Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, histori dhe ardhmëri

1734
Sigal

Don Lush GJERGJI

Disa vlerësime të rëndësishme të Papëve të dikurshëm për heroin kombëtar shqiptar

Në vitin kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit të rrallë dhe të dalluar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, janë bërë shumë hulumtime, botime, dokumente, të njohura apo të panjohura, duke paraqitur atë nga këndvështrime të ndryshme. Ai, sipas mendimit tim, pati një strategji të dyfishtë të suksesshme dhe largpamëse, takimin, afrimin dhe bashkimin e principatave arbërore, sot shqiptare, dhe kërkimin, gjetjen dhe mbajtjen e aleatëve besnikë dhe të përbashkët rreth ideve dhe idealeve të tija tejet të larta dhe shumë të nevojshme, të qëlluara për atë kohë, por edhe për sot. Kjo është porosia e tij historike, gjithnjë aktuale, që jep shpresa dhe siguri për një të ardhme sa më të mirë ndër ne, në rreth dhe në botë. Ja, pra, disa vlerësime të papëve të dikurshëm, bashkëkohësve të tij, si dhe atyre më afër kohës sonë. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ndër aleatet më besnikë pati Papët, Selinë e Shenjtë, ndër të cilët duhet të përmenden: Papa Eugeni IV (1431 – 1447), i cili së bashku me mbretin Alfonso d’Aragona të Napolit, perandorin Sigismondi, atë e morën nën mbrojtje dhe i ndihmuan në lufta kundër otomanëve. Ky Papë kishte planifikuar një kryqëzatë kundër otomanëve në Evropë dhe këtë e kishte zyrtarizuar me Bullën papnore më 1 janar 1443. Papa Kalisti III (1455 – 1458), i cili duke parë pushtimin e Kostantinopojës (29 maj 1453), kishte përkrahur rezistencën kundër-osmane në Ballkan, pra, edhe Gjergj Kastriotin si luftëtar të dalluar. Idenë e Papës Eugeni IV e kishte vazhduar edhe pasardhësi i tij, Papa Piu II (1458 -1464), i cili Gjergj Kastriotin – Skënderbeun e kishte pritur në Romë me nderimet më të lara, duke ia mundësuar atij që të paraqitej para kardinalëve për të folur për sukseset dhe planet e tij kundër otomanëve. Pas këtij takimi Papa Piu II kishte shkruar një letër – qarkore të gjitha oborreve mbretërore që ta “përkrahnin heroin e pamposhtur të krishterimit”, apo siç e quante ai “kryekomandant të Selisë së Shenjtë”. Mirëpo çdo gjë dështoi me vdekjen e papritur të Papës Piu II me 14 gusht 1664, në Ankona. Ai kishte ardhur aty për t’i parë dhe bashkuar fuqitë e krishtera evropiane për një kryqëzatë detare të drejtuar kah Kostantinopoja. Do të duhej të ishin diku rreth 40. 000 ushtarë, prej të cilëve gjysma do të ishin arbërorë – shqiptarë. Mirëpo kjo gjë fatkeqësisht nuk ndodhi, sidomos për kundërshtimin e Venedikut, por edhe mosinteresimin e vendeve tjera evropiane. Papa Piu II po ashtu dëshironte ta kurorëzonte Gjergj Kastriotin Mbret të fuqive të krishtera evropiane. Nga kjo pikëpamje Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte në një mënyrë paraardhësi i Bashkësisë Evropiane dhe i NATO-s. Papa Piu II thotë kështu: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte ushtar i patrembur i Krishtit, Atleti tejet i fortë i Krishtit”. Papa Pali VI (1963 – 1978) me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut thotë: “Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë. Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim. E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizimin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern. Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”[i]

Papa Gjon Pali II (1978 – 2005):

“Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”, i cili këtë vit (1993) kishte 525 vjetorin e vdekjes (vr. e redaksisë). Si në kohët e tij shumë të vështira, Kisha edhe sot nuk do të mungojë të ofrojë kontributin e vet të mundshëm për zhvillimin e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar”. Ndërsa në fjalimin e tij në Sheshin Skënderbe në Tiranë Ati i Shenjtë Karol Vojtila duke u fol shqiptarëve mes tjerash theksoi: “Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar”. [ii] Papa Françesku (2013 – ) nëpërmjet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit kardinalit Pietro Parolin ka dërguar këtë porosi Imzot Angelo Masafrës, arqipeshkvit Shkodër-Pult dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. “Fort të nderuarit Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Shenjtëria e Tij Papa Françesku ju shpreh urimet e tij të përzemërta të shoqëruar me lutje Juve, vëllezërve tuaj Ipeshkvinj, Autoriteteve civile dhe të gjithë popullit shqiptar me rastin e pesëqind e pesëdhjetë vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, “kjo figurë e shquar e krishterë… e vlerësuar prej Papëve të Romës” (Papa Gjon Pali II, Fjala drejtuar Kombit Shqiptar, Tiranë, më 25 prill 1993). Duke rikujtuar vizitën e tij në “tokën fisnike të Shqipërisë, tokë heronjsh, që sakrifikuan jetën e tyre për pavarësinë e Vendit, dhe tokë martirësh, që dhanë dëshminë e fesë në kohët e vështira të persekutimit” (Fjala drejtuar Autoriteteve civile, Tiranë, më 21 shtator 2014). Papa Françesku ka sërish kënaqësinë të përshëndesë klimën e bashkëjetesës paqësore dhe respektin mes njerëzve të traditave fetare dhe kulturore të ndryshme në Shqipëri. Duke u lutur që të gjithë shqiptarët të vazhdojnë t’i nxisin vlerat e solidaritetit, të dialogut dhe të paqes, Shenjtëria e Tij me gjithë zemër ia porosit kombin shqiptar Provanisë së Zotit të Gjithëpushtetshëm” Kardinal Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit

Papa Françesku, më 19 nëntor 2018 pranoi në audiencë speciale shtegtarët shqiptarë nga Shqipëria dhe viset tjera me rastin e 550 – vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në fjalën e rastit ai vlerësoi Atë dhe Popullin tonë me fjalë dhe porosi shumë të zgjedhura dhe aktuale.

Ja fjala e Papa Françeskut:

“Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit tuaj kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit. Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI deshi të presë një përfaqësi të shqiptarëve. Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht. Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë. Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës. Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se heroi kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës. Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil. Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim. Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë. Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjellët, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut. Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar. Ju lutëm, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit”. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadareja (1936 – ), kështu e vlerëson Gjergj Kastriotin – Skënderbeun: “Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, dy personazhet më të mëdhenj të kombit tonë dhe ndër dy më të mëdhenjtë e Evropës e të njerëzimit mbarë, sado të largët të jenë në kohë e sado të ndryshëm në trajtë, për ne, shqiptarët, kanë një gjë sublime që i bashkon…

Gjergj Kastrioti, simboli i vullnetit tonë për liri dhe për qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mishërimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza, mesazhi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë, janë vlerat tona morale që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”. (Einsideln, 30. 10. 2005) Kështu vlerësohet figura më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm.