Gëzim Loka/ Lura, kjo perlë e turizmit malor, një mrekulli e refuzuar?!…

1267
Tani në pikun e verës, kur i nxehti afrikan ka arritur kurba të befta, nevoja e pushuesve për të gjurmuar vende të freskëta, me një natyrë bujare dhe resurse të mëdha turistike është një nevojë e ngutshme. Prirja ndaj vendeve me turizëm malor është e dukshme, pasi me mijëra e mijëra turistë të huaj kanë vërshuar këto ditë në Theth, Voskopojë, Valbonë e gjetkë, për të shijuar begatinë e natyrës, ajrin e pastër e të freskët, ushqimet bio dhe mikpritjen e banorëve në këtë zheg përvëlues. Këto mendime të çojnë në Lurë, në një nga perlat më të bukura të turizmit malor jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan e në gjithë kontinentin e vjetër. 
Për fat të keq, një perlë e turizmit malor e harruar dhe e refuzuar nga neglizhenca shtetërore e një vendi që nuk njeh pasuritë dhe vlerat e natyrës së tij bujare. Po të kishte intuitë, përkushtim për ta kthyer bukurinë mahnitëse në një vend çlodhës, argëtues, kurativ e sportive, Lura mund të ishte kthyer në një vend ku të ushtroheshin të gjitha sported, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë Ballkanin e pse jo dhe në rang evropian. Pushuesit në Lurë janë përpara një ftese të hapur tani në verën e zhegut përvëlues, por për fat të keq, rrugët e dëmtuara dhe infrastruktura e rrënuar e kufizojnë një mundësi të tillë. Vetëm 130 km është Lura nga Tirana, çfarë do të thotë se po të jenë rrugët e rregulluara, mund të shkosh e të kthehesh brenda ditës nga kjo trevë çlodhëse e argëtuese. Por në kushtet e sotme, kjo rrugë kthehet në një mundim për turistin e huaj apo vendas.
Megjithatë, Lura është një ftesë e hapur për çlodhje e dëfrim, një ofertë turistike e pashembullt, e cila në kushtet e një rruge të mirë e në parametra normalë, do të bënte që në Lurë të vërshonin mijëra turistë, vendas e të huaj, që kanë pse shkojnë në Lurë dhe duhet të shkojnë për pushime aktive, mjaft çlodhëse dhe antistres. Duke i kujtuar drejtuesve të qeverisë dhe pushtetit lokal një shprehje nga Johnathan Swift: “Kushdo që rrit qoftë dhe dy kallinjtë ose dy fije bari i shërbejnë vendit më shumë se të gjithë politikanë së bashku” duke vënë dorë që këto resurse të zgjohen dhe Lura të kthehet në një perlë të vërtetë të turizmit malor jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan e më gjerë.
Sigal