Gëzim Zilja: Zylyftar i Podës i dërgoi letër Shkodrës

2302
Sipas epikës historike
Zylyftar Poda lindi rreth vitit 1768, në fshatin Podë të Kolonjës. Ai u bë i njohur si këshilltar dhe kujdestar pranë djalit të Aliut, Veli Pashës. I ka shërbyer Ali Pashës për shtypjen e kryengritjeve në Sul, Pind, Grebene, Karabash, etj. Kishte shumë ndikim në të gjithë Jugun e Shqipërisë dhe më gjerë. Ishte i pasur dhe një nga qëllimet e luftës së tij ishte mbrojtja e pronës së vet. Nga dokumentet e kohës del se nuk ka qenë nga luftëtarët besnikë gjatë rezistencës dhe mposhtjes së Ali Pashës. Pas vdekjes së Aliut shumë krerë shqiptarë u ngritën kundër Portës së Lartë, që Jugu i Shqipërisë të qeverisej sërish nga shqiptarët si në kohën e Ali Pashës. Në nëntor të vitit 1827, në qytetin e Beratit u mblodh një kuvend, ku morën pjesë krerët kapedanë të Shqipërisë së Jugut si Ismail Bej Vlora, Shahin Bej Delvina, Abdyl Bej Koka, Zylyftar Poda, Latif Elmazi etj. Aty u kërkua vendosja e krerëve shqiptarë në tri sanxhaqet, largimi i nëpunësve turq të vendosur pas vdekjes së Ali Tepelenës, largimi i Mehmet Reshit Pashës nga posti i qeveritarit të Delvinës, Vlorës dhe Janinës. Madje ata propozuan, që në Vlorë të vendosej si sanxhak bej, Ismail Vlora, në Delvinë Shahin Bej Delvina, në krahinën e Leskovikut, Zylyftar Poda. Duke parë këtë situatë Reshit Pasha e ftoi Ismail Vlorën në Janinë, gjoja për bisedime. Zylyftari e kuptoi dhe e paralajmëroi beun e Vlorës, që fatkeqësisht nuk e dëgjoi beun e Leskovikut: Qaj Vlorë e qaj Kaninë/Ismail Beu na u vra Janinë/Zylyftari çoi njerinë/Ismail be mos veç Janinë/se të kanë bërë pusinë/ Mos e beso osmanllinë/ Zylyftari dërgoi kartë/Ismail të nkthenesh prapë. Kjo vrasje u pasua më vonë nga masakra e Manastirit tre vjet më vonë, ku u vranë tradhtisht mbi 500 krerë të Jugut të Shqipërisë dhe ku sërish Zylyftari nuk shkoi duke dyshuar për një tradhti, që ishte në natyrën e Portës së Lartë. Menjëherë pas masakrës së Manastirit ai u përpoq të bashkonte gjithë krerët shqiptarë të Jugut, madje hyri në bisedime edhe me Mustafa Pashë Shkodrën. Por krerët e Jugut si Hysen bej Konica, Tahir Abazi, Elmaz aga Meçe, Xhelil (Çelo) aga Picari dhe Veiz Vasjari, të cilët deri atëherë kishin qëndruar asnjanës, nuk pranuan t’i bashkoheshin kryengritjes. Në këto kushte më 8 maj 1831, Zylyftar Poda u kthye në lumin e Vjosës dhe u tërhoq në kështjellën e Melesinit në Leskovik. Rrugës ai sulmoi kazermat turke në Qarr: Kush i dogji kullat e Qarrit (kazerma të turqve)/Rakipi i Zylyftarit/ Zylyftar mustaqeverdhë/ prit nizamët se tu derdhë/Të vinë mir se të vinë/Te pusi e kam Mersinë/Mahmut Pasha n’Ostanicë/Hordhia zu Leskovikë. Ndërkohë në gusht të po atij viti, në ndihmë u nisën forca nga Labëria të udhëhequra nga Hasan (Sinan) Labi. Zylyftar Poda dërgoi/çdo kaza e lajmëroi/Hasan Labi (Gjostoja) kur dëgjoi/për Kolonjë u nis e shkoi/Hysen pasha kur dëgjoi/treqind suvari dërgoi/Postenan nënë atë brek/Hasan labi bën dyfek/shtatë ditë e shtatë net/sa dridhej foshnja në djep/… Hasan Labi trim i rrallë/bën dyfek me pashallarë/nderoi deli Gusmarë/vrau nëntë zabillarë/nuk dihet sa nizamë. Siç thuhet në vargjet e këngës këto forca nuk arritën dot në malin e Melesinit. Të tjera forca u nisën nga Paramithia. Djemtë e Islam Pronjos zbarkuan në brigjet e Çamërisë dhe grumbulluan aty rreth 4-5.000 luftëtarë. Për të ndihmuar Zylyftar Podën ata sulmuan fillimisht Janinën. Pas disa sukseseve të vogla forcat e tyre u mundën dhe nuk arritën në Leskovik.: Djelt e Pronjos më të mirë/Ki Muhua me Zahirë/Në këmbë ngritën kazanë/Të gështër e muslimanë/s’e lëshuan istikamnë/Ziliftari si Aliu/Taborrët turkut ia griu. Zylyftari priti forcat e Mustafa Bushatlliut, e fundit shpresë për ndihmë nga jashtë. Zylyftar i Podësë/Dërgoi kartë Shkodrësë/Edhe Shkodra i dërgoi/Manastir u ngrit e shkoi/Prit o trim i Podës/të vijë beu i Shkodrës, thonë vargjet. Beteja finale do të zhvillohej në tri kalatë e tij, në malin e Melesinit, atje ku edhe kishte planin e rezistencës Zylyftar Poda, që më kot priti forcat e Bushatlliut. Përfundimisht trimi i Podës ngeli vetëm me të tijtë: Shalësi, Poda dhe Barmashi/Janë trima kordhëtarë/Ikë Mahmud pasha ikë/s’ke parë trima kolonjarë. Vargjet që përshkruajnë luftën e Zylyftar Podës me trimat e tij japin një tablo që do të hynte në historinë e luftërave heroike të popullit shqiptar kundër sundimtarëve turq: Melesini maja maja/E rreh topi e kumbaraja/Melesini mal i butë/Rreth e rrotull me harbutë/ Melesini i përpjetë, i vete gjylja shigjetë./Kjo kisha me një kamare/nizamët i shojti fare/Kjo kisha me tri shkallë/rreth e rrotull me nizamë/Mun te port’ e Zylyftarit/ varur kokë e bashnizamit. Për t’i kallur datën ushtarëve turq luftëtarët e Leskovikut në derën kryesore të kullave varën kokën e prerë të kryetarit të nizamëve, bashnizamit. Po edhe nga mbrojtësit e kalasë dëshmorët janë jo të paktë Melesini në një brinjë/Lufton nipi për dainë/Burrë o Elmaz Xhem o burrë/I shove nizamët me gurë/Elmazi me të vëllanë/ Me pallë në dorë u vranë. Ose :Zilihtar mustaqeverdhë/Prit nizamët se t’u derdhë/mu në klishë le të venë/Atje kamte Ahmet bejnë/O Ahmet, Ahmet Zhepova/Pika gjaku t’kullon kordha. Beteja zgjati plot gjashtë muaj në një luftë të përgjakshme dhe të pabarabartë. O Zylfo këllëç kaftani/Në Stamboll të vate nami/Sulltani po qan me lot/se Zylfon nuk e zë dot. Por rezistenca e do të kishte fundin e saj: Zylyftar Poda ku je/Gjashtë muaj muhasere/Pa buk’ e pa xhephane/ Në dorë halldupit s’i re. Duke mos patur ndihmë nga jashtë dhe pasi kishte humbur gjysmën e luftëtarëve, trimi i Podës hyri në bisedime me rrethuesit. I kërkoi falje Portës së Lartë dhe u lejua të largohej nga Shqipëria për në Kretë, me familjen, me kusht që të mos i konfiskohej pasuria dhe të jepte peng djalin, Hasanin, si garanci. Zylyftar Poda u thirr më vonë në Stamboll nga sulltani dhe u prit me nderime të mëdha, gjoja për tu futur në shërbim të Portës së Lartë. Të dy djemtë dhe familja u lanë të lirë të ktheheshin në Shqipëri me të drejtat që gëzonin para kryengritjes së vitit 1831. U ekzekutua në shtator të vitit 1835, në Stamboll i akuzuar si bashkëpuntor në kryengritjen e Bushatllinjve të Shkodrës. 
PS. Në muzeun e famshëm të Luvrit gjendet një bust i Zylyftar Podës, siç thonë ata që e kanë parë, jo më shumë se 30 centimetër i lartë. Kush e ka punuar atë bust dhe si ai gjendet në Muzeun e famshëm? Përgjigja e këtyre pyetjeve do të ishte me shumë interes për historinë dhe vetë jetën e luftëtarit Zylyftar Poda. 
Sigal