Gjirokaster – Mbahet në polici djali i Klement Balilit, shtatë të shoqëruar

210
Shtatë pjesëtarë të familjes së Klement Balilit, mes tyre, djali i tij, vëllezërit dhe nipat e tij janë shoqëruar nga policia e shtetit në ambientet e policisë së Gjirokastrës në orët e para të mëngjesit të sotëm. 
Klement Balili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga drejtësia greke si drejtuesi i një organizate të fuqishme të narkotrafik e cila vepronte në disa vende të Europës.
Shoqërimi i tyre është bërë rreth orës 05:00 të mëngjesit të 28 janarit 2017.
“Në orën 09:00 të paradites së sotme u liruan 5 nga të shoqëruarit, ndërsa brenda në ambientet e policisë ndodhet djali dhe një person tjetër. Vihet re një prani e shtuar e forcave të policisë të ardhura nga Tirana” informon gazetarja e Ora News në Gjirokastër Entiola Bundo. 
Familjarët e quajnë presion ndërsa në Gjirokastër mësohet se ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Adrian Çipa. 
Ndërkohë mësohet se policia ka ushtruar kontroll edhe në banesat e familjarëve të20 Klement Balilit. 
Presidenti Bujar Nishani njoftoi dje se kishte vendosur të mbledhë në ditët e ardhshme Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të diskutuar mbi mosarrestimin e Klement Balilit, në përgjigje të kërkesës së kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi ashpër duke e vlerësuar si një vendim të çuditshëm, aq më shumë kur një nismë e tillë ka munguar edhe në rastin e Lazaratit.
Klement Balili
Emri i Balilit doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj, vitin e kaluar, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore.
Në këtë operacion u përfshi dhe policia shqiptare si dhe autoritetet e disa vendeve të Bashkimit europian, ku dyshohet të ketë shtrirë rrjetin e trafikut organizata, një prej krerëve të së cilës dyshohet të jetë Klement Balili, I përkufizuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që Balili vetë mundi të shpëtojë.