Gjosha në Lezhë: Të jemi bashkë për procesin e integrimit, i përket gjithë shqiptarëve

601
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha dhe ambasadori francez në Shqipëri, Bernard Fitoussi, zhvilluan një takim me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, si dhe me të rinjtë e këtij qyteti, ku u diskutua në lidhje me procesin e Integrimit të Shqipërisë dhe përfitimin që mund të ketë vendi ynë si pjesë e Bashkimin Europian. “Për ne procesi i integrimit nuk mund të kuptohet pa gjithëpërfshirje, pasi vetë Europa nuk e pranon një gjë të tillë. Ne vetë duhet të jemi të bashkuar dhe ta vëmë këtë prioritet madhor për vendin mbi gjithçka tjetër. Procesi i integrimit është i gjithë shqiptarëve, nuk është i asnjë partie politike ”, u shpreh ministrja Gjosha. Ministrja theksoi se Europa e bashkuar është krijuar mbi vlera të unifikuara,duke respektuar diversitetin e popujve dhe të shteteve, sovranitetin e tyre. Pikërisht kjo e bën projektin europian më të suksesshmin deri më sot.

“Bashkimi Europian, është shtysa e të gjitha vendeve aspirante për të arritur ato standarde që i shërbejnë një të ardhmeje më të mirë për qytetarët. Ne e shohim BE-në si një udhëheqës për të ndërmarrë të gjitha reformat që i duhen vendit”, tha ministrja Gjosha. Gjatë fjalës së tij, ambasadori francez u shpreh se do të jetë një mbrojtës i integrimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian, duke deklaruar se çështja shtrohet tashmë si do hyjë vendi ynë në BE-së dhe jo kur do hyjë. Ambasadori francez theksoi se të gjitha forcat politike duhet të jenë të bashkuara, veçanërisht për reformën në drejtësi e cila është e domosdoshme për të ecur përpara me procesin e integrimit.

“Unë ju ftoj të bëni një Besëlidhje të re si ajo e Lezhës, mes të gjitha forcave politike për reformën në drejtësi. Kjo reformë do të ndihmojë Shqipërinë të afrohet më shumë me Europën”, u shpreh ambasadori francez. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, tha se Shqipëria është pjesë integrale e Europës dhe kjo e fundit duhet ta bëjë pjesë vendin tonë me të drejta të plota, pasi shqiptarët janë një popull besnik dhe kanë çfarë t’i japin familjes europiane. Të rinjtë bënë një sërë pyetjesh mbi procesin e integrimit, duke kërkuar gjithashtu nga qeveria dhe gjithë partitë politikë të jenë zëri i tyre, duke ofruar shumë mundësi, në mënyrë që ata të jenë vërtet forca drejtuese e procesit te integrimit. Pas takimit me të rinjtë, ministrja Gjosha dhe ambasadori francez, nderuan figurën e Skënderbeut, duke vendosur buqeta me lule në Memorialin-muze të qytetit të Lezhës, ku është edhe vendvarrimi i kësaj figure historike.
Sigal