Gjermania do të kthejë të gjithë azilantët shqiptarë, me ritme të shpejta

492
Gjermania do të kthejë të gjithë azilantët shqiptarë me ritme të shpejta për shkak se kërkon kapacitetet e lira në kampe për strehimin e sirianëve. Deklarata u bë në Rinas në pritje të 50 azilantëve nga sekretarja e shtetit për Evropën dhe rajonin e Landit të Bavarisë, Beate Merk.
“Më duhet të them që jemi të detyruar ta bëjmë këtë gjë, sepse duam të ruajmë kapacitetet tona të lira, pikërisht për ata njerëz që vijnë nga vende ku ka situata ekstreme, siç është Siria. Ndaj dhe kam ardhur në Shqipëri sot për këtë arsye, për ta diskutuar çështjen me politikanë të lartë dhe të kërkojë ndihmë edhe prej tyre që kthimet të jenë sa më të shpejta”, thotë Merk. Merk shpjegoi për të gjithë shqiptarët heqjen e parave kesh për azilantët dhe ndihmë minimale për ta në veshmbathje dhe ushqime, transmeton TCH.
“Nuk do të ketë më mbështetje financiare në kesh, por vetëm në shërbime, ushqime dhe veshmbathje në nivel minimal dhe nuk do lëshojmë më leje pune. Të gjithë shqiptarët që keqpërdorin këtë mundësi duke kërkuar azil ekonomik nuk kanë më asnjë mundësi. Të gjithë do të kthehen. Kjo është hera e dytë që vij në Tiranë për të diskutuar dhe informuar për lëvizjet e forta të shqiptarëve drejt Gjermanisë. Para pak javësh kryeministri shqiptar Rama diskutoi me kryeministrin bavarez dhe sot kam ardhur të them se kemi filluar zbatimin e të gjitha masave që kemi deklaruar për kthime të shpejta të shqiptarëve”, thotë ajo. Merk shton se gjatë këtij viti në Gjermani kanë kërkuar 38 mijë shqiptarë azil ekonomik dhe që të gjitha ata do të kthehen mbrapsht.
Sigal