Gjovalin Preçi/ Për një përgjegjshmëri më të lartë të bordeve mbikqyrëse në entet publik

725
Administrimi i shoqërive publike, institucioneve të krijuara me ligj të veçantë për të kryer një shërbim a detyrë të caktuar (autoriteti, agjenci etj.), me një fjalë enteve publike, është ndër çështjet e rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, pasi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi nivelin e jetesës së qytetarëve. Në këtë kuadër, mënyra si drejtohen, administrohen dhe monitorohen entet publike është përcaktuese në arritjen e objektivave të veta dhe plotësimin e shërbimeve cilësore me kosto efektive për konsumatorët shqiptarë. Sigurisht, që në përpjekje për mirëqeverisjen e tyre, një rol të padiskutueshëm kanë bordet mbikqyrëse, veprimtaria e të cilave është çështje auditimi e Kontrollit të Lartë të Shtetit në subjektet ente publike.
Është më se e kuptueshme se veprimtaria e bordeve mbikqyrëse në entet publike të cilësuara më lart, bazohet në kuadrin rregullator përkatës: ligje, vendime, udhëzime, statute, rregullore etj. Pikësëpari, aktualisht kjo bazë ligjore duhet përditësuar dhe harmonizuar më së miri për sektorin publik, që të përshtatet dhe të ketë ndikimin e vet në zhvillimin e përparimin e tyre, si dhe njëkohësisht të rrisë përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e anëtarëve të këtyre bordeve, njëlloj si edhe për drejtuesit e enteve publike. Përgjegjësitë themelore të një bordi mbikqyrës konsistojnë në sigurinë se, enti vepron në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e aplikueshme të veçanta, si dhe implementon praktikat e menaxhimit financiar të qëndrueshëm në mënyrë efektive.
Eksperiencat e auditimeve të KLSH-së tregojnë se institucionet qendrore që kanë për detyrë përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të këtyre bordeve, nuk respektojnë kriteret e pacaktuara në infrastrukturën përkatëse ligjore, lidhur me fushën e edukimit, eksperiencën profesionale, konfliktin e interesit etj., duke bërë këtë proces më shumë si ndere për shpërblimin e zelltarëve partiak, se sa motiv për të çuar përpara zhvillimin e enteve publike.
Gjithashtu, jo vetëm që në shumë raste nuk respektohet struktura përkatëse e përbërjes, por nuk zbatohen rastet e ndëshkimeve për mospjesëmarrje të rregullt në mbledhjet periodike, ndërprerja në mes e mandatit të disave prej tyre pa shkaqe të përligjura apo tejkalimin e mandatit pa pasur më parë emërimin e institucionit kryesor përgjegjës, duke e kthyer emërimin e anëtarëve të bordeve mbikqyrëse një vend për favore të qeveritarëve të radhës ose të familjarëve dhe të të përkëdhelurve të tyre. Masmedia ka evidentuar se në praktikat emërimit të bordeve, 12% e përfituesve janë anëtarë në 3-5 borde shtetërore, aq më tepër fare pa lidhje me postin që mbajnë dhe bordin që emërohen. Kështu p.sh. një drejtor drejtorie doganash është anëtar bordi në një spital; një këshilltar për NATO-n i Ministres së Mbrojtjes është anëtar bordi në një azil pleqsh; një këshilltar shëndetësie është anëtar bordi në drejtorinë e patentave; një këshilltar i kryeministrit për bujqësinë është anëtar bordi në një nga bordet e postës etj. Shtypi i përditshëm flet për një statistikë të numrit të bordeve të këshillave mbikëqyrës, bordeve teknikë, këshillave teknikë dhe këshillave drejtues që janë krijuar nga drejtuesit shtetërorë, si shtesë mbi paga deri në 2-3 fishin e saj nga paratë e buxhetit të shtetit, arrin në 1278 të tillë, me mbi 17 mijë anëtarë, ku afro 2500 janë drejtues që paguhen disa herë më tepër se anëtarët tjerët përbërës, duke krijuar përshtypje tek taksapaguesit se borde të tilla krijohen enkas për përfitime të të privilegjuarve të radhës.
Megjithëse është e kufizuar me VKM pjesëmarrja jo më shumë se në dy këshilla mbikqyrëse, nga auditimet e KLSH-së rezulton se mospërfshirja e organeve drejtuese të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, e funksionarëve, nëpunësit civil dhe punonjësve të administratës së qeverisjes vendore apo administratat e vetë shoqërive anonime, lë hapsirë për abuzime në këtë drejtim, pasi këta funksionarë mund të jenë anëtarë kundrejt pagesës në më shumë se dy këshilla, borde e komisione, të cilat paguhen nga fondet publike.
Pa u ndalur në detaje të veprimtarisë së bordeve mbikqyrëse, pasi ato janë përcaktuara në rregulloret e tyre përkatëse dhe që duhen zbatuar rigorozisht prej tyre, këto borde krijojnë struktura të brendshme si komitete, grupe pune, sekretar për çështje të mbajtjes së dokumentacionit etj. Edhe në këtë të fundit, meqenëse është me pagesë, në shumë raste merren dhe emërohen nga ministritë dhe institucionet qendrore dhe jo punonjës brenda entit, të cilat nuk mbajnë dokumentacionin e veprimtarisë në subjekt, duke vënë në vështirësi auditimin në raste të tilla.
Një ndër kompetencat kryesore të bordeve mbikqyrëse është monitorimi i vazhdueshëm dhe nxjerrja e përgjegjësisë në zbatimin e strategjisë së zhvillimit të subjektit të mbikqyrur, në mjaft raste realizimi treguesve ekonomik dhe financiar, emërimi dhe shkarkimi i titullarit të entit publik etj. Në këtë mënyrë, bordet mbikqyrëse janë përgjegjëse po aq sa edhe drejtuesit e tyre në mbarëvajtjen e zhvillimit të institucioneve shtetërore. Nuk ka kuptim që në rastet e evidentimit të mangësive të ecurisë së enteve publike, të mos ndëshkohen dhe bordet mbikqyrëse të tyre. Aq më tepër në rastin e shoqërive aksionare publike, kompetencat e të cilëve shtrihen në emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm, autorizimin për marrëveshje me palët e treta, ekzaminimin dhe kontrollin e menaxhimit financiar, deri edhe aprovimin e strukturës së brendshme të shoqërisë, së bashku me rregulloret e brendshme specifike për çdo njësi, për të kërkuar informacion dhe për të ndërmarrë verifikime mbi baza periodike dhe të përcaktuara. 
Përveç këtyre, në shoqëritë anonime publike, këshilli mbikqyrës është i detyruar të krijojë strukturën e auditit të brendshëm i cili raporton tek këshilli mbikqyrës. Personi(at) brenda strukturës së auditit të brendshëm emërohen dhe shkarkohen nga këshilli mbikqyrës. Objekti i aktivitetit të auditit të brendshëm përfshin të gjitha transaksionet financiare (vendimet) mbi të ardhurat dhe shpenzimet dhe menaxhimin e aseteve dhe detyrimeve. Auditimi i brendshëm, si një proces dhe aktivitet i pavarur, nga këndvështrimi i funksionimit, vlerëson sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke dhënë rekomandime për përmirësime të mëtejshme. Kjo do të thotë, se në rastet e evidentimit të mangësive të menaxhimit e drejtimit ekonomik dhe financiar të shoqërisë nga auditi i jashtëm (në këtë rast nga KLSH-ja), këshillat mbikqyrëse janë njësoj dhe po aq përgjegjëse sa edhe drejtoria e shoqërisë, pasi nuk i mungojnë kompetencat dhe strukturat përkatëse për monitorimin dhe vënien para përgjegjësisë të shkaktarëve të shfaqjes së këtyre mangësive.
Në rastin e mangësive në funksionimin e këshillave mbikqyrëse të shoqërive anonime publike ose të performancës së dobët të tyre, nuk duhet lënë jashtë përgjegjësisë as Drejtoria e Administrimit të Pronës Publike në MZHETS, si përfaqësuese e pronarit të pronës shtetërore, pasi ajo duhet të monitorojë veprimtarinë ekonomiko-financiare të shoqërive tregtare me kapital tërësisht e pjesërisht shtetëror, të krijuar nga transformimi i ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, midis të tjerave duke ndjekur funksionimin e organeve drejtuese dhe mbikqyrëse të këtyre shoqërive.
Mbetet detyrë e Këshillit të Ministrave ndërmarrja e një reforme të qartë me objektiva dhe afate të mirëpërcaktuara për krijimin, funksionimin dhe shpërblimin e bordeve mbikqyrëse, për t’u prerë rrugën përfitimeve të padrejta të zyrtarëve të lartë shtetëror, si dhe ngritjen e nivelit të mirëqeverisjes kombëtare, në funksion të rritjes së cilësisë dhe efektivitetit të shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.
*Autori është Kryeauditues në Kontrollin 
Sigal