Gjimnastët e Beratit në palestër të rikonstruktuar

652
Sigal

Ditën e enjte, Kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, inspektoi punimet që po kryhen për rikonstruksionin e palestrës së gjimnastikës në lagjen “Donika Kastrioti”. Vlera e investimit të financuar nga Bashkia e Beratit ishte 5 898 246 lekë. Punonjësit e firmës kontraktuese janë thuajse në fazën e fundit të kryerjes së punimeve, gjatë të cilave janë realizuar: suvatime të reja brenda dhe jashtë ndërtesës, hidroizolim, shtrimi me tartan i dyshemesë, punime hidraulike dhe elektrike, ndarja e hapësirave, vendosja e saunës për sportistët, e portave të reja, si dhe lyerja me bojë e ndërtesës. Në komunikimin e tij për mediat Kryebashkiaku Sinaj u shpreh: “Punimet për rikonstruksionin e palestrës janë në fazën e tyre finale. Ky ka qenë një ambient i degraduar, i lënë në harresë qysh prej 30 vjetësh. Një arsye më shumë për rikonstruksionin e kësaj palestre ka qenë fakti se sportistët e gjimnastikës, edhe pse janë stërvitur në kushte të vështira, falë dëshirës dhe pasionit për këtë sport, por edhe përkushtimit të trajnerëve të tyre, kanë arritur të dominojnë kampionatin e gjimnastikës duke u shpallur për të disatën herë kampion kombëtar.” Në vijim të komunikimit të tij Sinaj tha se, pas përfundimit të rikonstruksionit të plotë, do të punohet për vendosjen e pajisjeve të gjimnastikës, të cilat do të investohen nga Federata e Gjimnastikës. “Specialistët tanë po e ndjekin edhe këtë hap të fundit, në mënyrë që brenda një muaji kjo palestër të jetë funksionale. Ndërkohë Drejtoria e Shërbimeve Publike do të vazhdojë me territorin jashtë godinës, për të krijuar mjedise çlodhëse jo vetëm për sportistët e gjimnastikës, por për cilindo që viziton këto ambiente. Në perspektivë do të vazhdohet me rikonstruksionin e pjesës tjetër të godinës, për disiplinat e tjera sportive, duke e kthyer këtë vend në një qendër multi funksionale të ushtrimit të sporteve të ndryshme.” Trajneri i gjimnastikës, Shkëlqim Muhametaj, pasi falënderoi Bashkinë e Beratit për këtë investim serioz, u shpreh se rikonstruksioni i palestrës, duke e shndërruar atë në një mjedis me parametra dhe standarde evropiane, do të shërbente për t’i motivuar edhe më shumë sportistët e gjimnastikës, në mënyrë që edhe arritjet dhe sukseset e tyre të jenë të niveleve evropiane.