Gjok Uldedaj, “Qytetar Nderi” i Kelmendit

655
Sigal

Komuna e Kelmendit në Qarkun e Shkodrës vlerësoi ish-deputetin, për kontributin e dhënë në zhvillimin e zonës

Komuna e Kelmendit në Malësi të Madhe ka vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” ish-deputetin e Qarkut të Shkodrës, Prof. Dr. Gjok Uldedaj, për kontributin e çmuar dhe përkushtimin e tij intelektual dhe politik, për lartësimin e vlerave historike dhe atdhetare, traditave etno-kulturore dhe ekonomike të krahinës të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe ndër vite në zhvillimin e kësaj zone. Në një ceremoni madhështore, e cila është organizuar në vazhdë të aktiviteteve të përvitshme që organizohen në këtë zonë për “Logun e Bjeshkëve” kanë marrë pjesë deputetë, drejtues vendor dhe banorë të zonës, ndërsa titulli zotit Uldedaj i është dorëzuar nga kreu i komunës Kelmend, Gjeto Dukaj. Ai vlerësoi kontributin e tij, që sipas kryekomunarit gjatë kohës kur ishte deputet Uldedaj i ka dhënë një tjetër zhvillim të madh zonës së Kelmendit në të gjitha drejtimet.

“Uldedaj i ka shërbyer shumë Kelmendit dhe Malësisë së Madhe, duke dhënë shumë nga vetja e tij për zhvillimin e vlerave që ka zona jonë. Falë tij janë kryer një sërë investimesh mjaft të rëndësishme. Ka qenë iniciativa e tij që, Malësia e Madhe u vlerësua nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit” e kjo duke i dhënë një tjetër zhvillim kësaj zone”, – tha Gjeto Duka, kryetar i Komunës Kelmend

Nga ana tjetër, Gjok Uldedaj, është shprehur i nderuar për vlerësimin që i është bërë nga kjo zonë, por ky titull sipas tij rrit më tepër përgjegjësinë për të kontribuar në këtë zonë. “Është vërtet një emocion i madh sot këtu, që unë vlerësohem dhe respektohem nga Këshilli i Komunës dhe gjej rastin ta falënderoj kryetarin e komunës Gjeto Dukaj, për nderin e madh që më bënë duke më bërë pjesë të Kelmendit. Të jesh qytetar nderi i Kelmendit është një obligim dhe detyrim, pasi kjo zonë është simboli i historisë. Unë angazhohem këtu që do të jem një bashkëqytetar i mirë i juaji”, – tha Gjok Uldedaj. Gjatë mandatit të tij si deputet i Qarkut të Shkodrës në periudhën 2009-2013, Gjok Uldedaj i dha një tjetër zhvillim kësaj zone në të gjitha fushat, ku me lobimin e tij pranë Qeverisë shqiptare, Shkodra mori një vëmendje të veçantë, këtë fakt tashmë po e dëshmon edhe vlerësimi që atij i është bërë.