Gjiknuri, “kasafortë e blinduar” e dosjes së koncesionit mafioz të bakrit shqiptar

731
Sigal

Qindra milionë dollarë të pasurisë kombëtare janë zhdukur e kanë përfunduar në xhepat e mafies turke të mineraleve e shtetarëve të korruptuar shqiptarë

Në zyrën e ministrit Gjiknuri, njeriut që kapardiset ekraneve, se gjoja po rilind dhe po shpëton nga kthetrat e mafies shqiptare, rajonale e ndërkombëtare sektorin minerar shqiptar, gjendet një “dosje e zezë” ekonomike, që flet për koncesionin e prodhim-shfrytëzimit të mineralit të bakrit shqiptar. Kjo dosje është kërkuar 10 ditë më parë nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë që të hapet, të bllokohet si koncesion në Parlament e t’i kalojë drejtësisë për ndjekje penale, por ministri Damian Gjiknuri nuk ka pranuar të hapë “kapakun” e saj, duke u bërë kasafortë e blinduar kësaj dosjeje të zezë, duke lejuar të vazhdojë koncesioni “i pisët” në bakër. Kanë qenë e janë vetëm “lehje pas gardhit” britmat, përgjërimet dhe përbetimet histerike të ministrit Gjiknuri “për ndershmëri, luftë kundër korrupsionit, drejtësi e kthim të pasurive strategjike kombëtare minerare në burim fitimi për ekonominë shqiptare”, mbasi deri sot, ai ka bërë aleancë të  heshtur e të plotë me të gjithë koncesionet mafioze në miniera e energji, duke hedhur firma për vazhdimësinë e tyre pa u prekur, paçka se ka një vendim qeverie të muajit nëntor 2013, për rishikimin dhe anulimin e gjithë koncesioneve anti-ligjore e monopoliste. Një nga këto koncesione “të zeza” është edhe shfrytëzimi i bakrit shqiptar prej një “bosi” turk, që edhe pse hiqet si “koncesionar i vetëm” është “strukturë” e një “lukunie” biznesesh turke që veprojnë në Shqipëri si “sulltanat”, pa përfillur ligjet e shtetit shqiptar dhe detyrimet kontratuale të koncesioneve që kanë marrë prej bosëve të pushtetit e politikës shqiptare në 14 vitet e fundit. Sa për kujtesë, dosja e koncesionit të bakrit është “izoluar” dhe nuk hapet që prej muajit maj 2006 me “statusin”, madje nuk po lejohet të hapet as prej ministrit Gjiknuri. Komisioni i Ekonomisë vazhdon kërkesat tek ministri Gjiknuri, por ai hesht e nuk përfill askënd. Çfarë ka Brenda dosja e koncesionit të bakrit shqiptar e cikluar me emrin e bosit turk “Dosja EROL KOHEN”?

Ministri Gjiknuri mbron aferën 30 milionë dollarë, të koncensionarit të bakrit

Dosja koncesionare e bakrit që nuk u lejua të hapet prej Gjiknurit as në nëntor 2013, as tani në nëntor 2014 e ka zanafillën në nëntor të vitit 2005, me koncesionin e bakrit në Munellë, Lak Rosh e Fushë-Arrëz, duke fshirë nga dosja gjithë detyrimet financiare dhe detyrimet e investimeve të firmës koncensionare turke të bakrit shqiptar “BER-ONER”. Me një propozim të ish-ministrit Ruli, firmosur nga ish-kryeministri Berisha, në muajin nëntor 2005, firmës turke “BER ONER” iu falën 22 milionë dollarë detyrime, normë fitimi ndaj shtetit shqiptar. Iu falën 1.8 milion dollarë energji elektrike-ujë dhe 6.2 milionë dollarë detyrime tatim-taksa si veprimtari prodhuese e përpunuese të bakrit, si dhe taksa 20% TVSH, të cilat firma duhej t’i shlyente brenda 12 muajve, sipas urdhrit të Organit Shtetëror të Autorizuar (OSHA-Ministria e Ekonomisë), me dy urdhra: Me shkresën Nr. 998 prot, datë 22.02.2005 dhe 5 muaj më vonë, me shkresën Nr. 3296 prot, datë 22. 07. 2005, nëpërmjet të cilave, koncensionari turk i bakrit shqiptar “BER ONER” detyrohej të shlyente gjithë detyrimet sipas kontratës. Në rast të kundërt, i hiqej koncensioni. Sipas ligjit shqiptar të Koncesioneve dhe Sipërmarrjeve në Ekonomi Nr.8761, datë 02.04.2001, në rast se pas 12 muajve afat paralajmërues ndaj firmës nuk plotësoheshin detyrimet (shlyerjet), atëherë vetëm 25 orë pas plotësimit të afatit, pra në datën 23.07.2005, firmës turke “BER ONER”, duhej t’i hiqej koncesioni. Por nuk iu hoq. Ky mos zbatim ligji, në shtator të vitit 2006 u bë objekt debate e akuzash ndaj Rulit, i cili mohoi publikisht me “gojë” por nuk pranoi të nxirrte letra, që ndaj firmës turke “BER ONER” ishin lëshuar urdhra-zbatimi Nr. 998 prot, datë 22.02.2005 dhe Nr.3296 prot, datë 22. 07. 2005 për heqje koncesioni dhe detyrim pagesash ndaj shtetit shqiptar. Këto urdhra ekzekutiv, të cilat kushtetueshmërisht janë ende në fuqi si “të pazbatuara”, ekzistojnë në sirtarët e ministrit Gjiknuri, i janë vënë në tavolinë ministrit Gjiknuri dhe i është kërkuar prej komisionit parlamentar të ekonomisë dhe prej sindikatave e pushtetit lokal Pukë, që “dosja e zezë” e koncesionit të bakrit të hapet e rishqyrtohet, por Gjiknuri nuk pranon, madje inkurajon publikisht koncensinarin turk e bën “orgji” me të. Nëse zbatohen këto dy urdhëra ekzekutiv të vitit 2005, firma koncensionare detyrohet të kthej në arkën e shtetit detyrimet fiskale prej 30 milion dollar. Mos zbatimi i këtyre urdhra-vendimeve zyrtare, ndaj firmës koncensionare turke “BER ONER”, dikton heqjen e menjëhershme të koncesionit të bakrit, mbasi është shkelur me 9 vjet afati i shlyerjes së detyrimeve.

Ministri, “mburojë” private për 61 milionë detyrime të pashlyera

Dy bosët e firmës koncensionare turke “BER ONER”, Hasan Berkpinar (45%) dhe Erol Kohen (55%) edhe pse detyrohen ndaj shtetit shqiptar 30 milion dollar, kanë hedhur në koshin e plehrave kontratën koncensionare dhe nuk bëjnë asnjë investim të parashikuar sipas saj. Dosja e bakrit, që nuk po hap ministri Gjiknuri, ka fakte skandaloze, fakte, të cilat ministri Gjiknuri i njeh dhe nuk vepron, madje ka urdhëruar që dosja të kalojë në “konservim”. Një nga bosët e firmës turke “BER ONER”, i quajturi Hasan Berkpinar, aksioner e këtij koncesioni me 45% dhe kryetar i bordit drejtues, ka firmosur marrëveshjen e koncesionit për bakrin, më 18 janar të vitit 2001. Në vitin 2004, Ministria e Ekonomisë, i pezulloi aktivitetin dhe ky si kryetar bordi i firmës, premtoi me shkresë zyrtare, se do të shlyente taksat, energjinë, ujin, taksën e mjedisit dhe detyrimet fiskale ndaj shtetit shqiptar dhe se, sipas kontratës, do të bënte investimet në Munellë, Lak-Rosh, Karmën dhe në fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz. Këto nuk i bëri e nuk po i bën sipas detyrimit kontratual. Në tetor 2005, “bosi” turk Hasan Berkpinar i dërgoi një kërkesë “miqësore” ministrit Ruli, me këtë tekst: “Pranoni zoti ministër, që firma “BER ONER” të kryej vetëm 1 milion dollarë investime, sepse nuk ka asnjë mundësi, që sipas kontratës të bëjë 4 milionë dollarë siç parashikon kontrata. Gjithashtu, kërkojmë nga ana Juaj si ministër, të mos njihen si të vlefshme e të shfuqizoni dy shkresat e lëshuara nga drejtuesit paraardhës të Ministrisë së Ekonomisë, përkatësisht shkresat me Nr. 998 prot, datë 22.02.2005 dhe Nr. 3296 prot, datë 22. 07. 2005, për heqje koncesioni, nëse nuk realizojmë investimet dhe nuk shlyejmë detyrimet financiare ndaj shtetit shqiptar, mbasi jemi në vështirësi ekonomike dhe Ju zoti ministër, duhet të na mirëkuptoni si person e si ministri dhe të pranoni lutjen tonë. Gjithashtu, ju bëjmë me dije, se firma jonë “BER ONER” kërkon lejen Tuaj si Ministër, që në vazhdim të prodhimit e përpunimit të bakrit, të marrim patjetër 20 mijë ton prodhim koncentrat bakri të përpunuar në vit”. Ish-ministri Ruli e pranoi dhe e miratoi këtë kërkesë te kryeministri Berisha, brenda 24 orëve. Pas kësaj pazar-kërkese të inskenuar, firma “BER ONER” vazhdoi aktivitetin për të marrë jo 20, por 30 mijë ton koncentrat bakër, duke mos bërë asnjë investim në miniera e në fabrikë, madje as asnjë investim as për kushtet e punës, si dhe duke mos paguar asnjë qindarkë detyrim në arkën e shtetit shqiptar, humbja totale e të cilave përveç 30 milion dollarëve të falur është shtuar edhe 61 milion dollarë të tjerë deri sot.

Skandalet e dosjes, që bllokohet nga ministri Gjiknuri

Ndërsa deri në tetor të vitit 2005, në zyrat e shtetit shqiptar paraqitej si “bos” i vetëm i koncesionit të bakrit shqiptar biznesmeni turk Hasan Berkpinar, aksioner me 45%, në nëntor 2005 u shfaq “bosi i ri” turk i bakrit shqiptar, biznesmeni Erol Kohen, deklaruar aksioner me 55% të koncensionit. Në një nga “fletët” e dosjes së bakrit shqiptar, thuhet se “…aksioneri turk Hasan Berkpinar, ankohet se ortaku Erol Kohen, në bashkëpunim me strukturat mafioze në Ministrinë e Ekonomisë Shqiptare dhe me njerëz të afërt të pushtetit e kishin nxjerr nga loja, duke e detyruar me presione, që t’i shiste koncesionin e bakrit, ortakut Erol Kohen”. Kjo ankesë nuk mori asnjë përgjigje nga kupola qeveritare, ndërkohë që “befasisht”, ish-aksioneri turk Hasan Berkpinar që ankohej u zhduk përfundimisht nga Shqipëria. Në muajin dhjetor 2005, ministri Genc Ruli, zhvilloi një takim me biznesin vendas e të huaj dhe aty prezantoi koncensionarin e ri turk të bakrit shqiptar Erol Kohen, si “biznesmen të fuqishëm në industrinë minerale botërore”. Në atë takim, bosin turk e përshëndeti edhe ish-kryeministri Berisha që gjendej mes bosëve të komapnive turke në Tiranë, ku shprehu vlerësim për “bosin” turk të bakrit shqiptar, madje Berisha e bëri Erol Kohen edhe pjesë të delegacionit të tij qeveritar shqiptar gjatë vizitave e takimeve në Turqi. Në datën 27 mars 2006 plasi skandali. “Bosi” turk i bakrit shqiptar Erol Kohen, u arrestua në Turqi nën akuzën e “vrasjes mafioze me pagesë, të ish-ortakut të mermerit, inxhinierit 27 vjeçar, Serkan Şahin”. Pas 3 muajsh “arrest me burg”, koncensionari Erol Kohen u lirua me përcaktimin: “Hetimet vazhdojnë në arrest shtëpie” me afat 2 muaj. Drejtësia dhe Shteti Turk, i dërguan një dosje të plotë, me kërkesën për “verfikim veprimtarie dhe një akt-pezullimi të aktivitetit të tij në industrinë e bakrit në Shqipëri, deri në përfundim të hetimeve”. Kjo dosje dhe ky akt verifikimi e pezullimi, i kërkuar prej drejtësisë dhe Shtetit Turk, jo vetëm që nuk u zbatuan, por çuditërisht, vetëm 32 ditë pas mbërritjes, protokollimit dhe futjes në dosjen koncensionare … u zhduk nga dosja e ministrisë, por gjendet tashmë në tavolinën e ministrit Gjiknuri, i cili nuk pranon ta bëj objekt shqyrtimi sipas detyrimit si ministër dhe si detyrim prej ligjit shqiptar! Ai vazhdon koncesionin normalisht e jashtë çdo kontrolli prej ministrisë AKBN, prej “Gjiknuri”, duke u pajisur me “akte kontrolli” me letra fiktive. Në këtë dosje penale, të ardhur nga drejtësia dhe shteti turk, njoftohej qeveria shqiptare, se shtetasi Erol Kohen, pronar koncesioni bakri në Shqipëri, gjendet në akuzë të plotë për krimin e vrasjes së ortakut të tij, dënuar si masë paraprake me 2 muaj “arrest shtëpie” në Turqi dhe ndalohet hyrja e tij në Shqipëri, si person me rrezikshmëri të lartë”.

Gazeta  turke “Milliyet”, datë 27. 03. 2006: Arrestohet për vrasje, bosi i minierave Erol Kohen

 Janë arrestuar 22 persona në lidhje me vrasjen e rekordmenit të tatimeve të Diyarbakır’it, Serkan Şahin 27 vjeç. Mes personave te arrestuar, gjendet dhe ortaku i Şahin, që merret me minierat Erol Kohen si dhe biznesmeni Ahmet Yakut. Mendohet, që vrasja të jetë kryer për arsye se inxhinieri i ndërtimit Şahin, nuk kishte pranuar të dorëzonte kompaninë e tij minerare qe zotëronte. Şahin, i cili u vra me 6 Shkurt 2005 në një sulm me armë ishte ortaku me 50 % të aksioneve, i kompanisë minerare “BERŞAH”, që zoteronte leje kërkimi dhe shfrytëzimi. Aksioneri kryesor i kompanisë “Ber-Oner Madencilik” që ishte ortaku i Şahin, është Erol Kohen. Sipas të dhënave, Şahin ishte kërcënuar në mënyrë që të jepte dorëheqje nga kompania e tij. Por Şahin nuk pranoi të jepte dorëheqje. Pas një fare kohe, u vra nga një breshëri plumbash përpara shtëpisë së tij në Maltepe. Policia, dje filloi një operacion në lidhje me të dyshuarit. Janë arrestuar 22 persona, mes të cilëve ndodhet dhe ortaku i tij Erol Kohen. Ndërmjet të arrestuarve, ndodhet dhe Abdül Hafız Aslan, i cili mendohet të jete personi që ka kryer ekzekutimin e Şahin. Nga përgjimi i telefonatave, rezulton se Erol Kohen ka paguar familjen Yakut me 250.000 dollarë, të cilat i janë dhënë Aslan. Mes të arrestuarve ndodhet dhe djali i biznesmenit Ahmet Yakut, Engin Yakut, i cili akuzohet për bashkëpunim në kërcënimin e Şahin. Ndërmjet të arrestuarve spikat fakti, që Engin Yakut është avokat dhe ka shoqëri me avokatin Murat Aksu, i cili është djali i Ministrit të Punëve te Brendshme, zotit Abdülkadir Aksu. Sipas akuzave në dosje, Erol Kohen, për të shpëtuar nga ortaku, viktima Serkan Şahin, i cili nuk pranonte të dorëzonte aksionet e tij, ka bashkëpunuar me Ahmet Yakut. Policia ka marrë në pyetje Engin Yakut dhe Kohen si të paditur në lidhje me vrasjen e Şahin. Biznesmeni Ahmet Yakut është një nga emrat që njihet nga mediat turke. Së bashku me djalin e tij, janë dënuar nga Gjykata Nr.2 e Krimeve te Rënda në Stamboll, për arsye se kanë djegur spitalin “Plemdes” në Stamboll Arnavutköy, me qëllim që të përfitonin pagesa nga siguracionet. Emri “Yakut”, doli ne pah para pak kohësh, kur preu pemët e mëdha të okaliptusit në parkun “Yalıkavak” në Bodrum te Muğla, për të ndërtuar 12 vila, në tokën e blerë 1 milion dollar”.

Kush e mbron koncensionarin e bakrit shqiptar?

Pretendohet që Erol Kohen bën biznes me paratë e disa biznesmenëve çifutë dhe për një periudhë 5 vjeçare, ka bashkëpunuar me një nga ish deputetet e MHP-se Ali Rıza Müftüoğlu në Turqi. Një anije e Erol Kohen, u bllokua pak kohë më parë për kontrabandë “mister”, por pretendohet se me ndërhyrjen e disa politikanëve turq e shqiptarë, ka arritur zhbllokimin e anijes. Gjithashtu, mendohet se Erol Kohen, mbrohet dhe financohet fuqishëm, nga kompania e sigurimit, të njërit prej ish-drejtuesve të SHISH-it shqiptar!

Përparim HALILI