Gjoba për duhanin, 600 mijë lekë – Ligji i ri në Kuvend, si do penalizohen subjektet që lejojnë pirjen

575
Sigal

600 mijë lekë do të jetë gjoba për të gjithë subjektet që shkelin ligjin për pirjen e duhanit në ambientet e brendshme, të cilët do të kapen në shkelje të përsëritur brenda një periudhe 3-mujore.

Sikurse ishte paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tashmë ka mbërritur  në Kuvend projektligji, që parashikon forcimin e  masave për zbatimin e këtij ligji. Sipas propozimeve, masa e gjobës prej 600 mijë lekësh do të vendoset pikërisht në rast se subjekti e përsërit shkeljen brenda një periudhe 3-mujore, ndërkohë që në rastet e tjerë masa e gjobës mbetet 300 mijë lekë.

Ndërkohë që, nëse subjekti i tatueshëm i penalizuar për herë të dytë gjendet përsëri në shkelje, brenda një afati kohor 1-vjeçar atëherë ndaj tij vendoset gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës”. Gjithashtu, me ndryshimet ligjore, një paketë cigare në treg duhet të përmbajë të paktën 20 cigare, duke hequr nga qarkullimi paketimet e vogla, që kryesisht kanë nga 10 cigare.

Megjithatë, kjo është një masë që do të zbatohet 2 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërkaq, sikurse u njoftua edhe më herë nga ministrja, Ogerta Manstirliu, pas ankesave të biznesit të vogël propozimi ligjor, që parashikonte shitjen e produkteve të duhanin vetëm në pika veçanta, të licencuara për ushtrimin e këtij aktiviteti, është hequr, duke lejuar shitjen e produkteve të duhanit në çdo dyqan.