Gjirokastra në pushtetin e ujit

527
Sigal

Kjo situatë ishte dhe në mjaft komuna si ajo e Lunxhërisë, e Antigonesë, e Dropullit, Lazaratit dhe e Cepos

Shiu është “banor” i Gjirokastrës gjatë dimrit, por këtë fundjavë u ul padisha e nuk lëvizi për asnjë çast nga sokakët e qytetit. Reshjet me intensitet të lartë, herë-herë të kthyera në formë breshëri, nuk kanë pushuar natë e ditë. Era e fortë ishte bashkëautore për përmbytjet në të gjithë qarkun. Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, lumi Drino doli nga shtrati duke shkaktuar dëme të shumta. Fusha e Valaresë dhe ajo e Mashkullorës ishin bërë njësh me lumin, duke servirur pamjen e një miniliqeni me thellësi 70cm. Do të duhen të paktën dhjetë ditë të kthjellëta që fushat të kthehen në pamjen e tyre të mëparshme: të gjelbra, e tek tuk të punuara. Problemi më i madh qëndron te nënstacioni i vjetër elektrik, edhe ky i zhytur gjysmë nën ujë, solli mjaft probleme. Pjesa dërrmuese e qytetit iu kthye “epokës së zjarrit” ku i vetmi burim drite ishte qiriu. Kjo situatë ishte dhe në mjaft komuna, si ajo e Lunxhërisë, e Antigonesë, e Dropullit, Lazaratit dhe e Cepos. Nuk kanë kaluar më shumë se tre vjet nga investimi Ministrisë së Bujqësisë për pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të Drinos. Tani problemi qëndron ose te reshjet e dendura të shiut, të cilat Drinos si ka mbajtur dot i vetëm mbi kurriz, e i ka shpërndarë në fusha e rrugë, ose duhet të ishin marrë disa masa paraprake për ri pastrimin e mbetjeve të depozituara në lum. Gjithsesi, qarkullimi ka qenë i hapur, me vështirësi të vogla në vendin e quajtur Kordhocë dhe në Virua. Komuna Antigonë ka paraqitur problemin më të madh, rrugët e së cilës ditën e diel kanë qenë të pakalueshme. Ujërat nëntokësore kanë dalë si burime nga cepat e pallatit, kryesisht në lagjen 18 shtatori, duke shkaktuar dëme në disa biznese. Pjesë e fatkeqësisë natyrore ka qenë edhe Tepelena, ku ka pasur shkarje masive të dheut. Nga autoritetet përkatëse, në disa fshatra dhe lagje është kërkuar braktisja e shtëpive pasi rreziku pritet të shtohet. Fatkeqësitë natyrore nuk mund ti parandalojmë. Fakti që Gjirokastra është qytet malor do ndihmojë në kullimin e ujërave, duke shmangur deri në njëfarë pike përmbytjet masive të banesave dhe bizneseve. Duket se stafeta e përmbytjeve ka kaluar nga veriu në jug. Ne s’na mbetet gjë tjetër veçse të marrim disa masa të vogla e të presim që dimri të kalojë.

Anxhela Ruci-Gjirokastër