Gëzim Loka: Traditat e ushtrisë shqiptare dhe brezat e sotëm të ushtarakëve të FA-së

725
Para disa kohësh u mblodhën në qytezën e vogël të Përrenjasit në një takim brezash ish- ushtarakë efektivë të ish-Brigadës së Këmbësorisë, e cila ka qenë e dislokuar për shumë vite në këtë rajon kufitar të Republikës sonë. Kjo veprimtari pati të veçantën e saj se u përkujtuan sakrificat e ushtarakëve të vjetër në një kohë të vështirë për ta, kur mundi dhe përkushtimi i tyre ka qenë në Zenith dhe kjo përvojë është një gjurmë e ndritur e cila mund të frymëzohen brezat e rinj që kanë mbaruar studimet e larta ushtarake, sidomos ushtarakët e rinj që kanë mbaruar studimet në këtë kohë të zhvillimit të proceseve të vrullshme demokratike. Aktivitete të tilla janë dhe duhet të jenë pjesë e asaj tradite që duhet mbajtur gjallë ndër ushtarakët tanë, për të ecur në gjurmët më të mira të një përvoje të shtrirë në kohë, që lypset të rivlerësohet. Për të qenë të saktë, duhet të themi se sot trashëgimia e përgjithshme shqiptare kanoset nga tej huazimet dhe ndikimet e jashtme të shoqërive të tjera, ku pas hapjes së vendit tonë, në një proces të fort afirmativ, kjo dukuri paraqitet problematike. Por, ushtria, ushtarakët sidomos më të rinjtë, që nuk e kanë përjetuar veçantinë e shërbimit të dikurshëm si oficerë karriere, lypset ta njohin këtë traditë dhe më mirë se gjithçka kësaj i shërbejnë takime të tilla kohësh e brezash. Duhet thënë se, gjatë këtyre njëzet e katër viteve, ushtria shqiptare dhe forcat tona të armatosura kanë pësuar ndryshime rrënjësore, në përmbajtje dhe cilësi, duke u shndërruar nga një ushtri dhe forca të armatosura të politizuara, të mbyllura e hermetike, në pjesë të strukturave të rëndësishme Euro-Atlantike, ku anëtarësimi në NATO i dha atyre një dimension dhe cilësi të re misionare.

Procesi i reformimit dhe ristrukturimit nëpër të cilat po kalojnë Forcat e Armatosura Shqiptare, angazhimet e deritanishme në operacione, rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë në rajon, në interes të paqes dhe sigurisë, si dhe ndihmesën e ofruar vendeve të rajonit në kuadër të nismave rajonale dhe më gjerë, të gjitha këto ji vetëm që nuk e përjashtojnë njohjen dhe pasurimin e traditës në ushtri dhe forcat tona të armatosura, por përkundrazi e bëjnë më të nevojshme në këto kushte dhe rrethana të reja, nëpër të cilat po kalojnë sot këto struktura. Shqipëria ka qenë gjithë këto kohë dhe sidomos aktualisht e angazhuar për t’u qëndruar detyrimeve të saja dhe për të kontribuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Aleancës dhe për të kontribuar në misionet e saja. Ajo është e vendosur t’i shkojë kësaj rruge si një detyrim për shkak se në sigurinë tonë kombëtare e kemi të mbështetur te kjo siguri kolektive, ndaj krahas me rritjen e kapaciteteve të FA-së dhe kontributin gjithnjë e në rritje që vendi ynë po jep në kuadër të operacioneve të Aleancës, është me rëndësi dhe rritja e standardeve të edukimit të kuadrit ushtarak, ku pajisja me vetëdijen e rrugës dhe traditës më të mirë të ushtrisë shqiptare mbetet një përparësi. Koncepti bashkëkohor për “Mbrojtjen Inteligjente”, përveç të tjerave presupozon dhe vënien në eficiencë të plotë të faktorit njerëzor të shpirtit, mendjes dhe zemrës së ushtarakut, që nuk është një robot, por një qenie shoqërore që di se nga ka ardhur e ku do të shkojë e sigurisht, në këtë kuadër, edukimi i tij me shpirtin e traditës më të mirë të ushtrisë, përvojave më të mira të kohës, është një nevojë imediate.

Bie fjala, shpirti i kolektivitetit, fryma vëllazërore dhe e unitetit që e trashëgon ushtria jonë nga e kaluara, pavarësisht nga epoka e tejet politizuar nëpër të cilën kaluan të gjithë shqiptarët e në këtë kuadër dhe ushtarakët tanë, duhet të njihen e të përvetësohen nga brezat e sotëm të ushtarakëve. Duhet të njihen ato vështirësi e sakrifica të shumta që bënë në kohën e regjimit komunist kuadrot më të devotshëm ushtarakë, të cilët ishin shembull përkushtimi, dhanë aq shumë nga vetja e tyre, sakrifikuan deri dhe komoditetin e rehatinë familjare dhe nuk përfituan thuajse asgjë. Duk qëndruar ditën e natën në shërbime të gjata e të vështira, nën alarmet e kohës, në shi e në borë, me vite të tëra larg qytetit të tyre e familjeve të tyre, në zona e treva të thella, këto ushtarakë treguan kualitete të larta morale e njerëzore dhe janë shembull që duhen ndjekur pavarësisht kërkesave të reja që nxjerr koha dhe epoka ku jetojmë para ushtarakëve sot, në ditët tona.

Për shkak të këtij përkushtimi, mjaft nga këta kuadro të lartë të ushtrisë, në vend të dekoratave, ndereve e favoreve të merituara, iu ofruan pranga e burgje politike, në një kohë të pakohë, tejet të politizuar e që nuk i njihte në shkallën e duhur meritat e tjera, përveç atyre politike. Por e gjithë kjo nuk e zbeh e as e ul atë që thamë më lart, faktin se tradita më e mirë e këtyre brezave të mrekullueshëm ushtarakësh duhet njohur, ruajtur e pasuruar më tej nga brezat e sotëm të ushtarakëve të Forcave tona të Armatosura.
Shkollat që përgatisin sot kuadrot ushtarakë, Akademia e Mbrojtjes, etj nuk mund të jenë në nivelin e duhur, në ballë të kërkesave të kohës, nëse nuk vlerësojnë të gjitha asetet e traditës ushtarake të këtij vendi, atë pasuri të madhe figurash ushtarake, kuadrosh të devotshëm, përvoje të shkrirë në gjurmë dhe bëma konkrete, të cilat janë një bazë e fuqishme njohje, që kuadrot e ri të nxjerrin mësime e të fokusojnë objektivat për t’i ndjekur ata e për t’i tejkaluar. Sot, shoqëria shqiptare, sidomos në këtë periudhë të rilindjes së vërtetë të gjithçkaje ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në të gjitha drejtimet, edhe në ushtri e në FA, por këto hapa do të ishin akoma më të dukshëm e më produktivë, nëse kthehet ndonjëherë koka prapa, për të parë andej nga erdhëm, pasi në çdo kohë njerëzit me ide dhe me përkushtim njerëzor, intelektual e atdhetar lënë gjurmë që duhen ndjekur dhe pasuruar e çuar më tej.
Sigal