Gjermani – Shqipëri: Tani mjafton vetëm vula Apostille

2483
Sigal

Pas Italisë dhe Belgjikës në muajin
dhjetor dhe Gjermania filloi zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve
sipas Konventës së Hagës. Ky hap u kursen qytetarëve kohë dhe shpenzime.

Nisur prej modernizimit dhe garancive të
rregullshmërisë së dokumenteve që lëshohen nga administrata shqiptare,
Gjermania vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të
dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Nëpërmjet këtij vendimi
përmirësohen ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente
në Gjermani ose anasjelltas.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë
personat që u duhet të përdorin dokumente gjermane në Shqipëri, pra jo vetëm
shtetasit shqiptarë por edhe ata gjermanë apo të tjerë.

Deri tani mes Shqipërisë dhe Gjermanisë
përdorej procedura e legalizimit të dokumenteve, pra procedura e njohjes së
rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Sipas kësaj procedure duhej që
dokumentet me parë të certifikoheshin tek autoritetet gjermane e pastaj në
Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ku diplomatët konsullorë konfirmojnë
funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar
nënshkrimin dhe vulën.

Me zbatimin e regjimit pa legalizim të
dokumenteve sipas Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të
legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961 mjafton që
dokumentet thjesht të pajisen me vulën Apostille nga autoritetet gjermane dhe
mund të përdoren si të tilla edhe në Shqipëri.

Aplikimi i vulës Apostille për
dokumentet e huaja u kursen të interesuarve jo vetëm kohë por edhe shpenzime.
Së pari tani e tutje atyre nuk u duhet të paguajnë më tarifën e legalizimit të
dokumenteve. Së dyti duke pasur parasysh kohën e gjatë dhe mbingarkesën që
mbartte legalizimi i dokumenteve, si dhe shqetësimin për afatet shumë herë të
kufizuara të vlefshmërisë së disa dokumenteve, tani është e dukshme se
procedura shkurtohet shumë në kohë, gjë që u lehtëson ndjeshëm jetën të gjithë
qytetarëve që dërgojnë për arsye të ndryshme dokumente në Shqipëri.

Ana tjetër pozitive është se në zbatim
të reciprocitetit, edhe shtetasve shqiptarë që do të përdorin dokumente
shqiptare në Gjermani, thjesht do t’u duhet t’i apostilojnë, pra t’i
pajisin me vulën Apostille, dokumentet në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, pa
qenë më e nevojshme të kryejnë legalizime në Ambasadën e RFGj-së në Shqipëri.

Ku
merret vula Apostille, që kërkohet tani nga autoritet përkatëse?

Vula Apostille merret në Shqipëri vetëm
në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ndërsa në Gjermani ato që
apostilojnë dokumentet, janë autoritetet kompetente të landeve. Këto autoritete
janë të listuara në websitet për informimin e qytetareve (Bezirksregierung,
Regierungspräsidium, Landesverwaltungsamt, Bundesverwaltungsamt apo Ministria e
Brendshme dhe Landgericht, në rastin e akteve noteriale dhe gjyqësore, sqaron
konsullja e Ambasadës shqiptare në Berlin.

Me qëllim zvogëlimin e numrit të të
ardhurve ilegale, Gjermania dhe Shqipëria kanë nisur disa projekte të përbashkëta.
Ndër to është edhe ai i Qendrës për ndërmjetësim në punësime ndërkombëtare i
Agjencisë për Punë. Kur flasim për Shqipërinë, prej disa vitesh kemi një
bashkëpunim të mirë në fushën e ashtuquajtur ‘kalimi i njohurive’,
respektivisht përparimin e administratës së shtetit.

Gjermania në fund të tetorit të vitit të
kaluar e ka ashpërsuar regjimin e marrjes së azilit për shtetasit e vendeve të
Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, shtetasve të këtyre vendeve u është
lehtësuar ardhja legale dhe futja në tregun e punës në Gjermani. Ai që në
Shqipëri mund të dëshmojë se ka gjetur një punë në Gjermani, më lehtë mund të
marrë një vizë pune.

Ardhja e shumë shqiptarëve në Gjermani
ka filluar në fillim të viteve 90-të. Ndërsa gjatë luftës së Kosovës është
shtuar dukshëm numri i shqiptarëve të strehuar në Gjermani – në radhë të parë
të atyre me origjinë nga Kosova. Në fund të viteve 90-të numri i shqiptarëve
nga Kosova në Gjermani kishte arritur shifrën prej rreth 400.000. Deri në vitin
2008, gati 100.000 janë kthyer vullnetarisht. Por më pas sërish është shtuar
numri i shqiptarëve në këtë vend.

Për gjithë emigrantët miratimi I
vendimit për vulën Apostile do jetë një lehtësim I madh në aspektin e kohës dhe
shpenzimeve.