Gjiknuri kishte dijeni për shpërthimin në Marinzë

578
Nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga ana e AKBN, për periudhën 2013 – shtator 2014, në lidhje me monitorimet e kryera nga Drejtoria e Hidrokarbureve pranë AKBN-së, u konstatua që nga ana e AKBN-së nuk disponohen të dhëna kronologjike të vazhdueshme për shpenzimet e kryera e të monitoruara si dhe për proceset e domosdoshme përkatëse për fazën e kërkimit të cilat përfshihen më pas në Cost Recovery. Mosmonitorimi në kohë i këtyre shpenzimeve sjell më pas miratimin e tyre në mënyrë fiktive, pasi në kohën kur kompania pretendon ti përfshijë këto shpenzime në Cost Recovery është e pamundur të bëhet monitorimi. Edhe në monitorimet e kryera, në disa raste ato janë bërë formalisht, kjo duket në informacionet e përpiluara nga monitoruesit për Drejtorin e Drejtorisë, ato janë të hartuara në disa raste me copy-paste. Në to në disa raste përshkruhen operacione të cilat i përkasin ditëve për të cilat nuk ka pasur program monitorimi. Në disa raste në këto informacione jepen përshkrime punësh të pa shoqëruara me domosdoshmërinë e tyre dhe në disa informacione monitorimi pasqyrohen vetëm dy rreshta, duke thënë se u krye monitorimi!? Në disa raste dërgohen për monitorim persona që nuk e kanë detyrë funksionale dhe që nuk i përkasin strukturave kompetente. 
Koncensionaret jashtë kontrollit
Procesi monitorues i institucioneve shtetërore (MEI, AKBN dhe Albpetrol sha) ka qenë pothuajse inekzistent, duke u mjaftuar vetëm me vëzhgime vizuale, sporadike, pa u orientuar në kontrollin ligjor, financiar dhe tekniko-shkencor të implementimit të këtyre marrëveshjeve. Pikërisht, inekzistenca e këtij monitorimi institucional, duke mos kryer siç duhet detyrat dhe funksionet e ngarkuara me ligj, ka çuar në mospërfitimin e shtetit gjatë gjithë këtyre viteve të pjesës që i takon sipas marrëveshjeve përkatëse me kompanitë koncensionare. Dhe kjo në një kohë që sasia e naftës që është nxjerrë deri më sot, në vendburime të caktuara, ka qenë aq e madhe sa i ka çuar këto vendburime në fazën e tyre shteruese ose siç cilësohet në gjuhën teknike, në fazë Depliti. Në përfundim të këtij auditimi kompleks dhe të vështirë për specifikat teknike të marrëveshjeve dhe proceseve hidrokarbure, KLSH arrin në përfundimin se gjendja paraqitet e rëndë dhe jashtë kontrollit shtetëror. Ndërkohë që pasuritë kombëtare përdoren pa kriter, pasojat në ekonomi dhe jetën e qytetarëve të thjeshtë të zonave në shfrytëzim, janë të rënda dhe të pamatshme. Duhet theksuar që institucionet shtetërore përgjegjëse për monitorimin e aktivitetit dhe veprimtarisë së kompanive koncensionare (AKBN, Albpetrol sha, dhe MEI) duhet t’i kishin parashikuar shumë më përpara ngjarjet e ndodhura në Patos – Marinës. KLSH i paralajmëroi këto ngjarje dhe këto pasoja që më datë 09.03.2015, në fazën e dërgimit të projektraportit të auditimit. Pra, rreth një muaj përpara ngjarjeve të ndodhura në Prill 2015, në Patos – Marinëz.
Rekomandimet e KLSH
Në rekomandimet që i janë përcjellë për zbatim AKBN dhe MEI, KLSH thekson:
•MEI të ndërmarr hapat e nevojshëm për inicimin e një nisme ligjore për përcaktimin e statusit dhe rregullimin e veprimtarisë së AKBN-s me ligj të veçantë dhe jo në VKM.
•AKBN të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga Kuvendi ose Kryeministri.
•Të ringrihet Instituti Shkencor i Naftës, si një institut i mirëfilltë shkencor i cili të mbështesë të gjitha vendimmarrjet e lidhura me zhvillimet e sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë si dhe të bashkëpunojë me Kuvendin dhe Qeverinë lidhur me hartimin e strategjive afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimeve në këtë sektor duke bërë dhe rolin e oponentit teknik gjatë negocimit të marrëveshjeve, shqyrtimit të propozimeve dhe zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, si dhe orientues dhe oponencë e kërkimeve shkencore që lidhen me burimet hidrokarbure. Ky institucion të funksionojë si një institut i pavarur dhe që mbulon kostot e tij nga buxheti i shtetit dhe projektet e ndryshme të lidhura me sektorin.
•Të rishikohet baza ligjore mbi të cilën funksionon AKBN-ja, veçanërisht në lidhje me monitorimin për realizimin e fuqisë të vendosur të Hec-ve, prodhimin vjetor të energjisë elektrike dhe detyrimin e “Fee koncesionare”, nga shoqëritë që kanë vendosur Hec-et në prodhim, ku AKBN-ja nuk e përmbush këtë detyrimin ligjor, pasi nga ana e AK kjo kompetencë i është dhënë KESH. 
•MEI të ndërmarr hapat e nevojshëm për inicimin e ndryshimit të VKM nr. 947, datë 29.12.2014, me qëllim që paratë e paguara si ekuivalencë për sasinë e naftës që duhet të përfitonte Albpetrol sha nga Marrëveshjet Hidrokarbure të lidhura me kontraktorët për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese, sipas VKM-së të kalojnë në Buxhetin e Shtetit.
•MEI dhe AKBN, të merrin masa për të vendosur instrumente monitorimi të efektshme dhe të kërkojnë rivlerësimin objektiv të planeve të zhvillimit, operacioneve teknike dhe auditime financiare profesionale dhe të pavarura lidhur me kostot reale që përfshihen në aktivitetin hidrokarbur, për ti vënë në efiçencë marrëveshjet e lidhura, me qëllim të një vlerësimi të saktë të Faktorit R, me synim mos shmangien e detyrimeve financiare ndaj shtetit. Në çdo rast të përcaktohet niveli i përgjegjësisë së individëve të përfshirë në këtë proces në mënyrë që ti prihet rruga formalitetit të këtyre monitorimeve ku interesat e shtetit shihen të fundit.
•AKBN të marrë masat për ristrukturimin e Drejtorisë Hidrokarbure dhe MEI të marrë masa për miratimin e Rregullores së aktivitetit të kërkimit e zhvillimit të naftës dhe gazit në Shqipëri. MEI, Albpetrol sha. dhe AKBN, në bashkëpunim me institucionet shkencore si Fakulteti i Gjeologji Minierave dhe Institutin Shkencor të Naftës (i cili duhet të ringrihet) të marrin masat e nevojshme organizative për krijimin e një databaze të përditësuar në lidhje me depozitimet hidrokarbure që ekzistojnë në gjendjen e tyre natyrore në shtresë.

•MEI dhe AKBN të marrë masa që në hartimin e miratimin e marrëveshjeve hidrokarbure të reja, të mbështeten, ndër të tjera, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Avokaturën e Shtetit, duke miratuar marrëveshje tip, në mënyrë që të përfaqësohen denjësisht interesat kombëtare dhe publike, në përshtatje me të dhënat teknike gjeologjike, gjeofizike, historike të zonave të kërkimit hidrokarbur ose të zhvillimit hidrokarbur dhe gjetjen e formateve të marrëveshjeve të tilla që të ardhurat që do të përfitojë buxheti i shtetit të jenë të qarta të matshme dhe lehtësisht të auditueshme.
AKBN të shqyrtojë me kujdes marrëveshjet e huas në të cilat implikohet transferimi i interesave të Marrëveshjeve Hidrokarbure, efektet që kanë këto marrëveshje huaje në të ardhmen dhe risqet me të cilat mund të përballet shteti në rastin e mungesës së likuiditetit apo pamundësisë paguese të kompanisë, vlerësimi i procedurës së ndjekur për të marrë miratimin në kushtet kur ka vepruar në kundërshtim të plotë si me Marrëveshjen Hidrokarbure dhe bazën ligjore që operon në fushën hidrokarbure. Të analizohet çdo risk në aspektin juridik që cenon interesat e shtetit shqiptar dhe të bashkëpunohet me çdo institucion tjetër shtetëror kompetent në saktësimin e risqeve financiare të mëvonshme.
•Nga ana e AKBN-së të analizohen me kujdes rastet e konstatuara nga auditimi lidhur me përjashtimin e padrejtë nga TVSH-ja të kompanive që operojnë në sektorin e hidrokarbureve dhe nënkontraktorëve të tyre, duke kërkuar njëkohësisht rikuperimin e këtyre shumave në favor të buxhetit të shtetit. AKBN të rishikojë miratimet e lëshuara ndaj kompanive koncensionare, për efekte të llogaritjes së Faktorit R, duke rivlerësuar vlerën e Faktorit R për të gjithë vitet në të cilat shtrihen marrëveshjet.
•Ministritë përgjegjëse që do të angazhohen në procedurat e pritshme të privatizimit strategjik të Albpetrol sha, në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, të kërkojnë nga Kuvendi dhe të realizojnë ndërhyrjet e duhura në aktet ligjore dhe nënligjore, për të përfshirë në formularët e garancive të ofertave dhe të kontratave, si në proceset e privatizimeve dhe në ato të tenderimeve, elementë shtesë që të garantojnë sigurinë e këtij dokumentacioni, duke ndihmuar në mos përsëritjen e rasteve me pasoja negative për buxhetin e shtetit.

•Duke pasur në konsideratë rëndësinë e këtij sektori për ekonominë e vendit dhe sigurinë kombëtare, në rast të riaktivizimit të procedurës së privatizimit apo dhe në procedura të tilla të ngjashme në sektorin hidrokarbur, autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të sigurohen të përfshijnë në këto procese, me përparësi të lartë dhe ekskluzivitet, kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë (veçanërisht ato me traditë të konsoliduar në këtë sektor, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania), si dhe të mundësojnë arritjen e transparencën reale të zotëruesve të kompanive ofertuese pjesëmarrëse në garë [Ky rekomandim i Vendimit nr. 57 (nr. prot. 850/11, datë 30.04.2015), datë 30.04.2015 është përsëritje nga Vendimi nr. 160 (nr. prot. 478/13 prot.) datë 23.12.2013 të Kryetarit të KLSH]. Në këtë mënyrë Shqipëria do siguronte jo vetëm përfitime ekonomike dhe financiare por edhe politike dhe gjeostrategjike. Gjithsesi, vendimmarrja për këto procese është e Kuvendit të Shqipërisë ndërsa përgjegjësia i takon institucioneve përkatëse që menaxhojnë këtë sektor dhe Qeverisë.
•Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe Vendimi i Kryetarit të KLSH ju përcoll Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarëve të Grupeve Parlamentare të PS dhe PD, Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit si dhe Ministrit të Financave.
•Raporti Përfundimtar i Auditimit ju përcoll institucionit të Prokurorisë, me kërkesën që në shqyrtim të gjetjeve të konstatuara nga ky auditim të vlerësojë ekzistencën e elementëve të veprave penale të kryera nga drejtues apo nëpunës të AKBN-së duke i ardhur kështu në ndihmë dhe duke i shërbyer edhe hetimit të nisur aktualisht nga Prokuroria në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Marinëz. Bashkëlidhur materialeve të dosjes së auditimit, i janë dërguar organit të Prokurorisë edhe shkresat që vërtetojnë dashjen dhe qëllimin e drejtuesve të AKBN-së dhe Albpetrol-it në drejtim të pengimit të ushtrimit nga KLSH të këtij auditimi përgjatë vitit 2014.
•Ministri i MEI të marrë masat disiplinore deri në “Largim nga detyra”; në veçanti për Drejtorin Ekzekutiv të AKBN, Zëvendës Drejtorët Ekzekutivë të AKBN, si dhe drejtorët e përgjegjësit e sektorëve pranë AKBN dhe MEI që operojnë në sektorin hidrokarbur. 
Sigal