Gjobë 2 milionë lekë 17 kompanive “Call Center”, shkelën ligjin e të dhënave personale

566
Gjobë Call Center-ave në Shqipëri se nuk kanë ruajtur të dhënat personale të klientëve që kontaktonin. 17 prej tyre janë gjobitur nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me 2 milionë lekë të vjetra secila, për mosraportim të të dhënave të klientëve. 

Këto subjekte, që në kuptim të ligjit të sipërpërmendur janë kontrollues, kanë detyrimin ligjor për të njoftuar Zyrën e Komisionerit në lidhje me të dhënat personale që përpunojnë. Zyra e Komisionerit ka identifikuar 278 subjekte që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët, ndër të tjera, kanë të deklaruar në objektin e veprimtarisë së tyre dhe aktivitet në fushën e “Call Center”.
Gjatë periudhës mars-prill 2015, Zyra e Komisionerit ka realizuar hetime administrative në disa kompani të këtij sektori. 

Në përfundim të procedurave përkatëse, është verifikuar shkelja e detyrimit ligjor për të njoftuar Zyrën e Komisionerit në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Në përfundim, Zyra e Komisionerit ka dalë me vendim me sanksion administrativ-gjobë për 17 subjekte tregtare, të cilët iu nënshtruan procedurës së hetimit administrativ. Këto hetime administrative të Zyrës së Komisionerit janë realizuar edhe në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin homolog në Republikën e Italisë, dokument i nënshkruar në muajin shkurt të këtij viti.
Sigal