Gjeto Vocaj: “Dekoracioni” i Tiranës dhe dekorimi i Xhelatëve

582
Ndërtimi i bunkerit nr.700.001 sot në qendër të kryeqytetit dhe dekorimi i fundit i disa xhelatëve të sigurimit të shtetit, që kanë lyer duart me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, nga Kryeministri i vendit, që nuk na sjell aspak aromën e rilindjes por, erën ogurzeze të ringjalljes të asaj të keqe të hidhur që shqiptarët e rrezuan dhe e shkelën me këmbë 25 vite më parë. Nëse Kryeministri do justifikohej se atë bunker e bëri që të mbetej për kujtesë historike, do t’i thoshim se po ta hante ky merak, ai e ka pasur shumë më të thjesht që të zgjidhte për ekspozim bunkerë të mbetur kudo nëpër Shqipëri, të rrethoheshin disa prej tyre në vende të përshtatshme dhe të mbaheshin për kujtesë historike, por kurrën e kurrës të ndërtohej një tjetër i ri i panevojshëm, i cili duke mos qenë origjinal nuk do t’i shërbente kujtesës për brezat e rinj. Dihet se një bunker i ndërtuar sot si imitim i një prej të vërteti, nuk mund të kishte kurrë për vizitorin efektin që lidhej me kujtesën e asaj të kaluare të zezë. Nëse ne, për shembull, do të dispononin shpatën origjinale të Heroit Kombëtar Skënderbeut, pse duhej të vendosim në muze një imitim të saj?! Ai bunker aty po të qëndronte, do emërtohej si bunkeri i Edi Ramës për tu dalluar nga 700.000 bunkerët e Enver Hoxhës dhe asgjë më tepër se kaq. 

Është vërtet për tu çuditur se si ju shkrep në kokë këtij Kryeministri që shifrës marramendëse të 700.000 bunkerëve ti shtonte edhe një plus, duke e vendosur si një çiban në qendër, nën hijen e një institucioni të shtetit demokratik. Ky njeri që ankohet natë e ditë për gropën financiare të trashëguar, sa me lehtësi e për hiç gjë i ka hedhur në gropë lekët e taksapaguesve, kur ato mund te shkonin për shembull për të zbutur disi varfërinë e tejskajshme të dhjetëra familjeve shqiptare në mjerim të plotë. Të parët që dhanë mesazh pas mesazhi se ndërtimi i atij objekti të neveritshëm, të panevojshëm në atë vend, ishte një gabim i pafalshëm, një ogur i keq, një imitim i kot dhe i shëmtuar i së kaluarës së hidhur, një karshillëk kapriçoz dhe fyes por, edhe një shpenzim i kot dhe i pa vend e pa kriter. Ishin të përndjekurit politik por, ato mesazhe të njëpasnjëshme, nuk u përfillën, ranë në vesh të shurdhër. Kryeministri i ynë me një kryefortësi dhe mendjemadhësi, por edhe me arrogancën e një kryepushtetari, nuk deshi ti dëgjonte dhe ti vlerësonte ato. 

Pa dyshim kjo pasi nuk e pati kurajën të tërhiqej, duke e anuluar atë ndërtim. Sigurish ky anulim nuk do të ishte aspak turp, përkundrazi. Do të mjaftonte vetëm shqetësimi i ish- të përndjekurve politikë për atë objekt për të menduar se aty kishte diçka që nuk shkonte dhe për ti vënë gishtin kokës…U desh që vala e revoltës popullore të bashkohej me idenë e shkëlqyer të ish-përndjekurve politikë dhe më 8 Dhjetor (përvjetori i lëvizjes studentore) të realizonte shembjen simbolike të asaj kupole thuajse të turpshme, ku sigurish do të ishte ideale që të mos thyhej as edhe një xham i vetëm. Akti i asaj shembje simbolike ka ngjallur entuziazmin e shumicës së këtij populli i cili vuajti kaq gjatë nga ato që mbollën të keqen në këtë vend se bashku me 700.000 bunkerët e tyre, por mesa duket, marrëzia vazhdon në anën e pushtetarëve sepse siç shihet në vend që ti vinin gishtin kokës dhe të mësonin nga ky rast, nga ky ndëshkim popullor, filluan të bënin llogaritjen e dëmeve për akuzë, arrestime të demonstruesve dhe ndjekje penale për Kryetarin e Shoqatës së ish-përndjekurve politik Besim Ndregjoni e të tjerë, një turp i vërtetë. Pushtetar, mos e vazhdoni marrëzinë duke u marrë me ndëshkimin e këtyre njerëzve të nderuar që na hoqën atë çiban turpi, por largoni vete atë që ka mbetur nga bunkeri dhe jepni fund asaj historie. 

Më 14 Janar 1990 u bë tentativa e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër. Grupi organizator u arrestua një natë më parë, dhe si kundërveprim, shkodranët zhvilluan një demonstratë të heshtur rreth bustit dhe kjo mjaftoi që Ramiz Alia të jepte urdhër për heqjen e tij në errësirën e natës. E dhashë këtë shembull për t’i kujtuar Kryeministrit Rama se në këto raste duhet kujdes, ja edhe një udhëheqës diktator si Ramiz Alia, e pa të udhës që nuk i bihet murit me kokë, pra Kryeministër mos u trego i pandjeshëm dhe kokëfortë përpara kërkesave të ish të përndjekurve politik për heqjen e bunkerit. Ajo që ka shqetësuar dhe indinjuar edhe më shumë shtresat e popullsisë shqiptare për të mos thënë gjithë popullin, kohët e fundit ka qenë një vendim i praptë i qeverisë që ka tronditur jo vetëm shqiptarët por edhe opinionin ndërkombëtar, dekorimi i disa xhelatëve të tmerrshëm të diktaturës komuniste. Këtë nuk e prisnim kurrë. Kryeministër, a nuk keni pasur punë tjetër në vend që të merreni me ngacmimin e plagëve tona akoma të pashëruara?! Xhelatët aty i kemi pasur, por fisnikëria e viktimave të tyre nuk tentoi hakmarrje, nuk pranoi të binte në pozitat e tyre të ulëta, ndonëse asnjë prej xhelatëve nuk e pati kurajën që të paktën të kërkonte falje. Në këto kushte, pa e vrarë mendjen ju vendosët t’iu zbukuronit gjoksin me dekorata. A nuk ju duket edhe juve që kjo i kalon kufijtë e një marrëzie?! Lista e juaj kishte jo një, apo dy që mund të justifikohej si lapsus, por një numër të madh prej atyre që vërtetë mund të kenë marrë pjesë në luftë kundër okupatorit, por më vonë, gjatë gjithë jetës se tyre u shndërruan në vegla të ndyra, të fëlliqura dhe të urryera të diktaturës më të egër në Europë që nuk la gjë pa bërë në kurriz të shqiptarëve të pafajshëm dhe të ndershëm. Ata përdorën metodat aziatike të torturës (sovjetike, kineze) duke i shtuar edhe ato alla shqiptarçe mbi kurrizin e njerëzve më të mirë, të ditur dhe të ndershëm të këtij vendi. 

Disa dhe jo pak nga këto që ju po i dekoroni, pasi kanë shfryrë të gjithë dufin shtazarak mbi viktimat e tyre të lidhur në hekura, këmbë e duar, i kanë vrarë pa mëshirë dhe sot heshtin. Nuk duan në asnjë mënyrë të tregojnë se ku i kanë mbuluar me gurë e me dhe, në mënyrë që familjarët e viktimave të mundësonin rivarrimin dinjnitoz të tyre. Edhe unë që po shkruaj këto rreshta, kam pasur hetues një nga ata të listës tuaj që keni dekoruar. Shyqyri Çoku, për të cilin nuk dua të zgjatem këtu, sepse ato që kisha për të, i kam paraqitur në hollës në librin “Takim Fatal me Diktatorin”. Para disa kohësh kam marrë një letër nga një nga figurat më të ndritura të kombit tonë Sami Repishti, ndonëse nuk njiheshim. Ai sapo kishte lexuar librin, më dërgoi me postë nga SH.B.A atë letër për të cilën e falënderoj përzemërsisht ku më shkruan jo pak për hetuesin e përbashkët Shyqyri Çokun, duke e paraqitur atë si një njëri të pashpirt, përbindësh, një xhelat i vërtet i cili e ka torturuar të madhin Sami Repishti për një vit rresht në hetuesi në mënyrën më shtazarake. Mjafton dëshmia e këtij njeriu të nderuar i cili ka sjellë gjithë ato dëshmi të gjalla të persekucionit komunist që i ka vuajtur vetë në kurriz, po edhe shumë e shumë dëshmi të tjera për ta çuar Shyqyri Çokun dhe shokët e tij përpara drejtësisë për bëmat e tyre, të cilat kanë filluar që në vitet e para të komunizmit deri në rënien e tij. 

Shkodranët do ta bënin këtë Kryeministër, por do të ishte një turp i madh për ju dhe qeverinë tuaj që Shyqyri Çoku ose ndonjë tjetër të dilte para trupit gjykues, krenar me medaljen tuaj në gjoks. Shyqyri Çoku e të tjerë si këto nuk mund të justifikohen para trupit gjykues siç bëri super servili i regjimit, krimineli Aranit Çela që e kaloi paq duke thënë se kishte zbatuar ligjin e kohës. Jo, ata kanë shkelur pikërisht ligjin e vet të shkruar formalisht për opinionin ndërkombëtar se gjoja ndalohej tortura, ndonëse dihet që orientimet orale ishin për tortura pa kufi.”Zbukurimi i Tiranës” me një bunker të ri në qendër dhe dekorimi i disa xhelatëve me duar të përgjakura, nga qeveria Rama veç të tjerave inkurajon nostalgjikët e diktaturës të na bëjnë karshillëk duke u shfaqur gjithnjë e më shpesh me portretin e diktatorit në dorë. Dua ta mbyllim me një pyetje për Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit të cilët ky popull fukara i paguan me rroga të majme që të na shërbejnë mirë dhe të na drejtojnë nga përparimi dhe jo të shmangen në rrugën e djallit: Çdo të ndodhte sikur në qendër të Berlinit të shfaqej një turmë njerëzish me portretin e Hitlerit?! Pra të jeni të sigurtë, se Enver Hoxha ishte më Hitler, se vetë Hitleri për popullin dhe bashkëpunëtorët e vet.
Sigal