Sigal

DW zbardh projektligjin e ri të Emigracionit, i cili u jep mund ësi qytetatrëve jashtë BE-së që të qëndrojnë në Gjermani vetëm me kontratën e punës, pa pasur nevojë për vizë afatgjatë. Qëndrimi pa kontratë derisa të gjejnë punë dhe cilat janë profesionet që kanë më shumë prioritet

Gjermania i hap rrugën Shqipërisë për punësime

Gjermania ka rënë dakord për një projektligj të ri për të lehtësuar mundësitë e emigrimit për punëtorët e vendeve jo anëtare të BE. Ky projektligj i i ri, i cili pritet të miratohet, përcakton se çdo qytetar i një vendi jo anëtar në Bashkimin Evropian ka të drejtë të qëndrojë në Gjermani vetëm me një kontratë pune, pa pasur nevojë për pajisjen me vizë pune. Ndër të tjera ky ligj i ri i lejon shtetasit e huaj që të qëndrojnë deri në 6 muaj në Gjermani pa pasur nevojën e kontratës apo vizës së punës në mënyrë që të kenë mundësinë e gjetjes së një pune gjatë qëndrimit të tyre. Sipas gazetarit të “Deutche Welle”, Bahri Cani, në një intervistë për mediat kosovare, ligji i ri ka ardhur si nevoje e Gjermanisë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, pasi në shtetin gjerman aktualisht ka rreth 800 mijë vende të lira pune

Cani, çfarë parashtron ky projektligji i ri për punësime në Gjermani?

Ligji i ri për fuqinë punëtore ka filluar në verë siç e the edhe ti, në tetor janë paraqitur idetë e parë konkrete, ndërsa javën e kaluar është paraqitur edhe korniza e projektligjit. Gjermania ka nevojë për një ligj të tillë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, sepse në Gjermani aktualisht ka mbi 800 mijë vende të lira pune, nëse me kujtohet mirë më duket se shifra është 824 mijë, ndërkohë që papunësia ka rënë në Gjermani nën 5%. Ekspertët në Gjermani dhe ekspertët e ekonomisë thonë se nëse papunësia bie nën 4% atëherë llogaritet se një vend nuk ka papunësi, ky projektligj rregullon ardhjen e fuqisë punëtore në Gjermani nga vendet e treta sepse duket se vetëm fuqia punëtore që ka ardhur nga vendet e Bashkimit Evropian nuk mjafton dhe nuk ka mjaftuar. Me këtë projektligj rregullohet edhe kalimi eventual i personave nga statusi i refugjatit dhe azil kërkuesit në punëmarrës dhe shumë fusha të tjera.

Kush ka të drejtën të vijë dhe kush jo?

Në fillim duhet të them një gjë, javën e kaluar është paraqitur korniza e projektligjit që do të thotë se debati vazhdon dhe mund të ketë edhe ndryshime, pra kjo duhet kuptuar fare në fillim, por duhet te rikthehem ke pyetja jote, deri tani në Gjermani kishin mundësinë të vinin akademikët dhe personat me disa profesione të caktuara, si për shembull infermierët, mjekët persona që përkujdesen për të moshuarit, ekspertët e informatikës etj. Ndërsa ky projektligj rregullon edhe ardhjen e personave që kanë kryer shkolla profesionale apo edhe zanatet, me ligjin e ri do të hiqet rregulli që i jepte përparësi fuqisë punëtore nga vendet e Bashkimit Europian dhe të gjithë pra do të jenë pak a shumë të barabartë në treg, Por edhe këtu do te ketë një kufizim nëse ministri i punës në Gjermani vlerëson se Gjermania nuk ka nevojë më për një profesion të caktuar, ta zëmë për shembull infermier, mos të flas për gazetarë, atëherë ai mund të lëshojë një dekret në të cilin thuhet se Gjermania nuk ka më nevojë për këtë profesion dhe ndalohet ardhja e këtyre personave, por me rëndësi është, pra që personat që kërkojnë punë në Gjermani të kenë dokumentacion të duhur, të kenë një kontratë pune dhe vizën natyrisht.

Cilat janë kushtet që duhet të plotësojmë për ardhjen në Gjermani?

Pyetje shumë interesante, edhe një herë pra, për gjetjen e një vendi pune kërkohet diploma apo kualifikimi i caktuar, pastaj kërkohet kontrata e punës leja dhe natyrisht viza për punë. Por me këtë projektligj parashikohet dhe një mundësi krejt e re që nuk ka ekzistuar deri tani që përmende edhe ti, personat me kualifikimet e nevojshme kanë të drejtë që të vijnë në Gjermani pa kontratë pune dhe të kërkojnë punë për 6 muaj me rrallë, dy kushte kryesore janë per personat që mund të vijnë: njohja e gjuhës gjermane aq sa kërkohet për një profesion të caktuar si dhe financimi i vetvetes, pra personat eventualisht vijnë në Gjermani për të kërkuar punë. Në Gjermani gjatë 6 muajve nuk kanë të drejtë të marrin ndihmë sociale, kjo duhet të dihet, por duhet të kenë mjaft para me vete për banesë për ushqime, sigurime e tjera e tjera , pra para hyrjes në Gjermani ata duhen të paraqesin dëshmi se kanë para të mjaftueshme për 6 muaj qëndrimi këtu, por edhe këtu ka kufizime pasi ministria e punës do të përcaktojë grupet e profesioneve të caktuara të cilat mund të vijnë dhe të kërkojnë punë pa kontratë paraprake, deri tani kjo listë e ministrisë nuk ekziston, pra nuk mund t’i them të cilat profesione do të jenë, por ministria e punës do të ketë mundësi të nxjerrë edhe rregulla të cilat kufizohet ardhja e profesioneve të caktuara apo ardhja nga rajonet e caktuara ne Gjermani, për shembull nëse konstatohet se Gjermania nuk ka nevojë për infermier siç e thashë më lart atëherë ministri mund ta lëshojë një dekret ku thuhet se këta persona nuk mund të vijnë, pra mund edhe të ndalohet ndonjë profesion.

Çfarë do bëhet  me njohjen e diplomave?

Autoritetet gjermane gjithmonë kanë pasur rezerva ndaj diplomave të arritura në disa vende, pra dhe ne Kosovë për shkak të nivelit dobët në shkollim, por para disa muajsh ministri i shëndetësisë tha se diplomat e marra në Kosovë në disa fusha, edhe nuk janë aq të dobëta, gjë që flet në fakt për nevojat e Gjermanisë e jo për ndryshimet e nivelit të shkollimit në Kosovë për fat të keq, sidoqoftë tani do të krijohen kushtet për njohjen më të lehtë për diplomat nga vende të tjera, por siç thuhet me disa kushte të caktuara, gjithmonë ka disa kushte të caktuara dhe përjashtime, me këto rregulla do të parashikohet mundësia e kualifikimeve shtesë, pra nëse një person ka gjetur punë dhe nuk i ka kualifikimet e domosdoshme atëherë sipërmarrja mund t’ja mundësojë kualifikimet shtesë, kuptohet nëse ka nevojë. Ndërsa personat nën 25 vjeç do të kenë të drejtën të vijnë në Gjermani 6 apo 9 muaj dhe të kërkojnë një vend për studim apo përgatitje profesionale, rregulla ka shumë, por të mos e teprojmë më rregullat sepse natyrisht nuk mund t’i paraqesim të gjitha.

A do të kenë shqiptarët dhe kosovarët të drejtën e ardhjes në Gjermani pa vizë pune dhe të kërkojnë punë 6 muaj me radhë?

Ligji për ardhjen e fuqisë punëtore nuk miratohet vetëm për shtetasit e Kosovës apo Shqipërisë, natyrisht, por për të gjitha vendet e drejta, problemi më i madh i shtetasve të Kosovës siç e dimë ne dhe e gjithë bota është që ata kanë nevojë edhe për viza normale të mos flas për visat e punës, të them të drejtën nuk e di saktë si do të zgjidhet ky problem, por e di që ministritë e caktuara kanë propozuar zgjidhje edhe të këtij problemi paralajmërim që do të zgjidhet për disa muaj. Ndaj pres që deri në miratimin e këtij ligjit të saktësohet deri në fund çështja e vizave për shtetasit e Kosovës, po të kuptohemi mirë edhe pa këtë ligj dhe pa këto lehtësime në Gjermani kanë ardhur gjatë vitit të kaluar 545 mijë punëtorë nga vendet e drejta, ndërsa nga vendet e Bashkimit Evropian kanë ardhur 635 mijë persona, e pas miratimit të këtij ligji besoj se numri do të shtohet në veçanti nga ato vendet e treta, por mos të harrojmë që njëkohësisht nga Gjermania janë larguar mbi 1 milionë njerëz, pra është një farë lloj kompensimi i fuqisë punëtore.

Kur pritet të miratohet ky ligj dhe si do të zgjidhet problemi i refugjatëve dhe i azil kërkuesve që janë në Gjermani sepse në mesin e tyre janë edhe shumë Shqiptarë?

Projektligji do të miratohet në seancën e qeverisë me 19 dhjetor pastaj projektligji i dërgohet parlamentit për miratim dhe duhet miratuar ne Bundestag, personalisht mund të miratohet ky ligj ne Bundestag në janar apo në fillim të vitit dhe shumë shpejt më pas mund të futet në fuqi, por datë të saktë në këtë moment nuk kam, unë di vetëm kur do mbahet seanca e qeverisë. Sa i përket refugjatëve dhe azil kërkuesve është një çështje vërtet shumë e rëndësishme, projektligji parashikon mundësinë që një person që ka kërkuar azil të marrë lejen 2 vjeçare për punë, kushti kryesor është që ky person të ketë punuar të paktën 1 vit e gjysmë me një orar pune prej të paktën 35 orë në jave dhe të ketë para të mjaftueshme për të mbajtur vetveten, pra që mos të ketë nevojë për ndihma sociale, por këta persona duhet të jenë ligjërisht të pastër pra mos të jenë të dënuar apo të ketë kryer ndonjë vepër penale.