Gëzim ZILJA: Ankaraja e nderon Ataturkun me “muze sa Vlora”

615
Në Ankara, ku u ndodha ditë më parë me një grup audituesish të KLSH-së, në një vizitë pune me takime për shkëmbim eksperience, miqtë turq na çuan të vizitonim dhe “Kompleksin Muzeal Ataturk”, ose thënë ndryshe siç njihet dhe është vlerësuar, si “Babai i krijimit të Turqisë së Re”. Ishte një vepër moderne e shtrirë në disa hektarë tokë, ndarë në disa pavione. Pasqyrohet aty, lufta heroike e popullit turk për pavarësinë e Turqisë së Re, reformat për një shtet të fuqishëm, ngritur mbi gërmadhat e ish-Perandorisë Otomane. Është një Muze mahnitës, i kuruar deri në detaje, nga reliket e shumta, jeta private, nëna, babai, të afërmit, shokët e luftës dhe të pas-luftës, pamje madhështore të betejave luftarake, ku bijtë e Turqisë jepnin jetën për atdheun dhe shumë e shumë hollësi të tjera, që nxjerrin në dritë de bëjnë të pavdekshme atë figurë të madhe e të shquar historike. Sigurisht, një “ditë pune’” prej 8 orësh nuk mjafton ta vizitosh të plotë këtë ansambël muzeal historik, por përshtypja dhe mbresat të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Mendon: Ja vlen një jetë e tillë dhe, si qytetar kujtohesh që edhe ti ke një atdhe, që ia vlen ta duash, ta respektosh, të punosh dhe të ndihesh krenar për të. Sot nuk kërkohet të japësh jetën për Shqipërinë por është detyrë të jesh e të bëhesh më i mirë për të dhe për shoqërinë shqiptare. Shembulli i Ataturkut dhe ai muze madhështor, të bëjnë, ose më saktë të “detyrojnë” të mendosh për Atdheun tënd dhe “Babain e kombit” Shqiptar, Ismail Qemalin. Mendja, duke vizituar këtë muze gjigand për nga hapësirat, përbajtja dhe vlerat, fluturon vetiu atje, në Vlorën e Dashur, në një shtëpi tepër modeste dykatëshe, (Flamuri nuk është ngritur këtu) në breg të detit, ku ndodhet muzeu i Ismail Qemalit, “Babait të Kombit”, Themeluesit të Shqipërisë. Janë gjashtë dhoma gjithsej, që pasqyrojnë një luftë 500 vjeçare për liri e pavarësi të popullit shqiptar.

 Nuk është vendi të përmendim përpjekjet mbinjerëzore të popullit shqiptar kundër grekëve, serbëve e malazezëve për ta mbrojtur atë Shqipërizë që lanë e njohën Fuqitë e Mëdha pas copëtimit e ndarjes tek fqinjët. Do të duheshin të paktën 40 e më shumë pavione, nga një për secilin firmëtar të “Kartës së Pavarësisë”, një dyzinë për ata që nuk firmosën me penë, por me pushkë dhe disa të tjerë.. duhen për heronjtë që dhanë jetën në mbrojtje të trojeve shqiptare. Më ka shkuar edhe më parë mendja në një pyetje, në një shetësim, në një merak, në një të drejtë që kërkoj ta di e ta kërkoj me zë të lartë e me krenari prej shqiptari: Përse nuk ndërtohet një Muze, që të pasqyrojë atë epope që përfundimisht çoi në Themelimin e Shtetit Shqiptar? Si fillim është e domosdoshme të ringrihet godina e vërtetë, që sot nuk ekziston, ku u ngrit flamuri dhe u vendos përkohësisht Qeveria e Parë Shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin. Sa kushton kjo godinë 3-katëshe e ndërtuar me gurë me gjithë anekset e saj?! Nuk duhen shumë para, kjo është e sigurt, por duhet më shumë dashuri e kujdes për veten, për figurat dhe historinë tonë kombëtare, të cilën në shumë vende të botës, na e ka përjetësuar me mbrotje e ngritje monumentesh, me muze përkujtimi e vlerësimi. 
—————————— 
1. Shikoni se ç’kanë bërë bijtë e Vlorës, ata të sotmit… Kanë ngritur një përbindësh betoni, atje ku mund të ngrihej e të “sundonte” Sheshin kompleksi Muzeal i Pavarësisë, ku të ndodhej edhe “Godina mëmë”. Ndoshta, do të gjendet aq tritol (mendimi im), që kjo godinë-qelbësirë që i ka zënë frymën Sheshit të Flamurit, të hidhet në erë. 
2. Një vit më parë, një grup patriotësh vlonjate, me shpenzimet e tyre, me nismën e vlonjatit patriot Bujar Leskaj e çuan Ismail Qemalin në Atdheun e munguar, në Kosovë. Shtatorja e tij e punuar nga skulptori Luan Mulliqi, ngrihet madhështore në një nga sheshet e bukura të Prishtinës. Mos ndoshta duhet të përsëritet historia? Në gazetën “Kombi” të vitit 1920 është një listë e gjatë me emra tregtarësh e qytetarësh vlonjatë, të cilët dhuruan financime në “Franga Ari” për Avni Rustemin, para se ky të nisej për në Paris.
3. Jam dyshues, por përsëri dua të besoj, se një Kompleks Muzeal ashtu si e kanë gjithë kombet e qytetëruara do të ngrihet një ditë. Monumenti i Pavarësisë, Lulishtja dhe Vendvarrimi ku prehen eshtrat e Ismail Bej Qemal Vlorës dhe Monumenti “Ushtari Panjohur”, janë aty. Duhet ngritur përballë pjesa që mungon, por duhet marrë leje tek… pronari i ri i “Sheshit të Flamurit”, ose “Mister Çimentua”, nëse ky ia ka haberin se ç’është Atdheu dhe historia e tij dhe se përse vlejnë ndër breza. 
Sigal