Gjiknuri ka “rilindur” koncesionin e firmës “San Leon Durrësi B.V.”

677
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, i detyruara prej plasjes së skandalit mjedisor e koncesionar të nxjerrjes së naftës në detin e Durrësit prej firmës fantazmë me emrin “San Leon Durrësi B.V.”, ka shpejtuar të dalë dje me një deklaratë zyrtare, për të fshehur skandalin dhe për të mbrojtur interesat zhvatëse të koncesionarit me 13 emra, tashmë me emrin “San Leon Durrësi B.V.”, që është futur si “peshkaqen” me sonda e fuçi nafte në detin e Durrësit qysh në vitin 2004 dhe po zhvat naftë, duke përdorur një licencë antikushtetuese për nga e drejta e marrjes së naftës shqiptare dhe totalisht korruptive për nga përmbajtja e kontratës, duke i dhënë kësaj firme fantazmë me 13 emra, të drejtën për të përfituar pa asnjë detyrim fiskal e në masën 100% prodhimin e naftës shqiptare që nxjerr në detin shqiptar, madje edhe me të drejtën për ta shitur në tregjet e botës e për ta futur dhe në tregun shqiptar me çmim të diktuar. Ministri me veprimtari korruprtive “mazut”, pazarxhiu i licencave dhe menaxheri i koncesioneve anti-ligjore e abuzive që nuk anulohen prej tij, përkundrazi edhe që rinovohen, ka deklaruar dje nga “kulla”” e qeverisë dhe në emër të qeverisë, se firma “San Leon Durrësi B.V.” paska pasur të drejtën të kërkoj e të nxjerr naftë edhe në tokë, ndaj dhe është lejuar të zaptoj edhe zonën e Zvërnecit në Vlorë! Po cila është firma “San Leon Durrësi B.V.”? A ka kjo firmë, dosje koncesionare në arkivat e ministrisë “Gjiknuri”? Ku gjendet kjo dosje koncesionare? Kush dhe përse e nxori këtë dosje pikërisht tani, pas 1 viti zhdukje prej arkivës së ministrisë “Gjiknuri”? 
Firma “San Leon Durrësi B.V.” ka bekues, mbrojtës dhe menaxher… ministrin Gjiknuri
Pazarin e radhës të firmës “San Leon Durrësi B.V.”me lejen për shpim, kërkim dhe prodhim nafte e nënproduktesh të saj edhe në Zvërnec të Vlorës, e ka bërë ministri Gjiknuri, natyrisht edhe me viston e atyre që i diktojnë vendimet. Sipas “dosjes së re” të “rilindur” të firmës “San Leon Durrësi B.V.”, të firmosur së fundi prej ministrit Gjiknuri, kjo firmë është pajisur me kontratën koncesionare për shpim, kërkim e nxjerrje të naftës në detin e Durrësit dhe në çdo zonë të Shqipërisë, në tokë e në det, në lumenj e përrenj, mjafton që firma “San Leon Durrësi B.V.” të ketë dëshirë të kërkoj e të prodhoj naftë. Është fjala për kontratën antikushtetuese, të lidhur mes Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe Kompanisë “San Leon Durrësi B.V.”, licensuar në mënyrë të mistershme për aktivitet kërkimi dhe nxjerrje hidrokarburesh për bllokun “Durrësi” (në det) (kryesisht naftë). Kjo kontratë është nënshkruar në datën 16. 07. 2013, mbështetur në VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, firmosur nga ish-ministri Florion Mima në emër të qeverisë shqiptare dhe nga Ervin Lula, në emër të kompanisë së huaj “San Leon Durrësi B.V.”. Lidhur me aktivitetin e kësaj firme, në gazetën “Telegraf” erdhi një informacion, që denonconte faktin, se Ministri i Energjisë, i babëzituri Damian Gjiknuri, në mënyrë të paligjshme po lejon vazhdimin e zbatimit të kësaj kontrate kërkimesh në detin e Durrësit dhe ka firmosur shtesë kontrate edhe për shpime në Zvërnec të Vlorës, në Sarandë, Ballsh, Fier, Lushnjë, Divjakë, Kuçovë, Berat, Fier etj, duke u bërë pjesë e një kompanie tjetër të huaj që shpon dhe nxjerr naftë në Shqipëri e që së fundi ka pasur probleme me komunitetin dhe me shtetin e drejtësinë shqiptare, për lidhjet e të cilës me firmën mafioze “San Leon Durrësi B.V.” dhe me ministrin pazarxhi Gjiknuri, do të flasim në vijim. 
Ministri Gjiknuri ka mbajtur në aktivitet kontratën e “San Leon Durrësi B.V.”, ka shtuar kontratën për Zvërnecin
Ka një fakt: ekspertët e sektorit të naftës, i kanë kërkuar Ministrit Gjiknuri të anulojë plotësisht kontratën koncesionare të firmës “San Leon Durrësi B.V.”, siç kishte deklaruar në 17 tetor 2013, se “do ta zhbënte si kontratë mafioze e anti-kushtetuese, që po zhvat pasuritë kombëtare me koncesion kriminal”. Kur bëri deklaratën, ministri Gjiknuri publikoi fakte skandaloze nga veprimtaria mafioze e firmës “San Leon Durrësi B.V.”. Sipas raportit të ministrit Gjiknuri, të datës 21 tetor 2013, depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, denoncohej fakti që firma “San Leon Durrësi B.V.” është një emër fals dhe me këtë emër, me firmë e vulë të Ministrisë së Energjisë, që prej 16 korrikut 2013, kjo kompani “sigël” e “logo” fiktive, ushtron aktivitet kërkimi e prodhimi hidrokarburesh me bazë naftën në detin e Durrësit e në vendburime të tjera tokësore, duke shërbyer si një “mbulesë” e veprimtarisë mafioze të kompanisë së përbashkët “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”. Kjo firmë, pas korrikut të vitit 2013, bërë sikur ka hequr dorë nga ky koncesion hidrokarburesh në detin e Durrësit dhe ia ka kaluar licencën kompanisë “San Leon Durrësi B.V.” e cila në fakt, nuk është firmë tjetër por filial “bijë” e kompanisë “Island International Exploration B.V. dhe “Beach Energy Limited”. Ministri Gjiknuri, si pazarxhi i zhytur në këtë gropë “mazuti” korruptiv të këtij koncesioni, paçka se bëri denoncim në prokurori, nuk nisi asnjë proces verifikimi të dosjes së këtij koncesioni, duke lënë atë të veprojë lirshëm, sipas kontratës anti-ligjore, të nënshkruar në vitin 2004 e të rinovuar në vitin 2013. Sipas burimeve tona, Ministri Gjiknuri, jo vetëm nuk e ndal këtë koncesion, por ka urdhëruar që kompanisë “San Leon Durrësi B.V.”, t’i rinovohet kontrata formalisht, duke ia paraqitur Kryeministrit Rama, si “një koncension të suksesshëm e ligjor, korrekt me detyrimet ndaj shtetit në çdo drejtim”. Në fakt, nëse hapet dosja e këtij koncesioni që nga tatimet, doganat e deri n/kontraktorët, rezulton se “San Leon Durrësi B.V.” është një firmë me aktivitet problematik. Troç, ky koncesion është një dosje mafioze koncesionare, që po zhvat naftën në detin e Durrësit e së fundi me lejen e “kumbarit” Gjiknuri i është vërsulur naftës së Zvërnecit. 
——————————————–

Ja 4 pyetje, në lidhje me “pisllëkun” e koncensionit “San Leon Durrësi B.V.”, që rinovoi Gjiknuri
Kontrata e re koncesionare, lidhur mes Ministrisë së Energjisë dhe kompanisë “San Leon Durrësi B.V.”, në datën 16. 07. 2013, me VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, ndryshoi kushtet e kontratës që kishte lidhur me kompaninë “Island International Exploration B.V.&Beach Energy Limited” më 27 maj 2004, për kërkim-nxjerrje hidrokarbure në detin e Durrësit. Kontrata e vitit 2013, parashikon një “shtesë të dytë” për përcaktim të drejtash të rritjes së përqindjes së fitimit për kompaninë dhe transaksione të lira me interesat e koncesionit. 
1. Çfarë ka ndodhur me VKM e dytë? Përse është zhdukur kontrata, nga ministri Gjiknuri? 
2. Cili është roli që po luan Ministri Gjiknuri në këtë koncesion mafioz? 
3. Pse, pas 9 vitesh aktivitet të “suksesshëm” u tërhoq firma “Island International Exploration B.V.”&Beach Energy Limited”? 
4. Si dhe përse u shfaq brenda ditës firma “San Leon Durrësi B.V.” si zvendëuese e firmës “Island International Exploration B.V”&”Beach Energy Limited” dhe kush ia ricikloi, aktivitetin antiligjor të koncesnionit të hidrokarbureve në detin e Durrësit? 
Ja 9 fakte skandali, që ndodhen në dosjen e rinovuar prej ministrit Gjiknuri
1. Në datën 27 maj 2004 është lidhur kontrata koncensionare me ndarje prodhimi mes qeverisë shqiptare dhe kontraktorit “Adriatic Sea Exploration GmbH&Lundin Netherlands BV”, miratuar me VKM Nr. 562, datë 27 gusht 2004, kontratë e cila ka hyrë në fuqi brenda ditës, po më 27 gusht 2004. 
2. Ajo që bie në sy është sheklja, që në kontrata të tilla koncensioanre, del filimisht VKM, pastaj lidhet kontrata, ndërsa në rastin konkret është lidhur kontrata, pastaj ka dalë VKM! 
3. Pas 6 vitesh, konkretisht në datën 7 shtator 2010, në vijim të kësaj kontrate është lidhur marrëveshja shtesë ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe kontraktorit “Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited”, por pasi kjo kompani që ka ndryshuar KNP-në. Këtë ndryshim ia ka miratuar brenda ditës qeveria shqiptare, me VKM Nr. 42, datë 12 janar 2011, duke nisur zbatimi më 31 janar 2011. Këtu ka nisur dhe pazari. 
4. Në datën 27 maj 2004, ditën e nënshkrimit të kontratës mes palëve, me urdhër të ministrisë, AKBN ka bërë një letër me Nr. prot. 596, me të cilën miraton transferimin e 50% të interesave të fitimit në bllokun e kërkim-nxjerrjes në detin e Durrësit, nga OMV-ja (shqiptare) “Adriatic Sea Exploration GmbH”, tek kompania “Island Rockall JV Limited”. Ky njoftim transferimi zyrtar e faktik është bërë në datën 28 shtator 2007. 
5. Pas 33 ditësh, të transferimit të 50% interesave shqiptare tek kompania e huaj, konkretisht në 31 tetor 2007, kompania përfituese “Island Rockall JV Limited”, i transefron këto interesa tek kompania “Island International Exploration BV”. Dhe loja ka vazhduar. 
6. Kompania që iu transferuan interesat “Island International Exploration BV” në datën 31 tetor 2007, po brenda datës 31 tetor 2007, i transferon 50% interesat te kompania “Lundin Netherland BV” dhe kjo përsëri i transferon po brenda ditës tek kompania që ia transferoi, tek “Island International Exploration BV”. Dhe loja vazhdon. 
7. Me një letër miratimi, datë 11 mars 2008, Nr. prot. 525, me urdhër të ministrit Genc Ruli, AKBN lejon transferimin e 25% të interesave hidrokarbure në bllokun e detit të Durrësit nga kompania “Island International Exploration BV”. (Aktualisht firma “San Leon Durrësi B.V.”), por me qëllim, që ky transferim 25% interesa, të realizohej në datën 13 shtator 2011 te kompania “Beach Petroleum Limited” e cila sipas njoftimit të datës 11 janar 2010, do të ndryshonte emrin në “Beach Energy Limited”. 
7. Në datën 16 shkurt 2012, në urdhërin Nr. prot. 1150, ministria miraton transferimin e 25% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga “Beach Energy Limited te San Leon”, tek “San Leon Durrësi B.V.”. 
8. Në argumentet e VKM Nr. 588, datë 30. 05. 2013, me shpjegimin: “Kontraktori ka të drejtën ekskluzive të kryejë operacione hidrokarbure në Zonën e Kontratës”. 
9. Por VKM, nuk ka përfillur faktin, që sipas Nenit 31.10 të kontratës koncesionare, që përcakton: “Asnjë ndryshim i përcaktimeve të kontratës nuk do të jetë efektiv, nëse nuk përmbushet afati kontratës, që në këtë rast është 35 vjet”.
————————————————
Ja 7 ndryshimet që iu bënë kontratës koncesionare “San Leon Durrësi B.V.”
Po citojmë pa asnjë ndryshim, pjesën e marrëveshjes, për ndryshimin paligjshmëm të kontratës, bërë në datën 16.07.2013 prej Ministrisë së Energjisë, në favor të firmës “San Leon Durrësi B.V.”, me këtë pazar mes palëve: “Duke marrë parasysh kushtet paraprake dhe marrëveshjet reciproke, palët bien dakord për të ndryshuar disa nga dispozitat e parashikuara në KNP (kontrata) për kërkimin dhe prodhimin e naftës në bllokun e “Durrësit” (në det) në Republikën e Shqipërisë.
1. Në Nenin 1, përkufizimi “Kontraktor” i parashikuar në paragrafin 1.18, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Kontraktor” do të thotë “San Leon Durrësi B.V.” së bashku me pasardhësit e tij ose përfituesit e interesave përkatëse, të miratuar në përputhje me nenin 21″.
2. Përkufizimi “Periudha e Dytë e Kërkimeve” e parashikuar në paragrafin 1.48, zëvendësohet me përkufizimin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimeve”, do të thotë një periudhë prej 2 (dy) vitesh kontraktore nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, së bashku me çdo zgjatje afati të kësaj periudhe, sikurse parashikuar në këtë kontratë.”
3. Përkufizimi “Periudha e Tretë e Kërkimeve” e parashikuar në nenin 1.49, shfuqizohet.
4. Në Nenin 2, paragrafi 2.9 zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Interesat pjesëmarrëse të shoqërive janë si më poshtë: San Leon Durrësi B.V. 100%.”.
5. Në Nenin 3, shtohet paragrafi 3.9 në vijim: “Palët bien dakord që periudha midis 30 janarit 2012 dhe datës së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së dytë, do të konsiderohet si “Periudhë Pezullimi” dhe të gjitha detyrimet e parashikuara nga kontrata e ndryshuar me marrëveshje, për këtë periudhë, konsiderohen të pezulluara.”
6. Në Nenin 5, paragrafi 5.2.2, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “San Leon Durrësi B.V.” përcaktohet si operator.”.
7. Në Nenin 7, pika 6.7 (ii) e kontratës, zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Periudha e Dytë e Kërkimit: shpim i 2 (dy) puseve”. Paragrafi 6.7 (iii) i kontratës shfuqizohet. 
————————————————
Gjiknuri zhduk nga dosja, faktin që emri “San Leon Energy PLC”, është emri i 13 fals i i firmës “San Leon Durrësi B.V.”
Firma mafioze “San Leon Durrësi B.V.”, lejuar dhe mbrojtur nga ministri Gjiknuri, po vjedh 100% naftën në detin e Durrësit e së fundi i është vërsulur edhe Zvërnecit po me lejen mbrojtjen e Gjiknurit. Kjo kompani, ardhur në Shqipëri në vitin 2004 me emrin “San Leon Energy PLC”, është një kompani fantazmë, vetëm si sigël emërtese e cila vepron në Durrës, duke kërkuar e nxjerr naftë në det, pa pasur asnjë të dhënë se nga vjen! Nuk dihet se çfarë firme është. Nuk dihet se sa i ka kapitalet. Nuk dihet se sa punëtorë ka. Nuk dihet veprimtaria konkrete në 13 shtete që ka vepruar. Nuk ka dosje shoqëruese në kontratën koncesionare të firmosur nga shteti shqiptar e të rifreskuar edhe nga ministri Gjiknuri. Nuk dihet se çfarë emri real ka. Nuk dihet se cilët janë pronarët ligjor të firmës. Nuk dihet se çfarë bilancesh prodhimi e shpim-kërkimi ka në Shqipëri. Nuk dihet, se sa e ka detyrimin fiskal në tatime, dogana, në mjedis, në përqindje aksioni me shtetin shqiptar. Nuk dihet, se ku e çon natën që nxjerr në detin e Durrësit. Por dihet, që emri “San Leon Energy” PLC” nuk është “San Leon Durrësi B.V.”, por “maskë” e një firme tjetër, që ka ndryshuar emrin fillestar, pas marrjes së licencës së koncesionit për naftën në detin e Durrësit. Firma që fshihet pas emrit “San Leon Energy” PLC”, nuk ka shlyer detyrimin koncesionar dhe detyrimin fiskal ndaj shtetit shqiptarë në vlerën 213 milionë dollarë. Në pazar të pisët me ministrin Gjiknuri, firma ndryshoi emrin dhe vazhdoi koncesionin me emrin “San Leon Energy” PLC” e cila sipas dosjes që gjendet në prokurorinë shqiptare, rezulton të jetë vetëm një copë tabelë emërtese, mbasi në fakt, firmë nafte me këtë emër, nuk ekziston në asnjë shtet të botës. Kujtojmë që ndryshimi i dytë emrit u bë në datën 30 tetor 2013, kur “San Leon Energy PLC”, njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje të re, të amenduar me shtetin shqiptar, me ndarje prodhimi për bllokun e naftës së detit të Durrësit, duke marrë 100 për qind të aksioneve të këtij koncesioni, ndërsa shteti me dëshirën e tij “nuk do” përqindje në aksione në këtë aktivitet. Ky ndryshim antiligjor, me përmbajtje të plotë krim ekonomik-financiar në dëm të shtetit shqiptar, u nënshkrua nga ministri Gjiknuri dhe Drejtori Ekzekutiv i kompanisë “San Leon Energy” PLC”, një individ anonim që është prezantuar vetëm ditën që hodhi firmën në kontratë dhe nuk duket, por që thuhet se sipas letrave e ka emrin “Oisin Fanning”.
Ja pazaret që ka miratuar shteti shqiptar, për tjetërsimet e kapitaleve prej “San Leon Durrësi B.V.”
“Kjo marrëveshje hidrokarbure shtesë e dytë (në vijim “MHS” e dytë), lidhet ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore të Republikës së Shqipërisë (në vijim “AKBN”) dhe San Leon Durrësi B.V. (në vijim “San Leon”) është bërë dhe pranuar në datën 16.7.2013. Në vijim, San Leon do të referohet si “Kontraktori”, gjithashtu, AKBN-ja dhe Kontraktori në vijim do të referohen si “Palët”. Duke pasur parasysh se, më 27 maj 2004 është lidhur kontrata me ndarje prodhimi ndërmjet AKBN-së (ish-NPA) dhe Kontraktorit (ish-OMV-ja (shqiptare) Adriatic Sea Exploration GmbH dhe Lundin Netherlands BV), e cila është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 562, me datë 27 gusht 2004 dhe hyn në fuqi më 27 gusht 2004 (në vijim KNP); dhe se më 7 shtator 2010 është lidhur marrëveshja hidrokarbure shtesë ndërmjet AKBN-së dhe Kontraktorit (ish-Island International Exploration B.V. dhe Beach Energy Limited), që ka ndryshuar KNP-në, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 42, me datë 12 janar 2011 dhe hyn në fuqi më 31 janar 2011 (në vijim “MHS”); dhe Duke pasur parasysh: i) letrën e AKBN-së me datë 27 maj 2004 dhe nr. prot. 596, që miraton transferimin e 50% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga OMV-ja (shqiptare). “Adriatic Sea Exploration GmbH tek Island Rockall JV Limited””; ii) njoftimin e transferimit me datë 28 shtator 2007 për transferimin e 50% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga Island Rockall JV Limited tek Island International Exploration BV; iii) njoftimin e transferimit me datë 31 tetor 2007 për transferimin e 50% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga Lundin Netherland BV tek Island International Exploration BV; iv) letrën e AKBN-së me datë 11 mars 2008 dhe nr. prot. 525, që miraton transferimin e 25% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga Island International Exploration BV (aktualisht San Leon Durrësi B.V., pas ndryshimit të emrit më 13 shtator 2011) te Beach Petroleum Limited, që sipas njoftimit me datë 11 janar 2010 ndryshon emrin në Beach Energy Limited; dhe v) letrën e AKBN-së me datë 16 shkurt 2012 dhe nr. prot. 1150, që miraton transferimin e 25% të interesave në bllokun e Durrësit (në det) nga Beach Energy Limited, te San Leon. Paragrafi 2.9 KNP (ndryshuar nga MHS) zëvendësohet me paragrafin në vijim: “Interesat pjesëmarrëse të shoqërive janë si më poshtë: San Leon Durrësi B.V. 100%.”.
DY VKM QË FAVORIZOJNË VJEDHJEN PREJ FIRMËS “SAN LEON ENERGY” PLC”
VENDIM I KM NR. 383, DATË 6.6.2012 
“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME NDARJE PRODHIMI PËR KËRKIMIN, ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË DET NË SHQIPËRI, BLLOQET 2, 3 DHE 4 TË ADRIATIKUT, NDËRMJET “ALBPETROL”, SHA-SË, DHE SHOQËRISË “EMANUELLE ADRIATIC ENERGY LIMITED” 
Në mbështetje të pikës 2 të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13 të ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave 3206 VENDOSI: 
1. Miratimin e marrëveshjes me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në det në Shqipëri, blloqet 2, 3 dhe 4 të Adriatikut, ndërmjet “Albpetrol”, sh.a.-së dhe shoqërisë “Emanuelle Adriatic Energy Limited”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
2. Ngarkohet Minstria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
KRYEMINISTRI 
Sali Berisha
VENDIM NR. 588, DATË 30.5.2013
“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES HIDROKARBURE, SHTESA E DYTË E MARRËVESHJES ME NDARJE PRODHIMI, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA KOMBËTARE E BURIMEVE NATYRORE (AKBN) DHE SAN LEON DURRËSI B.V., PËR BLLOKUN “DURRËSI” (NË DET), SHQIPËRI Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13 të ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Miratimin e marrëveshjes hidrokarbure, shtesa e dytë e marrëveshjes me ndarje prodhimi, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe San Leon Durrësi B.V., për bllokun “Durrësi” (në det), Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Sigal