Gjeneral Vladimir Avdiaj, merr detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore

65
Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj, merr detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e dorëzimit të flamurit luftarak, u zhvillua në komandën e Forcës Ajrore, Rinas. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, komandantë, atashe ushtarak, etj.
Ministrja Kodheli, duke i uruar detyrën gjeneral Avdiajt, shprehu bindjen se është personi i duhur për të drejtuar dhe për të çuar përpara forcën ajrore.
Znj. Kodheli siguroi se, ajo personalisht, por edhe qeveria shqiptare, është e vëmendshme ndaj çdo problemi, shqetësimi, mungesë që ka patur në vite në FA, të shkaktuara për shumë arsye. Ministrja garantoi se, procesi i filluar së bashku është një rrugë pa kthim e suksesit të FA-ve. “Falë jush, falë përkushtimit Tuaj të përditshëm, që, edhe në kushte jo të favorshme, të trajtimit jo të favorshëm të kushteve atmosferike, të mungesës së shumë aseteve, për të cilat ju, nuk mund ta bënit punën që bëni, (por që ju po e bëni), sepse ditën që keni vendosur të jeni pjesë, e pjesës më të mirë të shoqërisë shqiptare, forcave tona të armatosura, keni vendosur të bëni sakrificën, keni vendosur të shërbeni, përpara se të kërkoni”, u shpreh Ministrja.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve Gjeneral major Jeronim Bazo i dorëzoi flamurin luftarak gjeneral Brigade, Vladimir Avdisë.