Gjermani rizgjidhet shef i politikës së jashtme të PE-së

694
Sigal

Deputeti gjerman, David McAllister është rizgjedhur si shefi i Komitetit për Politikën e Jashtme në PE. Në 2017 me paketën e njohur si ”McAllister Plus” ai zgjidhi krizën politike në Shqipëri pas çadrës që ngriti opozita para Kryeministrisë. 48-vjeçari ka një karrierë të pasur politike, e cila nisi me angazhimin e tij në strukturat rinore të CDU-së.

Në vitin 2001 ai zgjidhet Kryetar Bashkie i qytetit të tij të lindjes, Bad Bederkesa, por qëndroi në këtë detyre vetëm për një vit, pasi u promovua si sekretar i përgjithshëm i CDU-së për landin e Saksonisë së Poshtme. Rritja e tij vijon me zgjedhjen tashmë si kryetar i kristian-demokratëve për Saksoninë e Poshtme në vitin 2008, e më pas zgjedhja si Kryeministër i këtij landi, post në të cilin qëndron nga viti 2010 deri në 2013.

Pas këtij momenti, McAllister zgjidhet deputet në i Parlamentit Europian në vitin 2014, detyrë që e mban deri në ditët e sotme. Në tetor të 2015, karriera e tij pëson një tjetër ngjitje, me zgjedhjen si zv. President i Partive Popullore Europiane, grupimi më i madh politik në PE. Që prej muajit shkurt të 2017-ës, ai ka shërbyer si kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në PE, si dhe kishte rolin e reporterit për Serbinë. Gjermani me origjinë skoceze është një nga politikanët më të angazhuar në politikat europiane.