Gjimnazistët me flamur kuqezi në Budva, policia i kthen në Shqipëri

478
BUDVA – Valëvitja e flamurit kuq e zi nga disa gjimnazistë shqiptarë të cilët ndodheshin në ekskursion në Budva ka sjell ndërhyrjen e policisë malazeze e cila u ka marrë simbolin kombëtar dhe i ka kthyer ata drejt kufirit duke i ndërprerë udhëtimin.
Incidenti u raportua fillimisht nga media shqiptare duke cituar median vendase “Vjesti”, ndërsa më tej ministria jonë e Punëve të Jashtme solli reagimin zyrtar të ambasadës sonë në Podgoricë. Sipas selisë tonë diplomatike, në Malin e Zi shpalosja e flamujve të vendeve të tjera në vende publike është e ndaluar.
Por si ka ndodhur ngjarja?
Gjimnazistët shqiptarë ishin gjatë ditës së enjte në ekskursion në Budva, dhe njëri nga të rinjtë është ngjitur në muret e Kalasë së Budvës dhe ka valëvitur flamurin shqiptar. Sipas njoftimi zyrtar që jep ambasada në Podgoricë, i riu e ka pasur të hedhur në shpinë flamurin më tej ka bërë fotografi në bregdet e më tej është ngjitur në kala për ta valëvitur.
Kanë qenë banorët e zonës të cilët ndodheshin në lokale që reaguan për këtë situatë duke njoftuar policinë vendase. Ambasada jonë në Podgoricë njofton se më tej ka ndërhyrë policia e cila i ka marrë flamurin të riut dhe i ka shoqëruar nxënësit deri tek autobusi i cili ishte i parkuar në hyrje të qytetit.
Ambasada sqaron se ky veprim i policisë është marrë në mënyrë që grupi i nxënësve shqiptarë të mos përzihej me vendasit apo e kundërta. 
Sigal