Gëzim Zilja: Lungo il lungomare…dhe betonizimi gjigant

1046
Sigal

Plot 22 vjet nga viti 1997 deri sot Vlora qeveriset nga të majtët. Vitet e fundit, duket është marrë në kujdestari nga vetë kryeministri. Madje ky e ka pagëzuar shëtitoren gjigande, hapur në të dy krahët e rrugës automobilistike, buzë ujit me emrin Lungomare. U bë një goxha punë në prishjen e disa ndërtimeve pa leje pranë vijës së ujit dhe pamja që del sapo kalon ca pallate shëmtira, që nuk lënë të duket deti dhe moli sapo hyn në Skelë, është e admirueshme. Por është shumë pak në krahasim me atë që është shpenzuar dhe duhej bërë. Nëse vlonjatët e kujtojnë. punimet u shpallën në shtator 2013 dhe u tha që do të mbarojnë në maj 2014. Megjithëse aty nuk pati asgjë tjetër (p.sh., vepra urbanistike) veç gërmimeve dhe mbushjeve me beton, shëtitorja u bë gati në verën e vitit 2018. Nuk dihet sa kushtoi ky betonizim gjigant i bregut të detit. Në ndërtimin e saj nuk u mor mendimi i komunitetit, i historianëve, urbanistëve dhe arkitekëtve të mrekullueshëm vlonjatë se si mund të ndërtohej kjo shëtitore në përputhje me trashëgiminë kulturore, historikë dhe sidomos me zhvillimin e gjelbërimin e gjithë kësaj sipërfaqeje. Zgjidhjen mund ta jepnin vetë specialistët vlonjatë me një eksperiencë brilante në ndërtimin e lulishteve, kultivimin e mbjelljen e luleve, bordurave të gjelbëruara, shkurreve dekorative që qytetit nuk i kanë munguar kurrë qysh se është themeluar. Në shek. XVII (rreth viteve 1660-1670) kur udhëtari dhe dijetari turk Evliha Çelebiu vizitoi qytetin do të shkruante: “…Vlora ndodhet mbi një fushë të lulëzuar me vreshta, trëndafilë, limonë, portokallë, ullinj, shegë e fiq … Vlora është aq e begatë sa ajo mund të thuhet se është një Egjipt i dytë…”. Nëse do të ruhej tradita në Shëtitoren e Re nuk duhej të mungonin portokallet, limonat, ullinjtë e sidomos trëndafilat. Thuhet se Elbasani ka shumë të tillë, por në Vlorë nuk ka patur shtëpi me oborr, pa pasur lule ku spikasnin disa lloje trëndafilash e karafilash. Ullinjtë, portokajtë dhe limonat kanë qenë të pranishëm gjatë bregdetit, nga moli i anijeve deri te Shtiza e Flamurit. Në pranverë era e jodit, luleve të limonit e portokallit ndihej deri në hyrje të Vlorës.

Tashmë nëse kalon Kulaçin (Rotondon) në Skelë dhe ndodhesh pak metra larg detit duhet të pyesësh se ku ndodhet, megjithëse je fare pranë tij por nuk mund të ndjesh as erën e jodit, as të dëgjosh zhurmën e valëve e as të shohësh ndonjë lulishte apo pemë portokalli përqark si qëmoti. Një grumbull pallatesh pa kurrfarë lidhje, zënë sot e përgjithmonë pamjen e detit deri në vijën e ujit. Në Shëtitore ndodhet ish-Shkolla e Marinës, një ndërtesë modeste, në një pozicion të mrekulleshëm ashtu si e kishte parashikuar Sami Frashëri në veprën e tij: “Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet”. Rreth e qark shkollës, peshkaqenë, oktapodë, krokodilë e hiena, janë vërsulur duke e kafshuar sa andej këndej e ndërtuar sa dhe si kanë mundur. Qeveria sipas projektit pjesën para godinës e ka mbushur me dhe’ e ka mbjellë ca pemë rakitike jo tradicionale për qytetin. Ndoshta shumë shpejt aty do të kemi ca përbindësha të rinj shumëkatësh dhe shkollës, nuk do t’i ngelet as nam e as nishan. A nuk mund të ndërtohet shumë mirë aty, bash në hyrje të shëtitores një muze gjigand i Flotës Detare Shqiptare, që daton para lindjes së Krishtit? Aty pothuaj çdo gjë është gati. Nuk di nëse ekzistojnë ende, por në Shkollë ka pasur veç armatimit edhe laboratorë shumë të përparuar për kohën, të lundrimit dhe luftës detare. Ç’është ky qejf i madh për të zhdukur çdo gjurmë të historisë? Sepse edhe vetmja shtëpi (ajo që është ngritur flamuri nuk ekziston) ku ka punuar qeveria e parë shqiptare duket si e fshehur në një cep dhe as vë njeri dorë mbi të. Kjo shtëpi ekziston falë vullnetit të disa vlonjatëve patriotë dje dhe sot që vazhdojnë ta mbajnë me thonj e dhembë se ndryshe edhe aty do të ndërtohej pallat dhe shtëpizën e famshme do fusnin brenda tij, si Portën Hyrëse të Durrësit të Vjetër. Mos vallë edhe Shkolla e Marinës do të ketë fatin e stadiumit Qemal Stafa, të Teatrit Kombëtar për ta fshirë nga faqja e dheut me arsyetimin absurd se do bëjmë një të ri më të bukur. Po Kadri Roshi në atë të vjetrin ka luajtur drama, edhe Loro Boriçi në atë të vjetrin ka luajtur futboll!? Shekspirit, anglezët nuk ia kanë prishur atë karakatinën prej druri dhe sot, si 500 vjet më parë, aty vazhdon të luhet teatër. Mos e prishni për hir të zotit godinën ekzistuese të Shkollës së Lartë të Marinës. Ndërtoni një muze se flota shqiptare ka ekzistuar bashkë me atë të Romës dhe shumë kohë para se Turqit të vinin nga stepat, të shihnin det e të pushtonin Kostandinopojën. Kjo prishje do të jetë një gjëmë dhe një atentat tjetër që do i bëhet kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Ndërtoni për vete kulla që shkojnë deri te retë e ndoshta te vetë zoti dhe u vini emrat tuaj o qeveritarë! Por historia nuk fillon me emrat tuaj. Dhe për ta mbyllur. Dëgjoj sot që në Vlorë do të ndërtohet një Port i Ri, do të çahet Karaburuni me tunel, do të ndërtohet Stadium i Ri, Aeroport i Ri, Rruga e Re Orikum-Dukat, TEC-i etj, etj. Që nga nëntori i vitit 1944, me premtime i ngrysin ditët, muajt e vitet vlonjatët e bashkë me ta shqiptarët. Por le të kthehemi të lungomarja. Nuk e shpjegoj dot nga babëzia apo padituria ka ndodhur kjo: Në dy 2,5 km Shëtitore derdhen, plot qejf herë në vijë të drejtë, herë në vijë rrethore, herë ditën e herë natën, herë qetë e herë me vrull, plot dymbëdhjetë ( sa numër i bukur, plotpjestohet me 1, me 2, me 3, me 4, me 6 dhe veten e vet) kanale të ujrave të zeza, e thënë më shqip, kanale m…. Numri i banorëve që derdhin ujrat e zeza në det nga “Bolonja” deri te “Amerikani” kalon tashmë 25.000 (njëzetepesëmijë). E llogaritur matematikisht çdo ditë disa tonelata “m… i pastër” ( Sa zemërgjerë ky deti Adriatik!) derdhen aty në Lungomare. Bollëk i madh. Mbrëmjeve kur era fryn nga deti në tokë kutërbimi të zë frymën. A nuk mund të sistemohej më parë ky pisllëk e pastaj të bëhej lungomarja e vepra të tjera të madhërishme? Përse duhej të ribëhej bulevardi Skelë-Vlorë (janë hedhur 7 m3 zhavor e beton për një pemë të mbjellë) kur deti gjatë lungomares sipas Institutit të Shëndetit Publik është kategorikisht i pa frekuentueshëm. Do mend kjo? Do projekte nga inxhinierë e shkencëtarë të huaj? Nëse do të ishte marrë mendimi i komunitetit vlonjat sot do t’i kishim të gjitha: shëtitoren me gjelbërimin e përjetshëm mesdhetar, një copëz të historisë, trashëgiminë kulturore dhe një plazh me ujëra kristal…