Gjeneral Rrahman PARLLAKU*/ 70 vjet më parë, me çlirimin e Tiranës u çlirua e gjithë Shqipëria

793
Sigal

Gjeneral Parllaku: Si i eliminoi Enveri komandantët që drejtuan betejën për çlirimin e kryeqytetit

 Në çdo vend të botës, çlirimi i kryeqytetit është festë kombëtare. Edhe në rastin e vendit tonë, operacioni për çlirimin e Tiranës në fakt  i dha fund rezistencës së ushtrisë naziste. Në ditët që mbetën deri në largimin e ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, nuk pati ndonjë luftim serioz; pushtuesit u tërhoqën me shpejtësi, duke mbledhur e shpëtuar çka kishte mbetur nga forcat e tyre. Kështu beteja për çlirimin e Tiranës ishte edhe beteja vendimtare për çlirimin e gjithë Shqipërisë, ndaj dhe kjo datë është festë kombëtare, jo vetëm se u çlirua kryeqyteti ynë, por se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në vendin tonë mori fund. Kushtet për fillimin e operacionit për çlirimin e Tiranës u përgatitën gjatë muajve  gusht-tetor 1944, kur forcat e Brigadës së Tretë kishin çliruar  zona të caktuara, mbanin nën kontroll e bënin trysni mbi qytet me aksione të vazhdueshme deri në qendër të Tiranës. Ato kontrollonin gjithë zonën Verilindore e Lindore të Tiranës, si dhe pjesën Verilindore të Elbasanit, Çermenikën. Gjatë shtatorit, forcat e Brigadës së Tretë e kishin ngushtuar rrethimin e Tiranës brenda perimetrit: nga Universiteti Bujqësor –Paskuqan – Rrapi Treshit – Shkozë – Mullet. Ndërsa armiku mbante me këmbëngulje Kalanë e Petrelës dhe Rrugën Tiranë- Elbasan. Vendimi i Komandës së Përgjithshme për operacionin e çlirimit të Tiranës u mor, kur ishte çliruar pjesa më e madhe e territoreve të vendit dhe kur vazhdonte çlirimi i qyteteve njëri pas tjetrit. Drejtimi i Operacionit ju ngarkua Komandës të Korparmatës së Parë, e cila krijoi një grup operativ për drejtimin e luftimeve në kryeqytet. Për zhvillimin me sukses të Operacionit, Komanda e Përgjithshme i dha në vartësi Korp-Armatës së parë, përveç  tre brigadave: të I, IV dhe të III, edhe Brigadat e 15-të dhe 23-të. Për sulmin në qytet u caktuan dy Brigada të Divizionit të I: Brigada e I  dhe e 4-ërt, ndërkohë që, në rezervë ishte Brigada e 8-të S, e përqendruar në rajonin e Pezës. Brigada e I do të mësynte në frontin: Universiteti Bujqësor (në Veri) – Shkozë (në Lindje); kurse Brigada e IV-ërt: Senatoriumi – Gazermat (Qyteti i Nxënësve).

Brigada e 8-të u fut në luftë për çlirimin e qytetit, në datën 9-të të Operacionit, në sektorin, Kisha e Shën Prokopit-Qyteti i Nxënësve.

Brigada e 15-të do të vepronte në rajonin e Elbasanit, duke goditur armikun gjatë rrugëve Tiranë – Elbasan dhe Elbasan – Peqin – Rrogozhinë dhe do të bënte trysni mbi qytetin e Elbasanit. Brigada e 23-të do të vepronte në rajonin e Tiranës, duke i dhënë goditje armikut në rrugën Tiranë – Vorë – Shijak. Veprimet luftarake të këtyre brigadave synonin të mos lejonin ndonjë goditje të armikut nga jashtë, të forcave partizane që luftonin në Tiranë. Nazistët kishin ndërtuar mbrojtje me qendra zjarri të fortifikuara në kodrat që dominon mbi qytet, kurse brenda qytetit qendrat e zjarrit e rrethimet me tela me gjemba mbulonin rrugët e rrugicat. Qendra zjarri ishin ndërtuar edhe në tarracat e shtëpive, kurse në sheshet kryesore kishin vendosur tanke të groposura, që me lëvizjen e kullave bënin zjarr rrethor. Duke ndjerë rrezikun e ardhjes nga Greqia në tërheqje të një force të ushtrisë naziste mbi 10.000 veta, Komanda e Përgjithshme i vuri nën komandë Korparmatës së Parë, veç brigadave 4-t, 15-të e të 23-të në veprim, edhe 7 brigada për të krijuar brezin e tretë të sigurimit, duke i goditur forcat naziste gjatë rrugës Qafë Thanë–Librazhd – Elbasan-Tiranë dhe Elbasan–Peqin–Rrogozhinë–Kavajë-Durrës, duke ju shkaktuar humbje e duke mos lejuar hyrjen e tyre në Tiranë. Grupi gjerman “Steyer” që kishte arritur në Elbasan me humbje të rënda, me një forcë prej 7.000 veta, më 11 Nëntor u tërhoq nga Elbasani, i ndarë në dy kolona: njëra me 3000 veta marshoi në drejtim të Tiranës, kurse kolona tjetër me 4.000 veta marshoi në Rrugën Elbasan – Peqin – Rrogozhinë – Kavajë – Durrës, për t’u bashkuar në Tiranë me forcat tjera naziste. Të dyja kolonat, të goditura nga partizanët gjatë gjithë marshimit, pësuan humbje të mëdha. Vetëm në rajonin e Mushqetas, gjatë Rrugës Qafë- Krrabë – Ura e Peshkatarit armiku la të vrarë e robër mbi 2.000 veta. Vetëm 300 forca naziste me mjete të blinduara mundën të hyjnë në Tiranë. Duhet theksuar se në këtë operacion, një ndihmë të konsiderueshme dha aviacioni anglez, me disa goditje nga ajri, në rajonin e Mushqetas. Ne ishim pjesë e Aleancës Antifashiste të popujve të udhëhequr nga Anglia, ish – BS e SHBA dhe si të tillë u renditëm përkrah forcave fitimtare të Luftës së Dytë Botërore. Edhe kjo goditje ajrore u bë në këtë kuadër. Edhe kolona tjetër, me humbjet që pësoi gjatë marshimit nuk mundi ta plotësojë detyrën për t’u bashkuar me forcat armike që luftonin në Tiranë. Kështu nuk u arrit qëllimi i tyre për t’u bashkuar në kryeqytetin shqiptar e për t’u tërhequr në mënyrë të organizuar. Forcat gjermane pësuan humbje të mëdha në njerëz e teknikë luftarake dhe u vonuan në kohë, duke u tërhequr në mënyrë të çorganizuar, të goditura nga forcat partizane, deri sa u përzunë nga atdheu ynë. Luftimet për çlirimin e Tiranës vazhduan 19 ditë. Ato qenë tepër të rrepta; u luftua në çdo rrugë, rrugicë e shtëpi më shtëpi. Partizanët treguan guxim e trimëri të jashtëzakonshme; shkuan deri në luftim trup më trup me nazistët. Nga lufta e malit ato provuan luftën në qytet, por falë vendosmërisë e trimërisë së tyre e përballuan me sukses edhe këtë betejë vendimtare për çlirimin e kryeqytetit tonë, Tiranës, që pothuajse shënoi edhe çlirimin e Shqipërisë. Në betejën për çlirimin e Tiranës ranë 127 dëshmorë dhe 290 të tjerë u plagosën. Por humbjet e armikut qenë shumë më të mëdha: rreth 3000 veta të vrarë e zënë robër. Vetëm beteja e Mushqetas u kushtoi 2000 veta; u zunë 300 robër dhe një trofe e madhe armatim e teknikë luftarake. Fitorja e betejës në kryeqytet nuk mund të arrihej me kaq humbje dhe brenda 19 ditësh, pa ndihmën e jashtëzakonshme që dha populli i Tiranës: burra e gra, të moshuar e sidomos rinia dhe pionierët, që prishën gardhet, muret e oborreve dhe të shtëpive për të kaluar partizanët që t’u dilnin në shpinë gjermanëve; i udhëhiqnin e i informonin ata. Krijuan barrikada në rrugët e rrugicat e Tiranës, me orenditë shtëpiake për të penguar lëvizjen e mjeteve të armikut. I pritën, i ushqyen partizanët; u mjekuan plagët të plagosurve; infermierë e mjekë patriotë shpëtuan shumë jetë të plagosurish. Patriotizmi i popullit të Tiranës u shpalos me gjithë madhështinë e tij. E këtë patriotizëm e humanizëm të pashoq e pamë edhe në ditët tona, kur ra në fatkeqësi populli ynë i Kosovës, i goditur egërsisht nga gjenocidi serb. Unë, në emër të brezit tim që bëri luftën përulem me nderim të veçantë ndaj popullit të Tiranës.

Tiranën, unë e kam njohur në 1933,- e jetova deri në vitet ‘’70, – dhe po e përjetoj sot i gëzuar e i lumtur, pas ndryshimeve demokratike, kur u shpalos iniciativa e lirë. Gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë të demokracisë u bënë mrekulli: Tirana ngjan sot me kryeqytetet europiane, megjithëse ato kanë shekuj që janë ndërtuar. Ky brez ka bërë shumë dhe unë jam i bindur që brezat në vazhdimësi do të ndreqin edhe diçka që nuk është si duhet. Në këtë moshë, jam optimist për të ardhmen, sepse kemi një popull me aftësi të veçanta. Uroj që t’i bashkojë këto aftësi e të bëjë mrekulli për vendin tonë. Duke u përgatitur për këtë fjalë rasti, i hodha një sy Librit të Akademisë ushtarake “Historia e Artit Ushtarak të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar”, libër ky i vitit 1989 me 350 faqe. Pasi lexon në të kapitullin e Luftës për çlirimin e Tiranës, të lind pyetja: Kush e ka drejtuar këtë luftë?! Mos vallë “jashtëtokësorët”, pasi nuk ka asnjë emër komandanti nga Korparmata, Grupi i drejtimit direkt të luftës në qytet dhe të asnjë komandanti të 11 brigadave!  Për mua nuk përbën ndonjë çudi, por ndonjë i ri ose persona që e dinë se njësitë e repartet në luftë komandohen, duan të dinë se kush ka qenë në krye të këtyre reparteve. Emra nuk ka, sepse nga 24 brigada, drejtuesit e 17 brigadave i ka dënuar diktatura tërësisht ose pjesërisht. Diktatura e diktatori Enver Hoxha, kur të dënonte të fshihte edhe varrin. Po marr dy figura të shquara të luftës, bij të Tiranës – Beqir Ballukun e  Abdyl Këllezin. Ua fshehu varret sepse diktatori ua kishte frikën edhe të vdekur, pasi në varret e tyre do viheshin lule dhe rinia do të pyeste: përse u vranë këta?! Pra, duhej të fshihej krimi nga kujtesa e njerëzve. Prandaj nuk përmenden emrat e Gjeneral Dali Dreut – komandant i Korparmatës së I që drejtoi operacionin për çlirimin e Tiranës, Mehmet Shehut –komandant i divizionit dhe drejtues i shtabit të këtij operacioni, si dhe emrat e drejtuesve të tre brigadave që vepruan direkt dhe drejtuan me mençuri, largpamësi, guxim e heroizëm luftimet e kryeqytetit si: Muhamet Prodani, Arif Hasko, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Qazim Kondi e Bajram Sinojmeri. Të tillë kanë qenë edhe drejtuesit e 8 brigadave të tjera, po edhe emrat e tyre nuk përmenden. Mendoni, bëhen 19 ditë luftime të ashpra, marrin pjesë 10.000 luftëtarë, çlirohet kryeqyteti dhe nuk dihet se kush e drejtoi këtë luftë. Ky, mendoj se është krimi më monstruoz i diktaturës dhe diktatorit, ndaj dhe e solla në vëmendjen tuaj sot ne këtë dite te shënuar, që kurrë të mos i harrojmë, por t’i nderojmë e respektojmë ata që drejtuan e bënë luftën. Duke shprehur sërish bindjen se Ju pasardhësit tanë të denjë, që realizuat aspiratën tonë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, do ta zhvilloni atë në mënyrë të pandërprerë, duke e renditur me vendet e përparuara të BE, ju uroj të gjithëve: Gëzuar 70-vjetorin e Çlirimit të Tiranës. Lavdi përjetë heronjve e dëshmorëve të Atdheut!

*Fjala e Kryetarit të OBVL-së, Rrahman  PARLLAKU – Gjenerallejtënant, “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” në  mbledhjen solemne me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës organizuar nga bashkia e kryeqytetit

Tiranë, më 16.11.2014.

Bashkia përkujtoi 17 Nëntorin e u dha certifikata mirënjohjeje ish-luftëtarëve

 TIRANË-Bashkia e Tiranës organizoi dje pasdite një mbrëmje solemne me rastin e 70-vjetorit të lirimit të kryeqytetit. Në këtë takim jubilar që u organizua në sallën e Universitetit të Arteve merrnin pjesë veteranë të LANÇ-it, drejtues dhe anëtarë të Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste, deputetë të opozitës dhe drejtues të bashkisë së Tiranës. Të pranishmit i përshëndeti nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo. Ai vlerësoi sakrificat e këtyre veteranëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe veçanërisht në betejën 20 ditore për çlirimin e Tiranës, si shembull frymëzimi për brezin e sotëm dhe ata të ardhshëm. Pjesëmarrësit ndoqën gjithashtu me vëmendje fjalën e rastit që mbajti kryetari i OBVL, Gjenerallejtënant (në pension) Rrahman Parllaku, i cili theksoi se në çdo vend të botës, çlirimi i kryeqytetit është festë kombëtare. “Edhe në rastin e vendit tonë, operacioni për çlirimin e Tiranës në fakt i dha fund rezistencës së ushtrisë naziste. Në ditët që mbetën deri në largimin e ushtarit të fundit gjerman nga Shqipëria, nuk pati ndonjë luftim serioz; pushtuesit u tërhoqën me shpejtësi, duke mbledhur e shpëtuar çka kishte mbetur nga forcat e tyre. Kështu sipas gjeneralit 95- vjeçar Parllaku, një nga drejtuesit kryesor të LANÇ-it dhe të Ushtrisë Shqiptare “ beteja për çlirimin e Tiranës ishte edhe beteja vendimtare për çlirimin e gjithë Shqipërisë, ndaj dhe kjo datë është festë kombëtare, jo vetëm se u çlirua kryeqyteti ynë, por se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në vendin tonë mori fund”. Bashkia nderoi certifikatën e Mirënjohjes 21 veteranë të OBVL… Me certifikatë të tilla ndërmjet të tjerëve u nderuan Gjeneral Parllaku, kolonelët Skënder Malindi e Myfit Guxholli, zonjat Liri Belishova, Flora Dishnica e Zekije Voshtina, si dhe ish- pjesëmarrësit aktiv në luftën për lirimin e Tiranës 70 vjet më parë Sotir Bodina e Zenel Maliq Hoxha. Për pjesëmarrësit në këtë takim festiv jubilar, Ansambli “Tirana” dha një koncert të larmishëm me këngë e valle. Në këtë veprimtari jubilare, megjithëse ishin ftuar nuk kishte përfaqësues nga maxhoranca qeverisëse.