Gjoba 24 milionë $ që Bankers i ka shtetit, në dorë të Gjykatës së Lartë

803
Sigal

Skandali që nis në vitin 2012 mbërrin në Gjykatën e Lartë. Milionat, nga abuzimi me naftën D2

“Bankers Petroleum Albania LTD” i shmanget detyrimeve ligjore dhe financiare ndaj shtetit shqiptar duke u bërë objekt dhe subjekt i gjykatave në vendin tonë. Për shkak të këtij megaskandali që përfshin kompani mafioze të vendit dhe të huaja, lidhje inkriminuese me njerëz të pushtetit, gazeta “Telegraf” kërkon të risjellë në vëmendjen e lexuesit të saj dhe një herë çështjen që po zvarritet dhe sot e kësaj dite nga njëra gjykatë në tjetrën që nga viti 2012.

Skandali

Inspektorët e tatimeve gjatë kontrolleve në treg gjejnë naftë D2. Prej vitit 2009 tregtimi i naftës D2 është i ndaluar me ligj, ndërkohë që ajo mund të hyjë në Shqipëri vetëm për përdorim të kufizuar në disa industri. Drejtoria Tatimore e tatimpaguesve të Mëdhenj gjatë një kontrolli pranë kompanisë “Bankers Petroleum Albania LTD” konstatoi se kjo kompani nuk përdor naftën D2 sipas destinacionit të paracaktuar, (për disa makineri në puset e Marinzës), por e hedh atë në treg. Me pretendimin që nafta i shkon Bankers, nafta shitet në tregun vendas, ndërkohë që Bankers rregullon dokumentacionin sikur e gjithë sasia i duhet asaj. Të përfshirë në këtë rrjet evazioni, përveç një firme shqiptare dhe Bankers, janë dhe doganierë dhe eprorë të policisë. Botet e naftës me D2 “për llogari të Bankers” u bllokuan nga tatimorët, pasi ata nuk shkonin në destinacion. Por, pas një urdhri nga eprorët, policia i liroi botet. Ndërkohe, edhe Drejtoria e Doganave, pasi mori njoftim për atë që ndodhi, zvarriti kontrollin e saj, derisa çështja u mbyll. Vetëm në dhjetor 2012, sipas të dhënave doganore, është futur në vendin tonë një sasi prej 24 mije ton D2, e cila sigurisht është e destinuar për në treg, pavarësisht se letrat bëhen sikur shkojnë te Bankers. Nga kjo skemë llogaritet, sipas ekspertëve tatimorë, një humbje për shtetit rreth 20 milionë euro në muaj. Për këtë sasi nuk paguhet as akcizë, as taksë doganore, as taksë qarkullimi dhe as taksë karboni. Pas këtij kontrolli më 28 shtator 2012, Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë ka njoftuar Bankers Petroleum Albania LTD se mbi rezultatet e kontrollit e ka gjobitur me rreth 2.4 miliardë lekë kompaninë. Pasi është vënë në dijeni të gjobës, “Bankers Petroleum Albania LTD” ka ndjekur rrugën administrative për në organin më të lartë administrativ në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shfuqizimin e gjobës, por kërkesa nuk është pranuar, shkak që është bërë dhe objekti i konfliktit gjyqësor. Në këto kushte, duke mos qenë dakord me aktet administrative sa sipër, pala paditëse shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” i është drejtuar gjykatës me kërkesë-padinë me objekt shpalljen absolutisht të pavlefshëm të njoftimit.

Rrugëtimi në gjykata

Në fakt, në rrugëtimin nëpër gjykata, thellohet më tej skandali, duke i ikur thelbit të çështjes dhe duke u përqendruar në procedura pa u marrë me shkeljen, pra faktin që nafta D2 hyn pa akcizë, pa taksa dhe shpërndahet nëpër pika karburanti. Kjo, pasi argumentohet se me këtë çështje tani merret dogana. Momentalisht, kjo çështje është në Gjykatën e Lartë dhe do të gjykohet nga Kryetari i saj prof.dr. Xhezair Zaganjori. Kjo çështje është një gur prove për Kryetarin e Gjykatës së Lartë. Gjykimi i tij do të tregojë nëse drejtësia funksionon dhe se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Gazeta “Telegraf”, do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj çështjeje. Më poshtë vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë:

 NR. AKTI 17674, NR. VENDIMI 10737

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë prej:

GJYQTAR: FLAMUR KAPLLANI

GJYQTARE: ENKELEJDA METALIAJ (SOFTA)

GJYQTARE: MANJOLA BEJLERI

Asistuar prej sekretares gjyqësore KRISTINA PËRNASKA sot në Tiranë më datë 08/11/2012 përfundoi së shqyrtuari në seancë gjyqësore publike çështjen civile me Nr.Regj.Them 17674 që i përket palëve ndërgjyqëse:

PADITES: Shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” me NIPT K 43128401 L, me administratorë Z. Leonidha Cobo dhe z. Bill Koutsouras përfaqësuar në gjykim me prokurën e përgjithshme Nr.5583 Rep, Nr.2309 Kol dt.09.10.2012 nga Av. Alket Hyseni me licencë Nr.1488 dhe Avokat Shamet Shabani 3906 Adresa, “Rr.Sami Frashëri” Nd.9, H.10. Ap.5, Tiranë.

TË PADITUR: Drejtoria Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë përfaqësuar në gjykim nga Ogerta Çevi me autorizim Nr 19947 Prot datë 18/10/2012.

Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përfaqësuar në gjykim nga Ogerta Çevi me autorizim Nr 2283/ 1 Prot datë 29/10/2012.

AVOKATURA E SHTETIT: Përfaqësuar ne gjykim nga Alma Troshani me Nr. 028 Liç

OBJEKTI: Shpalljen absolutisht të pavlefshëm të Njoftim-Vlerësimit për Detyrimet nr.17109/4 Prot datë 04.10.2012 i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë dhe e Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 si rrjedhim shpalljen e pavlefshme të vendimit nr 21815/1Prot datë 12/10/2012 i Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Marrjen e masës së sigurimit të padisë: Pezullimin e ekzekutimit të Njoftim Vlerësimit për detyrimet nr.17109/4 prot datë 04.10.2012, dhe Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor.

BAZA LIGJORE: Neni 36, 41, 42, 90 e vijues, neni 324 e në vijim i Kodit te Procedurës Civile, Neni 115 e vijues i Kodit të Procedurave Administrative, neni 23, 24, 30, 37, 69/1,

69/2, 84/3 dhe neni 106 e vijues i Ligjit nr.9920 “Për procedurat Tatimore, Ligji nr.8976 dt. 12.12.2002 “Për akcizat”; Ligji nr.61 dt.24.05.2012 “Për Akcizat”, Udhëzimi nr.3 dt.04.05.2012 “Për përcaktimin dhe dokumentimin e sasive të nënprodukteve të naftës të

importuar për nevojat e veta nga shoqëritë e kërkimit të naftës dhe vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse” i Ministrit të Financave dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ligji nr.7746, dt. 28.7.1993 “Për hidrokarburet”. Vendimi Unifikues nr.3 datë 10.01.2008 i Gjykatës së Lartë.

Në përfundim të gjykimit të zhvilluar në prani të palëve ndërgjyqësa dëgjoi këta

të fundit të cilët përfundimisht kërkuan :

Pala paditëse shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” nëpërmjet përfaqësuesit të saj kërkoi – Pranimin e kërkesëpadisë sipas objektit të saj, Palët e paditura Drejtoria Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë dhe Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kërkuan – Rrëzimin e kërkesë padisë; Av.Shtetit pranë Ministrisë së Financave kërkoi- Rrëzimin e kërkesëpadisë si

të pambështetur në prova e ligj, Gjykata pasi mori për shqyrtim provat e paraqitura nga palët e i administroi ato në dosjen gjyqësore, shqyrtoi e bisedoi çështjen në tërësinë e saj,

VËREN:

Se pala paditëse shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” është shoqëri tregtare e regjistruar pranë QKR me NIPT K43128401L, me administratorë z. Leonidha Cobo dhe z. Bill Koutsouras. Referuar ekstraktit historik marrë nga QKR, shoqëria Bankers Petroleum Albania LTD ka qenë e regjistruar më datë 28.06.2004 me emrin tregtar Saxon Internatonal Energy Ltd-Albania Branch dhe që prej datës 17.11.2006 kjo shoqëri mban emrin Bankers Petroleum Albania LTD. Kjo shoqëri ushtron aktivitetin për kryerjen e operacioneve të hidrokarbureve. Për nevoja të ushtrimit të aktivitetit të saj më datë 19.06.2012, shoqëria Saxon Internatonal Energy Ltd-Albania Branch, (aktualisht shoqëria Bankers Petroleum Albania LTD palë paditëse), ka nënshkruar Marrëveshjen Hidrokarbure me shoqërinë “ALBPETROL” sh.a., e cila nga ana e saj ka nënshkruar një Licencë Marrëveshje për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve. Pala paditëse i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me kërkesën nr.443/12 prot, datë 01.06.2012, për pajisjen me autorizim për përjashtim nga akciza, për gasoil 01(1000 pmm ULSD). Në kërkesë, pala paditëse ka përcaktuar se sasia në fjalë për produktin e sipërpërmendur do të përdoret për procesin teknologjik të kërkimit, shfrytëzimit dhe nxjerrjes së naftës dhe se qëllimi i përdorimit është rikonfirmuar edhe nga AKBN duke u shprehur posaçërisht në autorizimin e lëshuar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pranuar kërkesën e palës paditëse duke e pajisur atë me autorizimin nr.13527 prot. datë 22.06.2012) nëpërmjet së cilës përjashtonte nga akciza sasinë e nënproduktit të naftës që do përdoret për nevoja të shpimeve dhe vënien në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse nga ana e Bankers Petroleum Albania LTD. Me anë të shkresës nr.519/12, dt. 22.06.2012 shoqëria Bankers Petroleum Albania LTD i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me kërkesë për pajisjen me autorizim për përjashtim nga akciza të Diesel 10PPM dhe lidhur me këtë kërkesë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lëshuar autorizimin nr.13595/1 Prot. datë 27.06.2012, nëpërmjet së cilit përjashtonte nga akciza produktin e sipërpërmendur në rast se ai përdorej për qëllimin që ishte përcaktuar në kërkesë. Më pas nga ana e inspektorëve të Drejtorisë Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë (DRT) është ushtruar kontroll tek pala paditëse. Këta të fundit me shkresën nr.17109/1 Prot. datë 28.09.2012, Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë (DRT) ka njoftuar Bankers Petroleum Albania LTD mbi rezultatet e kontrollit dhe raportin e kontrollit përkatës Në dt.03.10.2012 pala paditëse ka kundërshtuar Raportin Paraprak të kontrollit pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, NJTM dhe nuk është marrë parasysh nga pala e paditur pasi ka dalë me vendimin për “ Njoftim Vlerësimi tatimor”. Konkretisht, sipas Njoftim Vlerësimin Tatimor për Detyrimet nr.17109/4 Prot. datë 04.10.2012 DHE dhe Raport Kontrollin nr.17109/3 prot. datë 04.10.2012 ku shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” ngarkohet me një detyrim në shumën totale 2.406.958.408 (dy miliardë e katërqind e gjashtë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e katërqind e tetë) lekë. Pala paditëse ka ezauruar rrugën administrative për në organin më të lartë administrativ në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, fakt që provohet me kërkesën ankimore nr.21815 Prot. Datë 09.10.2012. Më datë 12.10.2012 Drejtoria e Përgjithshme e Apelimit Tatimor, pasi ka marrë nën shqyrtim kërkesën e palës paditëse ka dalë me vendimin nr.21815/1 Prot, datë 12/10/2012 nga ku ka vendosur “Rrëzimin e ankimit, për shkak se e konsideron ankimin të papranueshëm”, shkak që është bërë dhe objekti i këtij konflikti gjyqësore. Në këto kushte, duke mos qenë dakord me aktet administrative sa sipër, pala paditëse shoqëria “Bankers Petroleum Albania LTD” i është drejtuar gjykatës me kërkesë-padinë me objekt Shpalljen absolutisht të pavlefshëm të Njoftim Vlerësimit për Detyrimet nr.17109/4 prot datë 04.10.2012 i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë dhe e Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 si rrjedhim shpalljen e pavlefshme të vendimit nr 21815/1Prot datë 12/10/2012 i Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Marrjen e masës së sigurimit të padisë: Pezullimin e ekzekutimit të Njoftim Vlerësimit për detyrimet nr.17109/4 prot datë 04.10.2012, dhe Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor. Duke qenë se padia kishte karakter të ngutshëm ( kërkohej nga pala paditëse sigurimi i padisë), Gjykata me datë 18.10.2012 pasi vlerësoi të drejtë kërkimin e palës paditëse se në rast se autoritetet tatimore do të ekzekutonin aktet administrative Njoftim Vlerësimit për detyrimet nr.17109/4 prot datë 04.10.2012, dhe Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë, se shoqërisë do i shkaktohej një dëm i i pazëvendësueshëm dhe i parikuperueshëm, vendosi për marrjen e masës së sigurimit të padisë duke pezulluar e ekzekutimit të Njoftim Vlerësimit për detyrimet nr.17109/4 Prot datë 04.10.2012, dhe Raport Kontrolli nr.17109/3 dt.04.10.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Tiranë, deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Në lidhje me padinë pala paditëse ka paraqitur këto prova shkresore.

 (vijon numrin e ardhshëm)