Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe të Shkollës së parë kombëtare Shqipe!

2746
Sigal

Në Shqipëri,  7 Marsi- Dita e Mësuesit- për herë të parë ka filluar të festohet më 7 Mars 1960

Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

 Përpjekjet e para

Edhe pse para vitit 1887 janë hapur dhe janë bërë përpjekjet  të hapen shkolla shqipe si ajo e Kurbinit 1632, shkolla e Perdhanes 1638, shkolla e Blinishit 1639, shkolla e Janjeves 1665, Akademia e  Voskopojës 1750 dhe tjera, si datë historike është futur në kalendarin e historisë së kulturës shqipe “Mësonjëtorja  e  Korçës” si shkolla e parë e cila u hap më 7 Mars të vitit 1887. Kuadrot e parë  të mendimit patriotik shqiptare ishin mësuesit:  Petro Nini Laurasi, Nuçi Naçi dhe drejtori i parë ishte Pandeli Sotiri. Në Shqipëri 7 Marsi- Dita e Mësuesit- për herë të parë ka filluar të festohet më 7 Mars 1960. Kurse në Kosovë, Ilirde, Luginë të Preshevës dhe Mal te Zi, Dita e Mësuesit filloi të festohet pas viteve 1990. Rilindësit tonë e kishin futur edhe jetën e tyre në rrezik,  çështjen madhore kombëtare për alfabetin dhe  çështjen e shkollës shqipe. Veprimtari dhe patrioti Petro Nini Luarasi u përndoq nga xhonturqit dhe patrikana e Stambollit dhe ai vdiq i helmuar në Ersekë, më 17 gusht të vitit 1911

Kushtet e vështira

 Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi. Në prag të kësaj dite të shënuar, populli ynë i ka ende të freskëta sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë. Kur kujtojmë 7 marsin e vitit 1887, mendja jonë është gjithmonë tek mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës e cila falë kontributit të pishtarëve të arsimit të asaj kohe si dhe të shumë brezave të tjerë, bëri të mundur që dituria dhe mendja e edukuar e kombit tonë ta përmbyste përgjithmonë heshtjen dhe asimilimin që të tjerët padrejtësisht me shekuj na kishin imponuar. Përvjetori i Mësonjëtores dhe Dita e Mësuesit shënojnë një nga elementët kryesorë të Rilindjes, kur përpjekjet e atdhetarëve nën drejtimin e Komitetit Kombëtar sollën çeljen e shkollës së parë të mirëfilltë kombëtare shqipe, të caktuar në qytetin e Korçës më 7 mars 1887. Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e Komitetit Kombëtar dallohej për fizionominë e saj kombëtare. Në të, mësimi zhvillohej vetëm shqip, djem e vajza bashkë dhe pa asnjë përmbajtje fetare. Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa me rreth 35 nxënës, numri i të cilëve pas tre muajsh do të shkonte në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300. Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.

Urime të gjithë mësuesve për punën e tyre fisnike në arsimin tonë kombëtar pas Rilindjes deri më sot, e cila shtrihet tashmë nëpër tri shekuj!

 Funksioni i mësuesit

Funksioni i mësuesit gjatë jetës nuk do të jetë vetëm dhënia e mësimit, por edhe edukimi i drejtë i brezave të rinj. Do të mbështeten në synimet dhe idealet e zhvillimit shoqëror, duke mbjellë kështu farën e ardhmërisë më të mirë dhe më të lumtur.
Dihet mirëfilli se, të gjithë mësuesit e mirë, njëkohësisht kanë qenë njerëz me ideale dhe e kanë dashur arsimin dhe punën edukative, kanë dhënë gjithë mundin për arsimin dhe edukimin e drejtë të gjeneratave të reja. Mësuesit e vyeshëm edhe nëse nuk kanë lënë vepra të shkruara, kryevepra e tyre është puna edukative me brezat e rinj, me masat e gjera popullore. Mësuesi gjithmonë ka qenë edhe mbetet njeriu më i afërt i masave popullore. Edukimi i atij brezi të ri do të bëjë punën e mësuesit të përjetshme. Sado e vogël dhe e thjeshtë të duket kjo punë e mësuesit, ajo shkruhet në analet e shkollës, edhe pse mësuesi atë nuk e shkruan me laps, por me punë dhe me mund. Pikërisht për këtë arsye, mund të them se puna e mësuesit gjatë jetës do të mbështetet në ideal dhe në pasion për përparim kombëtar…

Profesioni i mësuesit
Profesioni i mësuesit është mjaft i mirë, por edhe shumë i vështirë. Kjo thënie aq kuptimplote dhe aq e thellë mund të kuptohet seriozisht vetëm nga ana e atyre arsimtarëve apo edukatorëve, që këtë profesion e konsiderojnë si të tillë: të mirë, të vështirë dhe shumë me përgjegjësi. Që të edukosh të tjerët duhet vetë të jesh i edukuar, që të ndikosh drejtë te brezi i ri, duhet të jesh shembull i mirë. Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë, i drejtë, i ngritur dhe i arsimuar në shkallë të duhur, të ketë pikëpamje të drejta e të qarta, kulturë të gjerë shkencore, të luftojë primitivizmin dhe të kontribuojë në ngritjen arsimore e kulturore. Mësuesi si edukator i gjeneratës së re, të cilit i është besuar kjo detyrë shumë e rëndësishme, duhet të jetë shembull për nga cilësitë e karakterit, ndër të cilat në radhë të parë duhet të numërojmë modestinë, si virtyt shumë i lartë i njeriut. Ky profesion, profesioni i mësuesit, edukatorit është i rëndësishëm, sepse mësuesi i mëson dhe edukon lulet më të bukura – të vegjlit dhe të rinjtë, brezin e ardhshëm. Mësuesi duhet të arsimojë dhe edukojë brezin e ri, ta pajisë me tërë atë që do t’i kontribuojë zhvillimit të mëtejmë të shoqërisë. Nisur nga kjo, duhet thënë se para mësuesit – mësimdhënësit, edukatorit dhe profesorit shtrohen detyra të rëndësishme. Mësuesi, jo vetëm që është transmetues i shkencës dhe kulturës, i traditës dhe historisë njerëzore, por edhe i vlerave materiale e morale. Puna e mësuesit nuk është punë e rëndomtë e një punëtori apo e një nëpunësi, punë e një zejtari, por është punë që kërkon para së gjithash, ideal. Sepse, ai ka në duart e veta forcën subjektive të zhvillimit të mëtejmë të shoqërisë, ka në duar dhe duhet të edukojë gjeneratën e re, e cila duhet ta zëvendësojë të vjetrën. Në duart e mësuesit nuk do të jenë vetëm punëtorët dhe ekspertët e ardhshëm të veprimtarive të ndryshme, por do të jenë edhe shkencëtarët edhe letrarët, edhe piktorët dhe skulptorët e shumë e shumë talente të tjerë të profesioneve të ndryshme. Prandaj, është detyrë e mësuesit, që këta talente t’i zbulojë dhe t’u japë mundësi për zhvillim të plotë. Mësuesi duhet të punojë jo vetëm për aftësim intelektual të nxënësve, por edhe për aftësimin e përgjithshëm, për zgjerimin e kulturës në të gjitha fushat, t’i aftësojë për të kuptuar dhe për ta adhuruar artin, sepse atë mund ta kuptojnë vetëm njerëzit e ngritur në këtë pikëpamje.

 Rëndësia

 7 Marsi- Dita e Mësuesit, është një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptare, duke përfshire edhe mërgatën gjithë shqiptare të shpërndarë nëpër bote. Është e pakontestueshme se arsimi,  kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi. Për të ruajtur arsimin, kulturën, shkencën dhe artin e kombit tonë u flijuan shumë veprimtarë. Lavdi mësuesve të gjuhës shqipe që flijuan jetën për alfabetin tonë!

Albert Z. ZHOLI

***

 8 Marsi në shpirt na zgjon mallin për nënat, që nga kjo botë u ndanë

 Në kujtim të nënave!

 Kujtimet që na sjellin erë malli. Zëri i tyre na vjen si puhizë e lehtë ledhatuese, që na freskon ballin dhe na heq lodhjen e ditës. Vitet kalojnë, 8 Marsi në shpirt na zgjon mallin për nënat, që nga kjo botë u ndanë. Një pikë loti nga sytë më rrëshqiti e mendimet më fluturuan larg. Kujtimet shpërthyen si lulet ne prill e në maj. Erdha në vendlindjen e Kaonëve, ku nëpër net bisedojnë yjet me qeparizat e lartë. Duke ecur, ngarkuar me shumë mall e trishtim, u ngjita në rrugët e ngushta të fshatit tim, Iliasit. Erdha të marr çfarë më përket prej këtij malli. Nënat tona të mira, atyre që hapin nuk ua ndjejmë më, më futën në mendime të thella. Me një kërkesë të thjeshtë e fisnike: – Mirënjohje për ato që jetën na falën! Një ndjenjë e veçantë malli e ngashërimi më drithëron shpirtin, atje tek shoh shtëpitë e ngritura me gurë. Brenda tyre, ato mbrunin bukën e misërt në magje, në anë të vatrës furka mbështetur rri. Në avlli është pusi me ujëshumë. Nënat tona sqimëtare, trimëreshat që ngjeshën gjerdanët me fishekë, ato qe ballin ua mbulonte shamia e zezë, që me duart e arta llamburisnin rrugët dhe avllitë. Ato që s’hoqën çorape e triko nga duart, as futën ku mbështillnin pak bukë e djathë. Ato që me krahë peshuan bucelat me ujë dhe ullinjtë e trashë. Ato që ngarkonin barrën e druve dhe bagëtinë e çonin në mal e në vërri. Patriotet, hijerëndat, të patundurat në kuvende, te patremburat në rrebeshe e stuhi. Ato që jetën e kaluan me halle e derte, e që jeta nuk u afroi sallonet me shkëlqim, as takëme me stoli. Ato që s’vunë asnjëherë të kuq në buzë e faqe, por me duart e rreshkura tërë kallo, dinin të përkëdhelnin ëmbëlsisht. Na lidhin me to kujtime, dhimbje e shumë mall. Pa lajmëruar askënd, ato ikën. Nuk deshën të shqetësonin njeri, se kjo botë ka mjaft halle e brenga. Ato ikën në majë të gishtërinjve, pa shënuar kurrë adresën e tyre, se për ku. Vazhdojnë të largohen mes zhurmave të kësaj bote, mes lajmeve të trishta e britmave të çjerra. Janë ato që s’na lënë vetëm në këtë natë. Shpesh nga varret i ngrejmë me thirrjet: – O nënë! Nëna, një emër i pashuar, i pa zbehur nga dheu ku janë mbuluar. Emër i gdhendur në palcën e shkëmbit, për të mbetur i bukur në rrënjët e tokës mëmë. Nëna, yll që na udhëheq mes ëndrrave, vjen me zërin e ninullave nga lashtësia e djepit të drunjtë. Jeni gjuha jonë, gjuha e të parëve. Djepi juaj na ka rritur, djepi juaj na ka plakur, në prehrin tuaj jemi gjetur, në prehrin tuaj kemi mbetur. Nëna, jeni toka e bleruar ndër vite e shekuj, pas jush kujtimet vijnë. Në dejet e zemrat tona, gjaku juaj gurgullon, vrapon dhe jetës i jep jetë.  Ky nderim e respekt është sa njerëzor aq dhe i madhërishëm, për nënat tona gojëmjalta, nikoqire, duararta, zemërzjarrta e të dhimbsura deri në flijim. Ashtu si nëpër ëndërr, i shoh që kalojnë qafa malesh, për të shkëmbyer ushqimet që u duheshin për fëmijë, nëpër ngrica e acar, duke ecur linin pas jehonën e këngëve e të humorit me të cilat mposhtnin lodhjen, vuajtjet e varfërinë. Shoh ato që ngjeshën në brez gjerdanët me fishekë e dolën malit për liri. Ato që ndihmonin me veshje e ushqime bijtë e tyre partizanë, ato që u shëronin plagët dhe i prisnin e përcillnin me ç’ka u ndodhej në sofër, por me shumë dhembshuri e përkushtim. Shoh ato që plugonin tokën me parmendë përkrah burrave, ato që si në një stafetë ja linin turnin njëra-tjetrës nëpër tezgjahe, fabrika e uzina, ato që si burrat punonin me tokmak, në ndërtimin e traseve të hekurudhave e tërë atë brez nënash që u rreshtuan përkrah burrave, për ndërtimin e vendit të shkatërruar nga luftërat e përgjakshme që kaloi vendi ynë. Ato që darkave shkonin në kurse, për të mësuar shkrim e këndim, e më vonë ato që filluan të shkolloheshin, jashtë e brenda vendit, si mjeke, mësuese, inxhiniere etj., etj. Brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë duhet të njohin cilësitë e mira të gjysheve e stërgjysheve të tyre dhe t’i përcjellin ato më tej. Akoma dhe sot ndjejmë përkëdheljet e tyre, buzëqeshjen, guximin dhe kurajën që i karakterizonte, sidomos në çastet më të vështira të jetës. Ndjejmë erën e ftonjve që vinin në sëndukët e rrobave, për aromë të mirë. E ulur nën pjergull, nën dritën e hënës dhe të yjeve të shndritshëm, më vijnë valë-valë kujtimet dhe mbresat e fëmijërisë, dhimbja dhe krenaria për to dhe malli i pashuar, që shkuan para kohe dhe na mungojnë. Nënat tona të mira, shamizezat që kaluan nëpër dallgë e stuhi, i ka zënë gjumi rëndë, prehen në qetësi. Mbi shtratin e tyre tashmë janë rritur lulet, të vaditura me lot malli. Ato s’harrohen, do të mbeten thesare! Përherë do të ndjejmë mirënjohje dhe mall të pashuar për to!

 Eglantina Bifsha Bajrami

 ***

 Mësues dhe heronj për dritën e diturisë

 7 Marsi na flet më së miri për përpjekjet dhe sakrificat heroike të mësuesve në të gjithë vendin dhe kombin tonë për përhapjen e dritës së diturisë. Natyrisht që nuk mund të jetë e lehtë të shkruash për mësonjësit e gjuhë shqipe, sepse është një histori e madhe nga sasia e personelit që ka punuar në këtë fushë, nga më jetësoret në jetën njerëzore, por edhe e mbushur me plot sakrifica dhe heroizëm. Mjafton të përmendim faktin që për figurën e mësuesit janë realizuar me sukses të madh disa filma artistikë shqiptarë, madje edhe nga më të shkëlqyerit, si “Komisari i dritës”, “Udha e shkronjave”, “Mësonjëtorja” etj. Këta filma shprehim një ide të madhe, atë të heroizmit të mësuesit që sakrifikohet për të realizuar detyrën e tij fisnike, atdhetare dhe arsimore, t’u mësojë fëmijëve të popullit gjuhën e bukur shqipe. Dhe meqenëse jemi tek kjo ide, le të themi se kjo luftë bëhej me pushtuesit e huaj që donin ta asimilonin gjuhën tonë, e cila rezistoi nga përpjekjet heroike të mësuesve shqiptarë që morën dritën e diturisë nga Rilindja Kombëtare dhe me të u mësonin fëmijëve shkronjat e bukura shqipe. Dhe meqenëse zumë në gojë filmin artistik dramatik shqiptar “Udha e shkronjave”, personazhi kryesor i tij është mësuesi Dhaskal Todhri (Mësues i Popullit) Lindi në Elbasan në vitin 1730. Dhaskal Todhri ishte klerik dhe mësues atdhetar. Luftoi kundër klerit të huaj që pengonte përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare dhe në shkollë. Iu përkushtua me vetëmohim përhapjes së gjuhës shqipe derisa Patriarkana e Stambollit e zhduku fizikisht në vitin 1805. Fatin e keq të Dhaskal Todhrit e patën edhe shumë e shumë të tjerë përhapës të dritës së diturisë. Një personalitet i madh është p.sh. Mësuesi i Popullit, Pandeli Sotiri. Ai ishte mësuesi dhe drejtori i parë i Mësonjëtores së Korçës, 7 Mars 1887, ngjarje historike kjo që zë fill edhe Dita e Mësuesit. Ai ishte nga iniciatorët e parë të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqipe”, e cila drejtohej nga ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri. Në vitin 1887 hapi Mësonjëtoren e parë Shqipe të Korçës. Ai jepte mësim, duke mbajtur në brez koburen, se e dinte që Patriarkana e kishte shpallur armik të saj, qëllim ogurzi ky që e realizoi në Stamboll, në vitin 1891, me një “vdekje aksidentale”.

Koto Hoxhi – Mësues i Popullit. Nga Qestorati  i Gjirokastrës. U arsimua në Stamboll dhe bashkëpunoi me vëllezërit Frashëri.

Papa Kristo Negovani: Mësues i Popullit. Personalitet i madh i arsimit dhe gjuhës shqipe, atdhetar i pamposhtur edhe kur armiqtë i morën gjakun e trupit. Ishte nga Negovani. Studioi për klerik në Athinë, por kur u kthye në atdhe, kërkoi që shërbesat në kishë të bëheshin në gjuhën shqipe, çka binte ndesh me qëllimet reaksionare të shovinistëve.

Petro Nini Luarasi – Mësues i Popullit, një nga personalitetet më të mëdhenj të gjuhës shqipe, për të cilën  u personifikua si “Shqiponja e gjuhës shqipe”. Mjafton të kujtojmë thënien e tij brilante: “Vramëni, po mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”.

 At Llambro Ballamaçi – Mësues i Popullit. Ishte arumun, por punoi shumë edhe për gjuhën shqipe. Kur u çel Mësonjëtorja e Korçës, ai dërgoi shumicën e nxënësve të tij që të mësonin shqip. Pasi shkoi në Stamboll u lidh me vëllezërit Frashëri, Murat Toptanin dhe atdhetarë të tjerë të njohur. Pas kësaj iu përkushtua shumë përhapjes së shkollave shqipe. U vu në survejim nga Patriarkana, Metropolia e Korçës dhe kryesisht nga dhespoti vrasës grek, Foti.

Sali Nivica: Ishte publicist i talentuar dhe me ndjenja të larta atdhetare. Intelektual poliglot e punëtor i palodhur, me majën e penës së mprehtë përdorte humorin, sarkazmin dhe alegorinë për të demaskuar hidhur pseudopatriotët. Drejtonte gazetën “Populli” në qytetin e Shkodrës.

 Luigj Gurakuqi: Mësues i Popullit. Ndër më të shquarit intelektualë të Shkodrës. Personalitet i arsimit dhe financave kombëtare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit 1908. Drejtor i parë i Normales së Elbasanit më 1909. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Ismail Qemalit kur u shpall Pavarësia Kombëtare.

Jordan Misja: Lindi në Shkodër më 1911. Kreu një kurs për arsim në Elbasan dhe u emërua në Vrakë, aty ku kishte qenë edhe Migjeni, shoku i tij, si rastësi edhe Jordani shërbeu në Pukë, ku kishte qenë mësues po Migjeni. Duke pasur pasion artin, shkoi për studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Firencen e skulpturës magjepse. Atje bashkëpunoi me studentin vizionar, shok i idealit atdhetar, Qemal Stafa.

Shejnaze Juka, Heroinë e Popullit. Lindi në Shkodër, më 15 gusht 1924. Studioi në Itali, por i la mësimet për shkak të pushtimit fashist dhe u kthye ne Atdhe, duke vazhduar shkollën pedagogjike në Tiranë. Pati shoqe shkolle Margarita Tutulanin, Ylbere Bilibashin etj.

 Myzafer Asqeriu: Ishte normalist. Pati një aktivitet të madh revolucionar. Kudo që dënohej, burgosej e internohej, ai bëhej tmerr për fashistët dhe tradhtarët. Në një telegram të 15 prillit 1942, fashistët  njoftonin kuesturat e Shqipërisë, në Pejë, Prishtinë dhe Prizren, që ta gjurmonin dhe kapnin Muzo Asqeriun.

 Hiqmet Buzi: Hero i Popullit. Një nga heronjtë e Toponasë së Vlorës. Shkoi në Normalen e Elbasani, por pati peripecitë e tre përjashtimeve nga shkolla. Kthehet në Vlorë i mbushur me plot urrejtje për fashizmin, ndaj menjëherë aktivizohet në veprimtarinë luftarake. Në tetor 1942 rrethohet në shtëpinë e tij, bashkë me tre shokë të luftës, të cilët bien heroikisht, duke treguar para botës dashurinë e madhe për Atdheun. Të katër u shpallën Heronj të Popullit.

Raqi Qirinxhi: Mësues i Popullit. Lindi në Korçë, më 20 qershor 1913. Studioi jashtë shtetit në Strasburg, Paris e Klermon-Ferran për matematikë dhe fizikë. Në Torino studioi për inxhinieri. U emërua mësues në Liceun e Korçës. E la punën në Lice dhe shkoi malit me partizanët,

Ndrec Ndue Gjoka: Mësues i Popullit ose Komisari i Dritës, siç quhet në filmin artistik shqiptar. Iniciator me Bardhok Bibën për hapjen e shkollave dhe kurset kundër analfabetizmit. Po a mund ta linin kollaj obskurantistët e errësirës mesjetare që e ndalonin popullin të shihte me sytë e dritës së diturisë?! Reaksioni e vrau mësuesin kur ai ishte vetëm 27 vjeç, por shumë largpamës dhe vizionar, sidomos për emancipimin e vajzave dhe grave mirditore. Ja si shprehet poeti Ll. Siliqi në poemën që i kushtoi këtij mësuesi hero: “..Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat,/Ndërmend do sjellim nji emën nderues,/Emën të dashun  porsi fëminia/Emrin e thjeshtë, por të madh, Mësues!”

 Shënim: Faktet jetësore të këtij shkrimi janë marrë nga libri “Shqiponja dhe pëllumba” të autorit LUMAN H. CAKA (OSOJA)

 Përgatiti: SADIK MURAJ

***

Zëri i zemrës së nënës…

Nga Vasil  Gjylameti

Koha ikën tutje, kujtimet e sjellin tëhu, është oshtima e ngjarjeve të asaj kohe. Kështu ndodhi dhe  me mua. Zhaneta, gruaja ime, atë ditë që Adella na bëri vizitë, filloi të më tregojë një ngjarje që përcillte oshtimën e LANÇ, erën e barutit, të trimërisë, por edhe të dhembjeve, përcillte jehonën e krismave të armëve të dy kushërinjve të asaj dëshmorë, Ndreçi dhe Gjon Pendavinj, por edhe zërin e zemrës së nënës së tyre Efigjenit…

Vështirësitë e jetës na kishin hedhur në Strugë, vështirësi që herë ngriheshin furishëm si dallgët e liqenit herë fashiteshin. Babaj punonte punëtor, por vdiq aty i ri, mamaja, mësuese, përhapte gjuhën shqipe, dituri e kulturë. Dy vëllezërit e vegjël dhe unë ishim aty, ndërsa vëllai i madh, Koçua dhe motra, Neta, kishin mbi një vit partizanë. Unë, tregonte Zhani, isha e vogël, sapo kisha kapërcyer të nëntë vjetët. Një ditë, e mbaj mend, ishte dimri i vitit 1944, mamaja më tha se do të  shkoja në Korçë. E vogël je, por s’kam ç’të bëj, do të shpiesh atje një haber. Është i hidhur, farmak. Këtë copë fanellë… (Ajo shpalosi një shami të shpuar nga plumbat) dhe këta penj me gjilpërën. Do t’i futësh në gjoks… Asaj mezi i dilnin fjalët, ndërsa copën e fanellës e lau me lot. Unë, ç’është e vërteta, s’po e kuptoja akoma përse e kishte fjalën, por ajo vazhdoi: “Këtë do t’ia shpiesh teta Efigjenit. Janë të Gjonit, që me sa kemi marrë vesh është vrarë, diku në luftë”. Unë shtanga, më shpoi si thikë në zemër, më rrodhën lotët, por edhe nuk e shkoja dot në mend si do ta çoja këtë lajm të zi, kujt do t’ia thosha, si do t’ia thosha… Zemra më rrihte fort, mendoja, si do të udhëtoja unë vajzë e mitur!?… Por mamaja më tha se do të udhëtoja me një shofer të njohur.…Aty nga dreka u nisëm, por na u desh të qëndronim një natë në Pogradec. Të nesërmen mbërritëm në Korçë. Porosinë e kisha që t’ia thosha vetëm motrës së mamasë, por nuk ndodhi ashtu. Ndërsa hyra në shtëpi, në oborr erdhi Adella. Unë, si e mitur, nuk mendova gjatë dhe i thashë:  “Della, e di pse më ka dërguar mamaja, për t’u lajmëruar se ka ndodhur një e keqe… Në grykë m’u bë një lëmsh, nga sytë më rrodhën lotët… Della, është vrarë Gjoni! Dhe iu hodha në qafë, e mbulova me lot.

Gjëma u përhap menjëherë. Teta Efigjeni më kërkonte t’i tregoja… Unë nxora nga gjoksi copën e fanellës dhe gjilpërën. Ajo i puthte, i mbuloi me lot. Qante duke kujtuar Gjonin, si e përcolli partizan, si e rriti me njëmijë halle, përmendte shkollën e lojërat e tij. I qante zemra, i pikonte gjak, që i ishte bërë helm që iu shtua më vonë dhe një plagë e dytë kur ra Nderçi… Ajo e ndjente thellë se ishte zëri i zemrës së saj, kushtrim që i përcolli në luftën për liri… Njëri, Ndreçi, partizan në Brigadën IV Sulmuese, ra por nuk u mor vesh se ku mbeti i vrarë apo i ngrirë në dëborën e madhe në Operacionin e Dimrit, ndërsa, siç u mor vesh më vonë, Gjoni, partizan në Brigadën I Sulmuese, kishte rënë trimërisht në luftimet e Patosit. E ndërsa dy plagët e zemrës nuk iu mbyllën kurrë, mbetën plagë të ndezura, edhe lotët nuk i pushuan, por edhe zëri kushtrim i zemrës së saj u bë më i fortë, u bë më trime për të marrë hakun e tyre, qëndroi gjithnjë në ballë të grave dhe nënave korçare. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe me këtë nënë dhe mësuese heroinë shqiptare, që për Shqipërinë shtëpia e saj kish qenë gjithnjë fole shqiponjash. Bijë e një muratori. Një zanë në rrugët e jetës, që siç tregonte Efigjeni, nëna e kish “rritur me izijet”, por dhe familje atdhetarësh, që grekët nuk iu ndanë së persekutuari. Zëri i saj u dëgjua si bilbil që ditën e parë të hapjes së Shkollës shqipe të Vashave. Ajo tregonte:

 Kur u bëra 7 vjeç, nëna më shpuri për herë të parë në shkollën shqipe të Vashave ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën amtare, zëri i saj i njomë do të na kujtonte sot, atë vajzë të vogël, në filmin “Mësonjëtorja”. Këtë na e përcjell ajo me “Oda e Osmanit”, kur kujton bujtjen e çetës patriotike në Mësonjëtore. Në shkollën Shqipe të Vashave në Korçë, ka pasur një dhomë të fshehtë, shkruan ajo, ku shpesh herë mblidheshin patriotët e militantët e Lëvizjes Kombëtare. Drejtoria na kish porositur të mos hynim në atë dhomë, të cilën e quanin “Oda e Osmanit”. Sevasti Qiriazi, drejtoresha e shkollës dhe mësuesi Grigor Cilka mbanin lidhje me çetat patriotike (sidomos me çetën e Çerçiz Topullit), të cilët kishin filluar luftën me armë kundër qeverisë turke… Një ditë na ra era se në Odën e Osmanit (kujdestari dhe rojë i shkollës) kishin hyrë komitë. Ne e kishim mësuar se në zonën e Korçës luftonte çeta e Çerçiz Topullit, ku bënte pjesë dhe Mihal Grameno. Shoqet e mia dhe unë donim t’i njihnim këta komitë.  Dhe për këtë sajuam një lojë me top, që gjoja duke e takuar shtymë derën e Odës, hymë brenda dhe i pamë komitet.

Zëri i saj do të ushtronte dhe në shoqatën “Ylli i Mëngjezit”, shoqatë e krijuar më 1908, që kish për qëllim përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe,  në të cilën u zgjodh sekretare e saj. Ajo do të  merrte pjesë si aktore edhe në shfaqjen e parë të dramës “Vilhelm Tel” në një kujtim me titull “Vashat në skenë” ajo shkruan se zgjedhja e kësaj drame nuk ishte e rastit, se aty paraqitej lufta për liri e popullit zviceran. “Dramën e përgatitën mirë e bukur, bëmë shumë propagandë dhe ftuam mjaft gra të krishtere e myslimane dhe disa gra nga familje me ndjenja  grekomane me të cilat qenë bërë shoqe dhe me punën tonë përpiqeshim t’i afronim në vatrën e idealeve kombëtare. Burra nuk ftonim për shkak të grave antifashiste që rrinin të mbuluara. “Një lule e gjuhës shqipe, e çelur si një gonxhe”.

Mësuese pioniere, një pishtar i gjuhës dhe diturisë, i mbrojtjes së saj, u radhit përkrah patriotëve të mëdhenj, si Themistokli Gërmenji dhe më 1916-1917 u caktua drejtoreshë e shkollës së parë fillore të Vashave, që u quajt shkolla nr.1. në shtëpinë e saj krahas abetares qëndronte dhe pushka, ndaj Th.Gërmenji do t’i thoshte: “Shumë mirë mësuese! Ti je një lule e gjuhës shqipe, e çelur si një gonxhe!”. Por pikërisht këtë zë donte ta mbyste regjimi i Zogut, që e pushoi nga puna më 1936 se nuk kishte arsim përkatës, ndërsa ministri i Arsimit, për këtë padrejtësi iu përgjigj me ironi: “Punë e madhe se paske qenë patriote, ja t’u themi një faleminderit e mbaroi”. Efigjeni nuk u mposht, mbeti e flaktë, atdhetare, kryetare e organizatës së gruas antifashiste. Zëri i zemrës së saj u rrit më shumë, u bë trumbeta kushtrimi kur mbi vendin tonë shtriu kthetrat fashizmi. Dhe Korça e pa atë edhe në ballë të demonstratave, e pa të përhapte flakët e luftës bashkë me nxënësit me ata që u mësoi shkrimin shqip, por që tashmë ishin profesorë dhe profesoresha, inxhinierë apo mjekë, e pa atë të hynte në vatrat, midis grave, ndaj dhe u tha djemve: “Dikur bijtë e mijë partizanë, atdheu u thërret, do luftëtarë” dhe djemtë, me fjalën e nënës në zemër, iu ngjitën malit, dhanë gjakun, rininë e tyre për lirinë. Korça e pa atë mësuese pioniere, atë që bëri kauzë të përbashkët me Rilindësit, me Sevasti e Parashqevi Qiriazin, si kryetare të Organizatës Antifashiste të Gruas që në prill 1943, të zgjedhur në Konferencën e Parë Antifashiste të Grave të qytetit.

Efigjeni, trupvogël, por me shpirt të madh, me mendje të madhe, e shohim një nga nxënëset e para të shkollës shqipe të vashave, një nga mësueset e para të saj një patriote në një familje të madhe patriotësh, e shohim në ndihmë të çetës e veprimtarisë së Themistokli Gërmenjit, nga kish lidhje Llazo Pëndavinji, burri i saj, motrën e të cilit kish për grua Themistokliu, një nga ato nëna atdhetare që e kthyen shtëpinë e saj bazë ku strehoheshin ilegalë, partizanë nga niseshin për aksione.

Efigjeni! Është një nga ato nëna që rriti në shpirtin e bijve dhe të nxënësve dhe nxënëseve të saj lule të tilla të bukura si atdhedashuria, besnikëria, dashurinë për njeriun dhe për njëri-tjetrin, myslimanë e të krishterë, për emancipimin e vajzave dhe grave. Ajo ishte nga ato të parat gra të librit të shqipes, abetares, që ishte siç thotë një shkrimtar, “Shpat e ndritur e lirisë, i vari dhe pushkën”.

Mësuesja pioniere, nëna e dy dëshmorëve, u hidhërua shumë, siç hidhërohen nënat për humbjen e bijave, i qau syri e zemra deri në fund të jetës së saj, mbetën në të dy plagë të ndezur, por dhe qëndroi krenare, si shqiptare, ndaj ajo më vonë do të shprehej: “Po ta kërkojë Atdheu, edhe djalin tjetër që kam, ia fal atij”. Ç’madhështi! Kish të drejtë se farën që mbolli për shumë e shumë vite, që nga fillimi i shekullit të kaluar, kishin dhënë pemë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo ish dhe mbeti një shqiponjë e gjuhës shqipe, që ligjëroi si bilbil, karakterfortë dhe zemërtrimërore.