Gjendje e jashtëzakonshme, Vasili: Kryeministër, tërmeti kërkon veprime jo fjalime!

448
Sigal

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili i kërkon kryeministrit Edi Rama të veprojë për situatën e krijuar pas tërmetit katastrofik që goditi vendin duke sjellë dhjetëra viktima, qindra të plagosur e mijëra objekte të dëmtuara.

Vasili shkruan se tërmeti kërkon veprime jo fjalime pasi dëmet janë shumë të mëdha dhe zgjidhja kërkon organizim e financim. Ai i drejton disa pyetje kreut të qeverisë që kanë të bëjnë me masat e marra edhe pas tërmetit të shtatorit për emergjencat civile.

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, shkruan sot në facebook:

Kryeministër, tërmeti kërkon veprime jo fjalime! Situata është shumë e rëndë. Dëmet shumë të mëdha. Zgjidhja kërkon organizim financim dhe veprime efikase. Kryeministri po bën fjalime dhe falënderime. Po bën fjalime dhe jo veprime. Po bën fjalime dhe jo financime. Shqiptarët duan të dëgjojnë qartë sa financime janë vënë në dispozicion? Sa ekipe shqiptare shpëtimi veprojnë? Sa vende janë përgatitur për të vendosur njerëzit, që kanë mbetur pa shtëpi, ku janë dhe si është zgjidhur ushqimi i tyre?

Cilat janë banesat që nuk janë shembur por paraqesin një rrezik aq të lartë sa njerëzit nuk mund të kthehen me në to?

Kryeministri e ka detyrim falënderimin për të gjithë miqtë e mirë, që erdhën nga jashtë për të na ndihmuar por ka disa pyetje për të kuptuar së çfarë nuk ka bërë dhe nuk bën kryeministri:

Pas tërmetit shumë të fortë të shtatorit, pra të 2 muajve më parë: Sa komplete shpëtimi për gjetjen e njerëzve nën rrënoja u blenë?

Si u financua Emergjenca civile me fonde shtesë pas tërmetit të shtatorit për të përballuar situatat e rënda?

Sa financime u miratuan për termetin e shtatorit dhe, nëse miratuan të tilla, si u përdorën?

Situata kaq e rëndë, që po kalojnë shqiptarët nuk ka nevojë për demostrime cinike dhe neurotike aktrimi të kryeministrit, pra nuk na duhen fjalime por veprimeeee!