Gjon BRUÇI/ Faqja e zezë e një ambasadori!

640
Sigal

Do të kishte qenë më e udhës që ambasadori amerikan Arvizu të kishte folur paksa më gjatë në intervistën e “post” festës së 70- vjetorit të Çlirimit të Tiranës. Jo për mua dhe brezin tim të lindur e të rritur në epokën e ndërtimit socialist, sepse ne kemi pasur mundësi të njihemi me “Ci-Vi-në e shtetit Amerikan që përfaqëson majën më të lartë të kapitalizmit shtetëror e botëror, të kaluar tashmë në etapën e fundit me emërtimin imperializëm, çka i ka bërë amerikanët të quhen nga pjesa tjetër e Botës “Janki”, të shoqëruar me fjalën “Jashtë”. Këtë CV (Curriculum  Vitae)  të kapitalistëve amerikanë e patëm për short ta shihnim edhe nga afër e në praktikë nëpërmjet përfaqësuesve të këtij shteti midis të cilëve një vend “nderi” zë dhe aziatiko-amerikani me emrin Aleksandër Arvizu. Ndaj një ligjëratë më e gjatë e ambasadorit në fjalë do të ishte e dobishme dhe e efektshme, jo për ne “veteranët” e dy epokave krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën, por për brezin e ri të Shqipërisë të cilët prej 24 vjetësh nanurisen me përrallat e demokracisë kampione alla amerikano- europiane, duke mos ngjitur tek ata as sa çngjiste zamka 70 qindarkash e katër-pesë dekadave të mëparshme.

Zoti Arvizu! Të gjithë ambasadorët amerikanë, përveç Rajersonit, që ishte ushtar i drejtpërdrejtë i shpurës zjarrvënëse të Shqipërisë socialiste, kanë ardhur e kanë qëndruar në vendin tonë duke mbajtur me kujdes mbi supe pelerinën demokratike të lyer me varak shndritës, çka i bënë shqiptarët, ashtu si në përrallat e moçme, të linin mënjanë gjashtë çelësat e odave të para dhe të hapnin odën e shtatë, ku në vend të parajsës, gjetën e po gjejnë ferrin, prej ku do të jetë tepër e vështirë të dalin. Edhe ti zoti Arvizu në fillimet e karrierës tënde diplomatike në vendin e shqiponjave, u dukeshe njeri xhentil dhe pse jo edhe popullor, paçka se pate rrezik të bëje nja dy gafa, të cilat shqiptarët i përcollën me durim, siç kanë përcjellë gjithherë gafat e fillimit të të gjithë miqve, falë kjo traditës që kanë trashëguar nga të parët. Dhe në fund të misionit tuaj në Shqipëri, i cili duhej të soste në qershor 2013, ne shqiptarët do të të kishim përcjellë me mirësjellje, duke t’i falur gafat, falë kodit të mikut, të cilin ne e kemi të shenjtë. Por ju zoti ambasador e zgjatët misionin në vendin tonë edhe për gati dy vjet, madje me një kohë të pacaktuar dhe nga që u mësuat e u familjarizuat shumë me shqiptarët, morët guximin dhe kapërcyet të drejtat e mikut. Sipas kodit tonë të lashtë, të cilin ju e keni pasur mundësinë ta lexonit, për shqiptarin miku është personaliteti më i madh  e më i rëndësishëm në familje. Atij i plotësohen  të gjitha kërkesat. Ai ka të drejtë të rrijë lirshëm e si në shtëpinë e tij, ka të drejtë të këndojë, të kërcejë, të shtijë për qejf me pushkë në dritare të shtëpisë etj.. Por nuk ka të drejtë kurrsesi të ngucë (ngacmojë) urët e zjarrit në oxhak. Kur thuhet “urët e zjarrit në oxhak” nuk është fjala për coklat e drurëve që digjen mbi zjarr, por për punët e brendshme të shtëpisë. Ju zoti Arvizu, pasi u rehatuat në qoshen e oxhakut tonë si miku më i madh i shtëpisë, u relaksuat kaq shumë sa e kapërcyet kodin tonë të shenjtë. Pa pikë droje morët mashën dhe trazuat zjarrin e oxhakut tonë, çka ne asnjëherë nuk e kemi lejuar. Të ishte vetëm për oxhakun e politikanëve dhe pushtetarëve tanë, nuk do të ishte fare problem. “Oxhaku” i tyre tashmë është bërë gaverno nga mashat që fusin jo vetëm ambasadorët, por edhe bankierët, afaristët, këshilltarët, përfaqësuesit e institucioneve turlilloj që në botën e sotme janë kaq të shumtë sa nuk mund të numërohen. Kështu që në morinë e mashnave të shumta të ndërkombëtarëve në oxhaqet e politikano-pushtetarëve tanë, nuk do të prishte punë edhe masha e  një ambasadori, qoftë ky edhe i një shteti të madh, siç jeni ju. Por ju zoti Arvizu me datën 17 Nëntor 2014 e futët mashën dhe ngacmuat oxhakun e gjithë shqiptarëve, kur kërkove të na imponosh se për cilin shqiptar duhet të brohorasim e për cilin duhet të heshtim. Unë si qytetar shqiptar të kuptoj: Ti si ambasador i një shteti që përfaqëson sistemin kapitalist në shkallën më të lartë me emërtimin imperializëm, nuk mund të kesh respekt e dashuri për përfaqësuesin e një sistemi krejtësisht të kundërt me tuajin, siç ishte lideri komunist shqiptar Enver Hoxha. Për me tepër që ky Enver Hoxha, qysh në Kongresin e Përmetit, e sanksionoi me ligj se interesat e të huajve (midis tyre dhe të SHBA), së bashku me investimet skllavëruese të tyre në Shqipëri, pas çlirimit të vendit dhe pas vendosjes së pushtetit të popullit do të shumëzoheshin me zero. Ishte pikërisht ky veprim në interes të kombit shqiptar i Enver Hoxhës që e bëri shtetin tënd të madh të mos e njihte si shtet aleatin e tij të vogël në buzë të Adriatikut, dhe për gjysmë shekulli të përdorte të gjitha mjetet, që sot emërtohen me emrin “terrorizëm” për ta përmbysur atë.

Puna e solli që betejën e gjatë gjysmë shekullore ta fitojë shteti yt i madh. Por fitorja e shtetit tënd të madh nuk ishte aq e pastër sa ju të vijoni të kapardiseni me dafina fitoreje. Nga ana tjetër lufta nuk mbaron me një betejë e dy. Dhe tani që jemi midis dy betejave, ashtu siç kanë vepruar gjithnjë popujt dhe shtetet, jemi në një marrëveshje ku flitet për integrim euroatlantik. Ky integrim nuk mund të realizohet duke i përzierë e ngacmuar urët e zjarrit të njëri–tjetrit, sepse ngacmimi i shumtë e veçanërisht nga dora e panjohur për oxhakun, provokon xixa, të cilat mund të ndezin një zjarr të madh që del jashtë kontrollit të oxhakut në fjalë. Zoti ambasador i SHBA,  unë e di se ti me veprimet diplomatike dhe me hijen e shtetit të stërmadh i ke vënë plotësisht në rresht politikanët dhe pushtetarët tanë, të cilët edhe për të fjetur me gratë marrin leje tek ambasada juaj. Por të jeni të sigurt se jo të gjithë shqiptarët janë në këtë derexhe. Në shumicën e viteve të historisë sonë shumëshekullore, që zë fill mijëra vjet para historisë së shtetit tuaj aktual, ne kemi pasur plot mbretër, princër e bajraktarë, të cilët na kanë komanduar më shumë me politikë se sa me forcë. Edhe ju duhet të punoni me anë të politikës e të diplomacisë, nëse doni të na bëni për vete. Po vijuat të na impononi me forcë idetë e parapëlqimet tuaja, ne mund t’ju thyhemi në duar si xhami e t’jua gjakosim ato. Ti si përfaqësues i një shteti të madh, mund të bësh për vete politikanët e pushtetarët tanë, të cilët në shumicën e rasteve janë shitur për tridhjetë aspra. Por kjo gjë është e vështirë kur ke të bësh me një popull të tërë. Duke marrë nëpër gojë udhëheqësit tanë të së kaluarës, ju nuk mund të hyni në zemrat e popullit tonë. Aq më tepër kur këtë e bëni për Shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave me emrin Enver Hoxha. Duke marrë nëpër gojë Enver Hoxhën, të vetmin shqiptar që gjendet në Enciklopedinë Botërore të vitit 2005, si lider që bëri shtetin modern shqiptar, ju jo vetëm tregoni cinizmin tuaj prej kapitalisti të tipit “Xhon Buall”, por edhe mungesë etike si përfaqësues i një shteti, i cili nga mëngjesi gjer në darkë trumbeton me të madhe “demokracinë” e kulluar, por që realisht është me ngjyrë e me zgjyrë veçse mbulohet me varakun e ndritshëm të “demokracisë kapitaliste”. Kryeni detyrën tuaj si ambasador dhe mos u përzieni në dasmat e festat tona, siç deshi të bënte gjenerali italian kur pati ardhur në vendin tonë të mblidhte eshtrat e ushtarëve të tij të pafat. Ceremonitë dhe festimet për 70- vjetorin e Çlirimit të popullit shqiptar nuk njollosen nga portretet e Komandantit të Përgjithshëm të Partizanëve Shqiptar dhe Strategut të fitores së LANÇ, por njolloset  nga kukullat tuaja të politikës e të shtetit tonë të drobitur, të cilët për hir të dollarëve dhe eurove të qelbura që ju u afroni, kanë mohuar e po mohojnë gjakun e të rënëve dhe kanë bërë krushqi me tradhtarët, këtë specie të neveritshme të të gjitha kohërave. Portretet e Kolosit Enver Hoxha, veprimtarinë e të cilit e studion me vëmendje  edhe Departamenti i shtetit tuaj, nuk e fyejnë popullin shqiptar. Përkundrazi ato e nderojnë dhe e mobilizojnë kundër “demokracisë” që ju na keni imponuar, por që nuk ka asnjë gram demokraci të vërtetë, përveçse bacile të cilat rrezikojnë të përsërisin nazifashizmin e Luftës së Dytë Botërore. Nëse ju zoti ambasador do të qëndronit në postin tuaj të diplomatit pa na ngacmuar “urët e zjarrit”, do të të kishim përcjellë me urimin që i bëjmë çdo miku:  “Paç faqen e bardhë”. Por ti e kapërceve kodin tonë shekullor, na ngacmove aty ku nuk duhet, ndaj do të detyrohemi që kur të largoheni t’ju themi “Paç faqen e zezë”, që përmbyse sofrën, ku ne të kemi pritur si mikun më të madh të popullit shqiptar.