Gjergji Goro: “Himara, në gusht, kryeqyteti i vendit”

220

INTERVISTA/ Kryebashkiaku i Himarës: Qeveria i ka lënë përgjysmë projektet tona. Piva kafe me Berishën, i ngrita shqetësimet

Këtë sezon, CEZ-i, ua solli në majë të hundës pushuesve. U dëmtuan edhe elektroshtëpiake

Këtë gusht, Himara u shndërrua në kryeqytet të vendit, pasi që nga Kryeministri Berisha, ministrat dhe një pjesë e madhe e deputetëve, politikanë të lartë, kryegjyqtarë e prokurorë, kaluan pushimet në brigjet e rivierës së këtij qyteti. Kryetari i bashkisë së qytetit, Gjergji Goro ka dhënë këtë intervistë për “Telegraf”, duke ngritur edhe shqetësimin se në Himarë, kanë mbetur investimet përgjysmë.

-Z.Goro, po ikën gushti, që mbyll edhe sezonin turistik të këtij viti. Çfarë mund të thoni për Himarën?

-Qyteti ynë buzë brigjeve të Jonit, këtë sezon turistik shkoi në një popullsi prej gjysmë milion banorë. Këtë shifër e them i sigurt, pasi kam shkelur vetë tërë territorin, që është në juridiksion të bashkisë, kam biseduar me pronarë hotelesh e restorantesh, si dhe kam parë çdo natë shëtitoren e qytetit plot e përplot. Himara ka pasur një numër më të madh pushuesish se një vit më parë dhe gjallëria është shtuar nga kampet e të rinjve, ku nuk kanë munguar edhe të rinj nga vende të ndryshme të botës. Është natyra e bukur që josh pushuesit e të gjithë kategorive, vendas dhe të huaj.

-Keni takuar pushtetarët që kanë ardhur për të pushuar në Himarë?

-Është fakt, që Himara këtë gusht, u shndërrua në kryeqytet të vendit. Kjo, pasi e gjithë Qeveria ka qenë këtu, fillo nga kryeministri, politikanë, parlamentarë, që kishin zënë vend në hotelet luksoze që ka Dhërmiu, Himara, që gjetën qetësinë në Jal dhe deri në Qeparo. Për hir të së vërtetës dua të them se nuk kam pushuar edhe një ditë të vetme në këtë sezon, pasi kam ndjekur me shqetësim mbarëvajtjen e punëve. Sigurisht që, i kam përshëndetur, dikush që ka kërkuar të më takojë, i kam dhënë edhe kafe, por në çdo rast, unë kam shfaqur problemet që ka qyteti. Si i thonë fjalës: Gjuha shkon, ku dhemb dhëmbi.

-Kontaktuat edhe me Kryeministrin Berisha?

-Unë jam kryetar bashkie dhe në një farë mënyrë e ndjej për detyrë që t’i uroj mirëseardhjen dhe t’i jap një kafe edhe kryeministrit, por më shumë, mu dha rasti për ngritur shqetësimet që ka qyteti. Problematikën ua kam shtruar edhe deputetëve e ministrave që kam takuar.

-Të ndalemi te këto problematika, çfarë i ka munguar Himarës në këtë sezon turistik z. Goro?

-Janë të shumta dhe unë si kryetar bashkie ndjehem keq, që pushuesit. Nuk kanë gjetur komoditetin e duhur. Gjëja e parë që dua të them, është se kanë mbetur përgjysmë investimet në infrastrukturë në Himarë, punë e nisur dhe pa bitisur. Kështu mund të nis me rrugët që shkojnë buzë detit, që nuk kanë shkuar deri në destinacion, kanalizimet gjithashtu. Pavarësisht nga programet dhe projektet e BB e Fondi i Zhvillimit që i’u afruan Himarës, ende nuk po shihet një gjë konkrete. Shty e shty dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë kjo shtyrje.

-Mirë me pushtetarët paske kontaktuar, por me emigrantët himarjotë që erdhën për pushime, patët ndonjë bisedë dhe çfarë probleme ju ngritën?

-Sigurisht, shumica e atyre që erdhën për pushime, janë të njohurit tanë, bashkëqytetarë. Ata duan ta shohin Himarën edhe më të bukur, kërkojnë zgjidhjen e problemeve që ka qyteti, ndërsa ngulin këmbë tek një problem që është gangrenë jo vetëm për Himarën: Moszgjidhja e problemit të pronave. Me të drejtë ata shqetësohen se zvarritja e këtij problemi që është themelor, ka mbajtur larg edhe investimet në qytet.

-Çfarë natyrë ka ky problem në Himarë?

-Atë që e kanë të gjithë shqiptarët, që nga mosmarrja e pronës nga pronarët dhe deri tek konfliktet brenda fiseve, që janë përfshirë në dhjetëra procese gjyqësore në shkallët e gjyqësorit.

-Konflikte ka edhe mes qytetarëve dhe bashkisë?

-Po, ka shumë qytetarë, banorë të Himarës dhe për gjatë bregut, që kanë paditur administratën e bashkisë, që ka pasur paradhënësi im, që presin zgjidhje nga Gjykata e Apelit. Po, është një problem që ka bërë të ngecin investimet dhe krijohen konflikte.

-Z.Goro, vetëm pak javë më parë u shprehët për ardhjen e Xhorxh Tenet në Himarë. Keni ndonjë konfirmim, pasi pritet me shumë interes vizita e ish- kreut të CIA-s?

-Ajo që mund të them unë është se jemi duke pritur, është një pritje e gjatë, që kam besim se do t’i jepet fund shpejt.

-Ju faleminderit!

_____________________________________________

TË MBROJMË VLERAT ARKEOLOGJIKE TË RAJONIT!

SARANDË- Nën/prefekti i Sarandës, Gjergji Mano, kam mbledhur në një takim pune drejtuesit kryesorë të institucioneve të rajonit Sarandë-Delvinë, takim në të cilin është krijuar Komiteti Rajonal për Parandalimin dhe luftën Kundër Vjedhjes e trafikimit të Veprave të artit e të Kulturës. Takimi është bërë në bazë të urdhrit të zv. ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, dërguar nënprefektëve më kompetenca të zgjeruara të Sarandës, Lushnjës dhe Kavajës për krijimin e këtyre komiteteve në bazë të urdhrit të Kryeministrit, Nr.90 dt.27.07.2012. Në takim nënprefekti Mano ka nënvizuar përgjegjësinë që ngarkon ky urdhër për të gjitha institucionet përgjegjëse që kanë marrëdhënie pune ndërkufitare, ndaj duhet marrë seriozisht zbatueshmëria e të gjitha detyrave të ngarkuara me këtë urdhër dhe urgjentisht të nis hartimi i rregullores së veprimit dhe i funksionimit të tyre. Nga tryeza rajonale antitrafik, ku morën pjesë nënprefekti, shefat e komisariateve të rendit dhe kufirit, përgjegjësit e zyrave arsimore, drejtori rajonal i Mbrojtjes së Monumenteve, drejtoret e Parkut të Butrintit e Finiqit, kryetarët e Komunave Finiq e Mesopotam dhe drejtoresha e Doganës së Sarandës që njëherazi janë anëtarë të komitetit të krijuar për mbrojtjen e vlerave arkeologjike dhe kulturore, kanë ngritur problematiken e dëmtimeve të mëdha të objekteve të trashëgimisë kulturore sidomos pas viteve ‘90 dhe trazirave të ‘97-ës. Por problem mbeten objektet e pakartelizuara sepse ato me pasaportë u rikthyen përsëri. Ky fenomen ngarkon me përgjegjësi punonjësit e asaj kohe, ku zëra në qytet, thonë se kanë nxitur e simuluar trafikimin e objekteve ashtu siç ndodh edhe sot me shkatërrimin e varreve monumental nga thesarkërkuesit, ku përsëri përgojohen punonjës të arkeologjisë për dhënien e hartave këtyre personave shkatërrues.

Agron MEMA