Gjermania “përzë” emigrantët dhe azilkërkuesit. Greqia thjeshton procedurat e nënshtetësisë, ja kriteret e reja

690
Sigal

Qeveria vendos ekstradimin e refugjatëve në shtetet e tjera të BE-së, prej nga kanë ardhur

Gjermania “përzë” emigrantët dhe azilkërkuesit

Gjykatësit e gjykatës në Luksemburg vendosën të martën që sistemet e dobëta të mbështetjes sociale dhe kushtet e jetesës në vende të caktuara nuk janë shkaqe për të bllokuar ekstradimet

Çfarë tha Gjykata Evropiane e Drejtësisë?

Të metat në sistemin e ndihmës sociale të një shteti anëtar nuk duhet të bëhen pengesë që një azilkërkues të ekstradohet atje. Përjashtime mund të ketë vetëm në raste ekstreme, ku individi privohet nga “nevojat më bazike, si ushqimi, larja dhe gjetja e strehimit”, thanë gjykatësit. Këtu nuk hyn “varfëria e madhe” ose një dëshirë për të pasur standardet sociale gjermane. Gjykatësit tërhoqën vëmendjen edhe që sistemi i azilit të BE është i bazuar në besim reciprok dhe se vendimet e marra nga shtetet e BE duhet të respektojnë të drejtat e njeriut. Ata vendosën edhe që kërkesat për fitimin e azilit mund të refuzohen në rast kur aplikuesi gëzon tashmë mbrojtje shtesë në një shtet tjetër anëtar të BE.

Si erdhi puna deri te vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë?

Gjykatësit në Gjermani i kërkuan Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që të interpretojë rregullat për azilin të BE, për të mënjanuar kështu dyshimet për raste kur mund të ndodhin ekstradime në vende të tjera në disa raste. Një rast kishte të bënte me një burrë nga Gambia, që kishte paraqitur një kërkesë për dhënie azili në Itali përpara se të vinte në Gjermani dhe që paraqiti në Gjermani një kërkesë tjetër kur mbërriti këtu. Argumentet e tij ishin se atë nuk duhet ta kthejnë pas në Itali për shkak të kushteve të vështira për refugjatët atje. Raste të tjera përfshinin një palestinez që erdhi në Gjermani përmes Bullgarisë dhe një çeçen, që hyri në Gjermani nga Polonia.

Çfarë do të ndodhë tani?

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ka rëndësi, sepse i jep Gjermanisë dritë të gjelbër që t’i kthejë azilkërkuesit në pikën nga hynë në BE. Megjithatë vendimin përfundimtar për fatin e azikërkuesve në fjalë do ta marrin gjykatat federale të Gjermanisë. Është e paqartë se si do të përgjigjen Hungaria, Italia dhe Polonia, duke pasur parasysh faktin se qeveritë e të tria këtyre vendeve kanë rezistuar për të pranuar refugjatë. Vitin e kaluar, Gjermania transferoi më shumë se 8000 azilkërkues në shtete të tjera të BE. Shumica shkuan në Itali. Vetëm pak u kthyen në Greqi dhe asnjë nuk u pranua nga Hungaria. /DW/

Greqia thjeshton procedurat për marrjen e nënshtetësisë

Greqia ka miratuar një ligj të ri, për të thjeshtuar procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke, duke përpiluar rregulla të reja. Në Ligjin e ri parashikohet ulja e tarifës së nënshtetësisë, si dhe lehtësi në provimin e gjuhës për moshat e treta dhe personat me aftësi të kufizuara. Gjithashtu me ligjin e ri, parashikohen edhe disa dispozita, lidhur me mënyrën e marrjes në pyetje në provim, të cilat tashmë do të jenë më të qarta dhe me më pak kontakt personal mes të intervistuarit dhe komisionit. E ndërsa me ligjin për nënshtetësinë e brezit të dytë të emigrantëve, procedurat janë shumë të thjeshta, për brezin e parë të tyre, dhe pikërisht moshat me pak se 65 vjeç, do të duhet të lexohet shumë, madje edhe do të nevojitet edhe certifikim i gjuhës greke në nivelin A2. Kjo procedurë, pritet të vështirësojë marrjen e shtetësisë për këtë kategori emigrantesh. Një tjetër vështirësi e këtij ligji, është edhe pezullimi i dhënies së shtetësisë për emigrantet që largohen për një periudhë më të gjatë se 18 muaj nga vendi. Një aspekt tepër pozitiv i ligjit tashmë të miratuar, është edhe mundësia që iu jepet emigranteve për punësimin në sektorin shtetëror dhe atë publik, çka pritet t’iu japë emigranteve që jetojnë në Greqi, mundësi edhe më të mëdha në punësimin e tyre në vend. Prej kësaj risie, pritet të përfitojnë mijëra emigrantë, të cilët deri tani, iu privohej e drejta të punësoheshin në shtet, apo në bashkitë e vendit.