyer fenë në pronë private”, – shtoi ai.
“Shteti trajton në mënyrë të pabarabartë fetë pasi islamin e persekuton. Myslimanë të pafajshëm futen në burg, ndërsa ortodoksët dhe katolikët trajtohen ndryshe”, u shpreh Balla. 
Sigal