Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagon: Gjakmarrja dënohet rëndë por ngujimi vazhdon

Komiteti Shqiptar I Helsinkit (KShH) edhe para tre muajve ka reaguar publikisht kundër fenomenit shqetësues të ngujimit të familjeve (midis tyre edhe fëmijëve) për shkak të kanosjeve dhe rrezikut për jetën nga persona që, duke mos përfillur ligjet e shtetit, janë të predispozuar të kryejnë veprën e gjakmarrjes.

Në datën 13 Nëntor 2017, KShH u njoh me një reportazh të dy gazetarëve të televizionit britanik që kishin investiguar situatën e gjakmarrjes dhe të ngujimit në Qarkun Shkodër. Në këtë reportazh, veç të tjerave thuhet se, për shkak të gjakmarrjes “68 familje në rajonin e Shkodrës...nuk dilnin nga shtëpia”. Ata kishin marrë takim me fëmijë të ngujuar që nuk shkonin në shkollë dhe me mësues që zbatonin programe të veçanta mësimore duke shkuar në banesat e tyre.

Ky është një fakt i njohur. Ndonjëherë flitet në përgjithësi, bëhet edhe ndonjë deklaratë por vetëm kaq.

Institucionet përgjegjëse shtetërore nuk raportojnë si është zbatuar Ligji nr. 9389, dt. 04.05.2005, “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”. Kanë kaluar 12 vjet nga miratimi i këtij ligji dhe publiku i gjerë nuk ka asnjë informacion çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë, a ka patur një identifikim të saktë të njerëzve të ngujurar dhe zonat ku ata banojnë nga vetë strukturat shtetërore dhe çfarë po bëhet për mbrojtjen e jetës së tyre dhe krijimin e një mjedisi të sigurtë, si janë zbatuar ose nuk janë zbatuar planet koordinuese dhe a ka kush përgjegjësi për këtë gjëndje (ngujimin) që vazhdon të jetë tepër shqetësues.

KShH mendon se, ky është një problem që na takon ta zgjidhim ne, por nuk mund të anashkalohet se vetë vazhdimi i ngujimit, ku përfshihen edhe fëmijët, deri në një farë mase cënon edhe imazhin e vendit tonë që aspiron integrimin në familjen Europiane. Kjo përforcohet me faktin se disa vende të Bashkimit Evropian po përballen me kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë për shkak të ngujimit dhe pamundësisë së shtetit për ti mbrojtur ata.

KShH i bën thirrje qeverisë dhe organeve shtetëore përkatëse që të vlerësojnë seriozisht këtë problem. Vullneti i shprehur në mënyrë deklarative është i pamjaftueshëm dhe shteti duhet të marrë marrë masa për të adresuar efektivisht këtë fenomen. Anashkalimi apo nënvlerësim i tij nuk do të ishin të justifikueshme.

Gjithashtu, KShH është i bindur se, koordinimi dhe bashkëpunimi konkret, i vazhdueshëm dhe efektiv edhe me shoqërinë civile, do t’i shërbejë krijimit të atmosferës së sigurisë, rendit, mbrojtjes të shëndetit dhe jetës të të ngujuarve si dhe respektimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet sundimit të ligjit.