Gjuha shqipe “...sa e bukur, sa e vlerë” është thesari më i çmuar, ADN-ja e kombit shqiptar

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Kongresi i Drejtshkrimit dhe Diaspora 
Në nderim të veprës së Prof. Kostallarit në 95-vjetorin e lindjes 

Kongresi i Drejtshkrimit, që u mbajt në Tiranë më 1972, me vendimet që mori, përcaktoi kriteret për normalizimin e saj drejtshkrimor, bazat e gjuhës letrare kombëtare. Kongresi ishte kurorëzim i një punë të gjatë, të gjithanshme, të planifikuar shkencor dhe të zbatuar me një metodikë të hollësishme. Në krye të gjithë këtij procesi gjuhësor e menaxhues i saj ishte profesori i talentuar, Androkli Kostallari. Prof. Kostallari ishte drejtor i Institutit të Gjuhësi-Letërsisë dhe njëherazi dhe shef i sektorit te Leksikologjisë. Ky sektor u bë arkivi dhe laboratori i grumbullimit dhe përpunimit shkencor metodik të mijëra e mijëra fjalëve, që u volën nga librat, revistat, shtypi i kohës . U organizuan ekspedita kërkimore gjuhësore në të gjitha krahinat e fshatrat e Shqipërisë për të mbledhur fjalët e panjohura nga goja e popullit. E gjithë kjo veprimtari shkencore solli në krijimin e Kartotekës së fjalëve shqipe, që llogaritej të ishin afërsisht një milion e gjysmë fjalë. Kjo pasuri e pazakontë gjuhësore u shërbeu studiuesve tanë si “bankë”dhe mundësi e gjere për studime dhe hartimin e një programi shkencor për mbajtjen e një kongresi, që do të diskutonte dhe miratonte parimet e gjuhës së njësuar. Profesor Androkli Kostallari ishte arkitekt i këtij Kongresi Historik Gjuhësor. Ai u luftua për së gjalli nga njerëz ambiciozë dhe mendjengushtë. Kjo luftë vazhdon gjer në ditët tona kundër akademik Androkli Kostallarit për rolin drejtues në mbajtjen dhe suksesin e Kongresit të Drejtshkrimit. Pas vitit 1990 me vendosjen e pluralizmit demokratik pati gazeta, revista, intervista etj, që arritën gjer aty, sa që gjuhëtarët e shquar, të cilët morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit u cilësuan si “talebanët e gjuhës shqipe” e në radhë të parë e kishin fjalën për prof. Androkli Kostallarin. Shqiptarët mërgimtarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndoqën me një vëmendje të veçantë dhe me gëzim punimet dhe vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit mbajtur në Tiranë më 1972, pavarësisht se nga politika e izolimit të plotë të Shqipërisë, nga bota kapitaliste perëndimore. Në këto rrethana politike të izolimit të errët të vendit, Diaspora shqiptaro-amerikane nuk pati të pranishëm dhe as përfaqësues në këtë ngjarje të shënuar shkencore kombëtare. Ajo e shprehu mendimin dhe qëndrimin e vet kryesisht me anë të profesor Peter Priftit dhe prof. Arshi Pipës. Prof. Arshi Pipa botoi librin “Politika gjuhësore në Shqipërinë socialiste” (Nju Jork, 1989), në të cilin shpalos gjerësisht pikëpamjet dhe tezat e veta, kundërshtimin për gjuhën e njësuar shqipe, të miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Çështjeve të gjuhës shqipe, e veçanërisht mospajtimit me gjuhën e njësuar zoti Pipa i kushtoi një periudhë të gjatë të veprimtarisë së vet studiuees dhe publike. Madje kur erdhi në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit demokratik, ai u tregua tepër aktiv me deklarata, konferenca, kumtesa, intervista etj, kundër gjuhës së njësuar, të cilat e bënë mjaft të njohur në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Profili gjuhësor dhe aktiviteti i zotit Pipa në këtë lëmë është e habitshme që u la në harresë, u anashkalua në përkujtim të 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Në dy gazeta, “Panorama” (20 korrik 2017) dhe “Telegraf” (26 korrik 2017, f. 19) në artikullin e zotit Shpend Topallaj nuk thuhet asnjë fjalë për kontributin e zotit Pipa në debatin për gjuhën e njësuar. Prof. Petër Prifti, bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Stilian Nolit, profesor “Emeritus” i Universitetit të San Diegos dhe bashkëpunëtor i albanologut të shquar amerikan Leonard Newmark, botoi studimin “Koment mbi kritikën e prof. Arshi Pipës për gjuhën e njësuar letrare shqipe”, i cili në fillim pa dritën në revistën “The South Slav Journal” (London, nr. 3-4, 1990). Më vonë ky studim me peshë të veçantë shkencore u botua edhe në disa revista të tjera shqip dhe të huaja.

Mendoj se është me interes për gjuhëtarët si dhe për lexuesit e thjeshtë të njihen nga afër me këtë pasuri intelektuale, të një modeli e një debati demokratik, pa fyerje, as sharje, aq i nevojshëm për shoqërinë shqiptare të sotme. 

Së pari, po paraqes, në kufijtë e gazetës, mendimet dhe argumentet e prof. Pipës kundër gjuhës së njësuar, në optikën e prof. Priftit. Prof. Arshi Pipa nuk është për gjuhën e njësuar shqipe, ai është për ruajtjen e dialekteve, kur shkruan: “E ashtuquajtur gjuhë letrare e njësuar as që i duhej, dhe as që e deshi populli shqiptar, mbasi ai ishte mësuar me të dy dialektet, që kishin bashkëjetuar për një kohë të gjatë.” (Petër Prifti - Mozaik shqiptar, 2003, f. 152). Siç kuptohet nga tërësia e argumenteve të Pipës, ai është kundër modelit të miratuar nga Kongresi i Drejtshkrimit. Këtë model ai e damkos si “përbindësh”, “pjellë e dështuar gjuhësore”, si “gjuhë standarde që lindi para kohe dhe në mendje joorganike.” (Mozaik... f. 152). Prof. Prifti zbulon thelbin politik të Pipës kundër gjuhës letrare, siç kuptohet nga vetë titulli i librit të tij. Këtë “argumentim politik” zoti Pipa e shtjellon më tej në planin historik të Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria partizane, e udhëhequr përgjithësisht prej toskëve, “pushtoi Shqipërinë Antikomuniste të Veriut”. Si rrjedhim, udhëheqja toske e Shqipërisë staliniste u imponoi gegëve dialektin toskë, me qëllimin e errët që t’i mbajë ata nën këmbë.” (Mozaik, f. 153). Prof. Prifti, si një dijetar i shkollës amerikane, i ka përmbledhur dhe klasifikuar tezat mospajtuese të Pipës me gjuhën e njësuar shqipe në këto kategori: “argumenti statistikor”, “argumenti evolucionar”, “argumenti kulturor” etj. Argumenti, që zgjon më tepër kureshtje nga të gjithë është ai që Prof. Prifti e ka pagëzuar “argument konspirativ” ku gjuha letrare denoncohet si “gjuhë e gatuar me dinakëri”, si “mashtrim kolosal” dhe si “agjencia kryesisht ideologjike e stalinizmit shqiptar”. (Po aty, f. 153, paragrafi. 2).

Në një kapitull të veçantë të studimit të zotit Prifti, me titull “Tezat e Pipës në dritën e analizës” (f. 154-162), prof. Prifti rrëzon dhe zhvleftëson të gjitha kundërshtitë e Pipës për gjuhën e njësuar kombëtare. Në këtë debat shkencor Petër Prifti përdor metodën e ballafaqimit të argumenteve, larg politizimeve, thirrjeve dhe fjalëve fyese, që përdor me tepri zoti Pipa dhe që kalojnë kufijtë e çdo diskutimi intelektual e shkencor.

Brenda mundësive të këtij shkrimi po i paraqes shkurt disa nga argumentet e profesor Priftit. Ai shkruan:
1. “Ne jemi të mendjes se ky libër (libri i Pipës për gjuhën...) nuk ia arrin qëllimit që pati autori, të diskriminojë gjuhën e njësuar letrare shqipe.

2. Autori nuk ka provuar në mënyrë shkencore se shqiptarët ishin të kënaqur me të dy dialektet letrare që kishin më parë.

3. Dëshira për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, që shprehet bukur nga parulla: “Një komb, një gjuhë letrare”, është forca vendimtare që e bëri realitet shqipen e njësuar dhe jo rivaliteti për epërsi midis Jugut dhe Veriut.

4. Është e vërtetë se midis dy dialekteve ka dallime dhe ndryshime, por sipas prof. Eqrem Çabejt, gjuhëtar me famë botërore “Pak shekuj më parë, dy dialektet... në shumë pika qëndronin më afër njëri-tjetrit se sot”. (Po aty, f. 156).

5. Populli shqiptar në Luftën e Dytë Botërore zgjodhi rrugën e drejtë të historisë në krah të aleancës së madhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit dhe jo luftën midis Jugut dhe Veriut, siç thotë Pipa.

6. Është një tezë e gabuar, një sajesë e Pipës, kundërvënia e ortodoksisë toske anti-ilire dhe katolikëve gegë ilirianë.

Me të drejtë Prof. Prifti shkruan: “Ajo që i bashkon shqiptarët, më tepër se çdo gjë tjetër, është pikërisht trashëgimia ilire, që me të drejtë mund ta quajnë themelin granit të historisë së tyre.” (Po aty, f. 158).

7. Prof. Prifti si dijetar i mirëfilltë dhe atdhetar i thekur hedh poshtë dhe e quan “argument konspirativ” mendimin e Pipës se gjuha letrare e njësuar “është pjellë e komplotit, të një grusht akademikë dinakë në Tiranë për të vrarë dialektin gegë”. (Mozaik... f. 195).

Në këtë ballafaqim shkencore profesor Prifti me profesor Pipën, ndrit integriteti intelektual i të parit që me argumente serioze shkencore, me një stil të qetë e paqësor, mbron e lartëson gjuhën e njësuar kombëtare. Ai thekson qartë se “Arritjet e kongresit përbëjnë një gur-nishan në historinë e gjuhës shqipe, sepse ai i dha fund “një epoke prej shumë shekujsh, epokës së shumë varianteve dialektore të gjuhës letrare.” (Mozaik, f. 150).

Populli shqiptar, kombi shqiptar është në të drejtën e vet të ketë gjuhën letrare të njësuar kombëtare, si një komb modern historikisht evropian.