Gjeneral Major Viktor Berdo: Ju tregoj për operacionet e FA të mbështetjes së paqes

1345
Një jetë tepër interesante. Me origjinë nga Vlora, por lindur në Shkodër, pra nga dy qytete të kulturës, ku ka marrë anët më pozitive të formimit intelektual. Pas përfundimit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në vitin 1980, shërbeu për 18 vite si ushtarak në Shkodër, ku dhe jetoi deri në vitin 2000. Pra ka jetuar për 43 vite në Shkodër. E quan veten me fat që është lindur dhe rritur në këtë qytet me tradita historike, atdhetare, kulturore, sportive, në atë qytet me bukuri të rrallë e mes njerëzve të mrekullueshëm e plot humor. Po ashtu ndjehet me fat dhe krenar për Shkodrën, po aq krenar ndjehet për Vlorën e historisë, atdhetarizmit, trimërisë, bukurisë, bujarinë etj, por edhe për Dukatin që është vendlindja e prindërve të tij. Ka shërbyer mbi 35 vjet me uniformë ushtarake, por koha eci më shpejt se parashikimet. Ai doli në rezervë me gradën e lartë të gjeneralit (gradë që shumë pak e meritojnë), duke marrë me vete kujtime që duan net të tëra dimri për t’i përcjellë mes familjarëve, shokëve, miqve, të afërmve..
Mbi 35 vjet me uniformë ushtarake, me angazhime të shumta, stërvitje, gatishmëri, detyra të ndryshme komandimi, por edhe shtabi, sot në rezervë. Si ndihet gjenerali gjatë këtyre javëve të para të daljes në rezervë dhe a i beson një fakti të tillë?
Është e vërtetë që uniformën ushtarake e vesha shumë herët, qysh në vitin1977, vit kur fillova studimet si student ushtarak në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në Fakultetin Gjitharmësh, Dega Zbulim, por në fakt me të isha familjarizuar shumë më herët, pasi babai im ka qenë oficer. Pra atë uniformë e mbajta veshur pak më shumë se 38 vjet. Uniformën ushtarake dhe simbolet e saj i kam mbajtur si gjërat më të çmuara dhe i kam konsideruar si simbole të prezantimit me dinjitet të ushtarakut shqiptar tek partnerët ndërkombëtarë, në publikun vendas dhe jo vetëm, por mbi të gjitha e kam parë si një aspekt i përgjegjësive të mëdha, përkushtimit dhe sakrificës që bën ushtaraku ndaj vendit tij. Për të ardhur të përgjigja e pjesës tjetër të pyetjes tuaj, lidhur me karrierën dhe angazhimet e mia, mund të them se karriera ime ka qenë në rritje graduale dhe progresive sa i takon detyrave që kam kryer, si dhe e shoqëruar me angazhime të shumta. Të qenurit në detyra komanduese të niveleve të ndryshme hierarkike te FA, që nga ajo e komandantit të togës, kompanisë, batalionit, brigadës (disa herë), universitetit ushtarak, komandantit të Forcës Tokësore, por edhe në detyra të ndryshme në struktura shtabesh, si në nivel brigade, divizioni apo në Shtabin e Përgjithshëm deri në detyrën e zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, ku dhe mbylla karrierën time, nënkupton angazhime të shumta dhe me kohë të pa limituar, vështirësi, përgjegjësi, sfida sakrifica, privacione, vendimmarrje të ndryshme, arritje, mosarritje, dëshpërim, krenari dhe kënaqësi. Të gjitha sa cilësova më lart e shoqërojnë ushtarakun gjatë gjithë karrierës së tij, sepse kjo është natyra e punës së ushtarakut, kjo është zgjedhja që unë bëra 38 vite më parë. Por e them me sinqeritet që po të kthehesha në kohë prapa, të njëjtën zgjedhje do të bëja dhe sot. E megjithatë, vjen një ditë që karriera mbyllet, e cila vjen natyrshëm ose nganjëherë me sforco për të gjithë ushtarakët, ashtu siç rrjedh edhe vetë jeta. Pothuajse po bëhet muaji që kam dalë në rezervë, por ndoshta është herët që ta ndjej dukshëm ndryshimin e statusit tim. Kjo vjen ndoshta, pasi akoma nuk kanë përfunduar telefonatat me urimet e shokëve, miqve dhe kolegëve, për përmbylljen e suksesshme të karrierës time. E natyrisht që me kalimin e ditëve do ta ndjej më shumë ndryshimin, pasi do të më mungojnë shumë gjëra, ato që një drejtues kryen dhe përjeton çdo ditë në punë, do më mungojnë kontaktet e përditshme me kolegët, me shokët dhe miqtë. Pavarësisht frekuencës së kontakteve me ta në të ardhmen, ata do të mbeten miqtë e mi më të mirë, për të cilët do të ruaj konsideratat më të larta. Nga ana tjetër them se ndjehem mirë që dal nga shërbimi ushtarak aktiv, krenar për ç’kam bërë e arritur gjatë karrierës sime ushtarake, për profilin, integritetin dhe lirinë time të pacenuar, që i ruajta me aq shumë kujdes dhe si këmbeva asnjëherë dhe me asgjë, pse jo dhe i keqardhur për disa gjëra që nuk janë bërë siç do duhej, si dhe me përulësinë për t’i shërbyer edhe në të ardhmen me të njëjtin devocion e besnikëri vendit tim.

Keni lindur në Shkodër, me origjinë nga Vlora, dy qytete me tradita të përbashkëta, por edhe me veçoritë e tyre. Çfarë mendoni se keni marrë prej tyre?
Edhe pse jam me origjinë nga Vlora, unë u linda dhe u rrita në qytetin e Shkodrës, pasi babai im ishte ushtarak dhe shërbeu deri sa doli në pension në atë qytet. Arsimin fillor dhe të mesën i përfundova në qytetin e lindjes. Pas përfundimit të Shkollës ë Bashkuar së Oficerëve, në vitin 1980, shërbeva për 18 vite si ushtarak në Shkodër, ku dhe jetova deri në vitin 2000. Pra kam jetuar për 43 vite në Shkodër. E quaj veten me fat që jam lindur dhe rritur në këtë qytet me tradita historike, atdhetare, kulturore, sportive, në atë qytet me bukuri të rrallë e mes njerëzve të mrekullueshëm e plot humor. Por ashtu siç ndjehem me fat dhe krenar për Shkodrën, po aq krenar ndjehem për Vlorën e historisë, atdhetarizmit, trimërisë, bukurisë, bujarinë etj, por edhe për Dukatin që është vendlindja e prindërve të mi. (kur dua të “mburrem” me Dukatin them që është i vetmi fshat që laget nga dy dete. Kur dua te “mburrem” me Shkodrën them se është i vetmi qytet që rrethohet nga një det, një liqen dhe tre lumenj). Gjithsesi për mua të dy këto qytete mbeten dashuria dhe referenca ime nga mendoj se unë kam formuar karakterin tim. Unë nuk e ndaj dot se cila trevë ka ndikuar më shumë në formimin e karakterit tim, pasi ato kanë shumë gjëra të përbashkëta e të mira dhe këtë e them me shumë sinqeritet. Ndaj ndonjëherë shokët, miqtë dhe eprorët më quanin “shkodranovlonjati”. Meqenëse pjesën më të madhe të jetës dhe të formimit të karakterit tim, por edhe të karrierës ushtarake e kam të lidhur me Shkodrën, nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje të thellë në mënyrë të veçantë, për gjithë ushtarakët, me të cilët kam punuar në vite, por edhe për shokët e miqtë shkodranë dhe shokët e fëmijërisë që zënë një vend të veçantë në memorien time. 

Pa gabuar, por duke parë CV-në tuaj, mendoj se jeni ndër ushtarakët e rrallë në Forcat e Armatosura me një karrierë të gjatë e të suksesshme, duke kaluar shkallë-shkallë të gjitha nivelet e komandimit deri në detyrën më të lartë, atë të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Si i keni arritur këto?
Do të thosha se, veçse me punë dhe me dinjitet arrihet të bëhet një karrierë e suksesshme. Çdo qytetar porsa futet për të shërbyer në Forcat e Armatosura gjëja e parë që duhet t’i shkojë në mend është se ka për të bërë një rrugëtim të gjatë e të vështirë, që ne ushtarakët e identifikojmë me fjalën karrierë. Për këtë ushtaraku duhet që të investohet profesionalisht, si dhe ti vërë dijet në shërbim të vendit të tij. Natyrshëm karriera e ushtarakut shoqërohet me promovime në gradë dhe detyrë të cilat gjithsesi nuk duhet të kthehen qëllim në vetvete. Por pa patur ambicien dhe pasionin për karrierë nuk mund të ecësh para, rrugëtimi i karrierës do ndërpritet dhe nuk mund të ndjehesh i plotësuar. Sa thashë më lartë edhe unë si pjesë i këtij komuniteti ushtarakësh, që në fillimet e mia si ushtarak, e në vazhdimësi u investova në formimin tim profesional dhe u mundova që dijet e mia ti vë në shërbim të misionit dhe detyrave që më besuan. Mendoj se deri diku ia kam arritur. Karriera ngandonjëherë është edhe çështje fati, por mendoj se shumë më tepër se kaq ajo është investim në dije, përkushtim, sakrificë dhe obligim ndaj detyrave që të ngarkohen. Për t’ju përgjigjur edhe pyetjes tuaj, është më se e vërtetë që kam një karrierë të gjatë e të suksesshme me detyra të niveleve të ndryshme të komandimit, deri tek kjo e fundit e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, por jo se jam i vetmi. Gjatë viteve të shërbimit në Forcat e Armatosura kam patur një karrierë jo vetëm të suksesshme, por të ardhur në mënyrë të natyrshme, shkallë shkalë dhe në kohën e duhur. Mund që të ndodhë ndonjëherë që në karrierë të “katapultohesh”, e të nesërmen të gjendesh me grada e detyra të pamerituara, por e mira është që ato të vinë natyrshëm, pa sforcime dhe siç kam një shprehje timen “pa u zvarritur”. Edhe pse qenia ushtarak nuk ka qenë pasioni im i parë, unë e nisa rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të karrierës ushtarake kënaqësi dhe ja ku jam sot. Në momentin që vendosa për ti hyrë rrugës së karrierës ushtarake çdo gjë e mora seriozisht dhe ju përkushtova këtij profesioni të vështirë dhe kaq të nderuar. Duke studiuar në degën zbulim gjërat u bënë pasionante dhe tërheqëse. Më vonë me fillimin e punës (karrierës) u përballa me vështirësitë që vinin nga natyra e profesionit si dhe me obligimin për ti sfiduar ato. Gradualisht kuptova që tek vështirësitë gjendeshin sfida dhe kurajoja për ti kapërcyer ato. Vitet e para të karrierës i kam kaluar me trupa duke filluar nga toga, kompania e deri komandant batalioni zbulimi. Këtë periudhë e quaj si periudhën e hedhjes së bazave të një formimi të qëndrueshëm e afatgjatë profesional, periudhë të formimit të karakterit të fortë të ushtarakut. Këtu kuptova se tek vështirësitë përveç të tjerave qëndronte dhe bukuria e kënaqësia e suksesit. Të gjitha këto më bënin që të ndjehesha mjaft mirë dhe komod me veten time. Kam mendimin se një ushtarak formimin bazë profesional dhe formimin e karakterit të tij e merr nëse ai punon fillimisht me trupa. Duhet të kalosh hallkën e togës, kompanisë e batalionit dhe të rritesh gradualisht. Por puna me trupa kërkon edhe moshën e vet, pasi është e lodhshme, kërkon freskinë e rinisë. Më pas ushtaraket me ambicie për karrierë duhet të kualifikohen për detyra shtabi dhe detyra komanduese të një niveleve më të lartë, pra brigadë e lartë. Unë pas përfundimit të Akademisë Ushtarake 2-vjeçare në Tiranë në vitin 1991, e në vijim, kam shërbyer në detyra të ndryshme që me tepër se lodhja fizike, kërkonin gjykim e vendimmarrje të drejtë. Pa u zgjatur shumë unë mund të përmend se kam kryer detyrën e shefit operativ të Brigadës së Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, detyrën e komandantit të Brigadës së Këmbësorisë në Malësinë e Madhe, detyrën e shefit të zbulimit dhe të shefit të shtabit të divizionit të këmbësorisë po në Shkodër, ku edhe mbyllet karriera ime në këtë qytet të cilin e adhuroj në maksimum. Pjesa tjetër e karrierës sime vijoi në Tiranë, pasi në vitin 1998 emërohem komandant i Brigadës Komando, njësi elitë e atyre viteve dhe shumë e nevojshme për shtetin. Në vitin 2000 i kthehem përsëri specialitetit tim të dashur zbuluesit, por tashmë në detyrën e zëvendësdrejtorit të zbulimit në Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe mandej nga viti 2003 e deri në vitin 2007 Drejtor i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes po në shtabin e Përgjithshëm, detyrë kjo me përgjegjësi edhe më të madhe. Nga viti 2007 deri në vitin 2008, shërbeva në detyrën Komandant dhe Zv/Rektor i Universitetit Ushtarak “Skënderbej”, e cila më shërbeu si një eksperiencë e re në fushën e arsimimit.

Po me vendosjen e gradave?
Me vendosjen e gradave në Forcat e Armatosura në vitin 1991 dhe sidomos me kalimin në vitin 2004 në sistemin gradë funksion, marrja e një grade më të lartë përveçse ishte një ambicie, kishte të bënte edhe me marrjen e detyrës të një niveli më të lartë, por kishte të bënte edhe me “jetëgjatësinë” e shërbimit në Forcat e Armatosura. Kështu në Qershor vitin 2008, pasi kisha kryer edhe Kolegjin e Studimeve të Avancuar pranë Akademisë së Mbrojtjes dhe plotësimit të kritereve ligjore, u promovova në gradën madhore Gjeneral Brigade dhe emërohem Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zallherr, detyrë në të cilën shërbeva deri në vitin 2010. Me riorganizimin e Forcave të Armatosura suprimimit të Forcës së Bashkuar dhe krijimit të Komandës së Forcës Tokësore në vitin 2010 emërohem Komandant i Forcës Tokësore, detyrë në të cilën shërbeu deri në vitin 2012. Në Gusht të vitit 2012 gradohem Gjeneral Major dhe emërohem Zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, detyrë të cilën e kreva deri më 16 nëntor të këtij viti. Gjatë karrierës time ushtarake 35-vjeçare, kam qenë i emëruar në 15 pozicione të ndryshme pune dhe kam shërbyer në nivele të ndryshme të hierarkisë strukturore të Forcave të Armatosura. Karriera ime ka qenë e ndërthurur me arsimimin, kualifikimin dhe me ecurinë në gradë. Jam i vetëdijshëm se gjatë karrierës sime kam patur mbështetjen dhe vlerësimin e eprorëve, kolegëve dhe vartësve, pa të cilët nuk do të isha i suksesshëm. Si shpërblim moral i punës ë këtyre viteve mbaj 13 medalje (dekorata) me motivacione të ndryshme dhënë nga autoritetet me të larta civile dhe ushtarake të FA të RSH. Më 19 Nëntor po të këtij viti në mbështetje të ligjit të karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura, për shkak të plotësimit të viteve të qëndrimit në gradën gjeneralmajor me dekret të Presidentit të Republikës dola në rezervë. Nëntëmbëdhjetë nëntori shënon një moment të veçantë të jetës time, daljen nga sistemi i shërbimit ushtarak aktiv, datë kjo, e cila finalizon përmbylljen e një rrugëtimi të gjatë (maratone) në shërbim të Forcave të Armatosura Shqiptare. Megjithatë ndihem krenar në zgjedhjen që bëra shumë vite më herët, për të shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura dhe në paqe me veten time, që dhashë shumëçka të shtrenjtë që pata, ëndrrat, rininë, pasionin, dashurinë për profesionin e ushtarakut, si dhe vitet më të bukura të jetës sime. 
Me këtë karrierë të gjatë në FA, gati 35 vjeçare si oficer aktiv, keni përjetuar kohën e një ushtrie të konsiderueshme në numër dhe me njësi të mëdha korpuse e divizione, brigada, reduktimin e saj hap pas hapi deri në nivelin e sotëm, si pjesë e strukturës së NATO-s. A mendoni se FA sot janë më të përgatitura dhe më profesioniste?
Është e vërtetë që në kohën kur unë dola oficer, struktura e Forcave të Armatosura ishte e ndërtuar mbi bazën e korpuseve, njësi të nivelit operativ, të cilat përfshinin shumë njësi nga të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve dhe shtriheshin në territorin e dy a më shumë rretheve. Kjo lloj strukture me efektiv dhe njësi të mëdha ishte në përgjigje të konceptit dhe situatës të periudhës së luftës së ftohtë, të një vendi të izoluar si i yni, ku duhej të përgatitej për tu mbrojtur jo vetëm nga një armik, por nga një koalicion armiqsh. Pas vitit 1983 struktura e Forcave të Armatosura u organizua mbi bazë divizionesh e njësive të tjera taktike të varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm ose siç ne i quanim autonome. Pas viteve 90 me fillimin e proceseve demokratike filluan edhe proceset e transformimit të vendit, për rrjedhojë kërkohej transformim edhe të forcave tona të armatosura. Kjo bazuar edhe në aspiratat e këtij vendi për tu bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Që të realizohej kjo aspirate do duhej që të bëheshin reforma të thella përfshirë edhe fushën e mbrojtjes, e cila do ti fuste forcat e armatosura ne një proces rrënjësor transformimi e ristrukturimi. Periudha e partneritetit deri në momentin e integrimit të plotë në NATO, por edhe me pas ka qenë periudhë e transformimeve në fushën ligjore, doktrinarë, koncepteve, vizioneve, standardeve, në fushën e arsimimit dhe përgatitjes, modernizimit, por edhe e ndryshimeve të vazhdueshme strukturore etj, deri në ardhjen e këtij formatimi strukturor që kemi sot. Lidhur me pyetjen tuaj, ndoshta krahasimi është i vështirë të bëhet, pasi janë dy periudha edhe pse vazhdim i njëra tjetrës, por që kanë veçoritë e veta. Periudha e parë e kohës së luftës së ftohtë, kërkonte masa të mbrojtëse vetjake sipas politikave, doktrinave dhe koncepteve të asaj kohe. Pra krijimin e kapaciteteve dhe të fuqisë luftarake për t’u vetëmbrojtur bazuar në parimin “gjithë populli ushtar.” Patjetër që kjo forcë e armatosur bazuar në struktura aktive, rezervë dhe vullnetare do kishte edhe probleme me profesionalizmin. Por sot kur je një vend anëtar i NATO-s dhe operon mbi bazën e konceptit të mbrojtjes kolektive, është e mundur të ngresh dhe të mbash një forcë ushtarake më të vogël në numër, moderne dhe profesioniste. Kështu sasia kompensohet me cilësi. Më përpara bënim stërvitje të shumta dhe me pjesëmarrje të madhe trupash, marshime të gjata e rraskapitëse, por nuk shkëmbenim përvoja me të tjerët për shkak se ishim një vend i mbyllur dhe i izoluar. Ndërsa sot ka ndryshuar gjithçka dhe si vend anëtar i NATO-s që jemi, përveç pjesëmarrjes në stërvitje të përbashkëta ku aplikohen standardeve të njëjta, realizohet ndërveprimi i trupave pjesëmarrëse, përdorimit të gjuhës operacionale, etj. Ne njëkohësisht kryejmë edhe misione të përbashkëta jashtë vendit në interes të paqes dhe sigurisë. Gjithashtu një pjesë e personelit tonë ushtarak është arsimuar dhe kualifikuar në akademitë ushtarake më të mira të vendeve perëndimore, si dhe në Akademinë e Forcave të Armatosura shqiptare, ku sot aplikon programe studimi të nivelit bashkëkohor. Madje jemi në gjendje të hapim edhe kurse të larta kualifikimi për sigurinë e mbrojtjen në nivel rajonal e më gjerë. Prandaj, parë në këtë kontekst dhe marrë në këto kushte, mendoj se sot Forcat e Armatosura shqiptare janë të mirë përgatitura dhe më profesioniste. 

Në rolin e komandantit të Brigadës Komando, Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe të Komandës së Forcës Tokësore keni përgatitur dhe dërguar me qindra ushtarakë në misione paqeruajtëse, duke filluar nga Bosnja, Iraku, Çadi, Afganistani etj. Si kini arritur që ato të jenë të suksesshme dhe a kini pasur ndonjë situatë të vështirë, që duhet përmendur?
Pjesëmarrja e forcave tona të Armatosura në operacionet e mbështetjes së paqes zë fill që në vitin 1996 me nisjen e një kontingjenti të parë në Bosnjë Hercegovinë dhe pastaj në vitet e mëvonshme në Irak, Çad, Afganistan e tani së fundmi edhe në Mali. Në detyrën që kam patur sidomos komandat i Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe në atë të komandantit të Forcës Tokësore, janë me qindra ushtarakë që kanë marrë pjesë në misione paqeruajtëse në Irak, Afganistan dhe Çad, të cilët me përkushtimin dhe performancën e tyre kanë bërë që të rritet imazhi, vlerat dhe kontributi i FA shqiptare në kuadrin e operacioneve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kujdes të veçantë në gjithë këto operacione i kemi kushtuar përgatitjes nga ana profesionale, psikologjike, fizike dhe ruajtjes së gjendjes shëndetësore të kontingjenteve. Për të bërë të mundur përfitimin e përvojës nga të gjithë nënrepartet, por edhe për të ruajtur kompaktësinë e tyre, planifikimi dhe dërgimi i trupave në mision bëhej në bazë rotacioni. Mbaj mend që fillimisht në këto operacione dislokoheshin ushtarakë nga dy repartet elitë të Forcave të Armatosura, batalioni komando dhe batalioni special, por më pas me masat e marra, me rritjen e nivelit të përgatitjes së trupave, në këto misione shkuan edhe nënreparte nga batalionet e këmbësorisë Poshnje, Vau Dejës dhe Zall- Herr. Parë në tërësi për kohën që unë shërbeva në dy njësitë e lartë përmendura, jam shumë i kënaqur nga përfaqësimi i kontingjenteve në këto misione, ku kam patur rastin t’i vizitoj edhe disa herë në Irak dhe Afganistan. Por siç dihet në këto operacione patëm edhe një rast fatkeq të humbjes së jetës të Kapiten Feti Vogli, i cili u bë dëshmori i parë atdheut, rënë në krye të detyrës, në kuadrin e operacioneve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit. Për mua do të ngelet e paharruar dhe ndoshta çasti më i vështirë në jetën time, kur si komandant i Forcës Tokësore do të jepja para opinionit publik shqiptar dhe më gjerë lajmin e rënies në krye të detyrës së kapiten Voglit dhe organizimit e pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të “Dëshmor të Atdheut”. Me këtë rast Përulem me respekt të thellë përpara veprës sublime të dëshmorit të atdheut Kapiten Voglit, si dhe dua të përshëndes dhe të falënderoj gjithë ushtarakët që kanë marrë pjesë në këto misione, direkt me trupa apo edhe në përbërje të shtabeve të NATO-s ku kanë shërbyer.

Në dy operacione të Emergjencave Civile nga përmbytjet keni kryer detyrën e komandantit të operacionit me qendër në Shkodër. Caktimin në këtë detyrë e konsideroni, si pjesë e misionit të forcës që drejtonit apo edhe si besim i eprorëve tuaj në aftësitë individuale dhe si njohës i terrenit dhe mentalitetit të komunitetit shkodran?
Forcat e Armatosura në misionin e tyre, krahas detyrës kryesore për mbrojtjen e vendit kanë edhe dhënien e ndihmës popullsisë në rastet emergjencave civile dhe të fatkeqësive natyrore. Janë të shumta rastet e pjesëmarrjes së forcave te armatosura ne të tilla operacione, por ajo që të bën më shumë përshtypje është që në raste të tilla populli shikon tek ushtaraku, “shpëtimtarin”. Në karrierën time si ushtarak kam marrë pjesë ose kam drejtuar disa operacione të tilla, por për nga përmasat e emergjencës, problematikat që ajo shfaqi, si dhe nga pjesëmarrja e angazhimi i trupave në operacion do të veçoja operacionet në dy përmbytjet e fundit në zonën veriore të vendit, në Shkodër e Lezhë, në vitet 2010 dhe 2011. Në këto operacione kanë marrë pjesë me qindra ushtarakë e mjete të forcave, tokësore, ajrore, detare dhe struktura mbështetëse, si dhe disa institucioneve të tjera të shtetit shqiptar. Pjesëmarrja me kapacitete në këto operacione ka qenë e madhe, por edhe mbështetja ka qenë maksimale, si nga Ministria Mbrojtjes, ashtu dhe nga qeveria apo pushteti lokal. Ajo që merr prioritet në të tilla emergjenca është shpëtimi i jetës së njerëzve, i gjësë së gjallë dhe i pronës dhe kjo realizohet nëpërmjet një evakuimi të shpejtë dhe masave parandaluese që duhen marrë. Më pas vijnë mbështetja dhe furnizimi me ushqim për të garantuar një jetesë e veprimtari optimale, si dhe marrja e masave për kthimin në normalitet të gjendjes. Në raste të tilla emergjencash dhe fatkeqësish natyrore, faktori kohë, pra të reaguarit shpejt, si dhe veprimi i organizuar dhe koordinuar mirë janë vendimtare për suksesin e operacionit. Vjen pyetja pse unë isha në krye të këtyre operacioneve? Ndoshta meqenëse pjesa më e madhe e trupave pjesëmarrëse në operacion ishte efektiv i FT dhe unë isha komandanti i njësisë më kryesorë, asaj të Forcës Tokësore. Mendoj se në suksesin e operacionit ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Pavarësisht vështirësive që vinin nga përmasa që kishte marrë emergjenca, si dhe sasia e efektivave dhe teknikës të përfshirë në të, drejtimin e këtyre operacioneve ma bënin më të lehtë fakti që po operoja në një zonë që e njihja në detaje edhe në të fshehtat e saj, si dhe meqenëse më jepej rasti dhe isha i obliguar për të ndihmuar njerëz që shumicën e tyre i njihja dhe më njihnin. Pavarësisht sa thashë më lartë, arsyen që unë u caktova dy herë rresht në krye të operacionit të emergjencës e shoh edhe si vlerësim të autoriteteve eprore, për të ma besuar këtë detyrë. Uroj që masat ndaj përmbytjeve dhe çdo lloj fatkeqësie natyrore të merren në kohë dhe kjo do të parandalonte dëmet, që ndonjëherë janë me pasoja të pa parashikueshme. 
Sigal