Gëzim Kaçorri: Shkollat, në qendra dije, jo repart militantësh

752
Sigal

MIRDITË/Gëzim Kaçorri: Nuk do të ketë më mësim me turne në shkolla, drejtorët me konkurrim

Këto ditë është emëruar 42- vjeçari Gëzim Kaçorri, djali i “Heroit të Punës Socialiste” Frrok Kaçorri, i rënë në minierën e bakrit në Kurbnesh me 14 shtator të vitit 1971. Ky emërim erdhi nëpërmjet fitores së konkurrimit midis disa konkurrentëve që e solli në krye të Drejtorisë Arsimore të Mirditës, duke shuar kureshtjen e armatës së madhe të mësuesve të Mirditës. Ai për 4 vjet  do të udhëheqë e do të drejtojë arsimin në Mirditë dhe është i pari drejtues në këto 23 vjet të demokracisë që do të ulet në kolltukun e Zyrës së Drejtorisë Arsimore, një autokton i lindur e banues në qytetin e Rrëshenit, ndryshe nga vitet e shkuara, ku drejtorët e Arsimit kanë ardhur nga komunat… Në intervistën e tij për “Telegraf”, krahas synimeve të drejtimit të arsimit në Mirditë, Gëzim Kaçorri pohoi se, “shkollat do të jenë

qendra dijeje, e jo repart militantësh”.
A keni menduar ndonjëherë se do vije në krye të arsimit thjesht me emërim?
-Nuk mund të parashikohet… Rruga ime drejt pozicionit të Drejtuesit të Zyrës Arsimore erdhi nëpërmjet një konkurrimi të hapur dhe serioz, i cili ishte paralajmëruar nga Kryeministri që në platformën e tij elektorale. E rëndësishme është të theksohet si askush tjetër,  korrektësia dhe serioziteti që ministrja e Arsimit Lindita Nikolli i dha këtij konkurrimi, që bëri të mundur largimin e militantëve dhe hatërllëqeve nga ky pozicion.
A do bëni ndryshim në administratën aktuale?
-Kjo mbetët për t’u parë, por nuk përjashtohet mundësia, është ende shpejt për të dhënë saktësinë, ju siguroj se nuk do të jenë militantë, por profesionistë.
Kur dhe sa kohë do të zgjasin emërimet e drejtorëve të shkollave, përzgjedhja do të jetë me emërim nga ana juaj apo me konkurrim?
-Për drejtuesit e shkollave dhe mësuesit në tërësi është po e njëjta procedurë, pra me konkurrim.
Cila është sfida juaj në drejtimin e arsimit në Mirditë?

-Detyra e drejtuesit është një sfidë dhe përgjegjësi, por është dhe kënaqësi dhe mundësi që më jepet për të kontribuar për më të mirën, për t’i dhënë arsimit në Mirditë, por është dhe një detyrim moral për të cilën varet fati i edukimit të nxënësve në shkolla të çdo kategorie e niveli në Mirditë, sigurisht, do mundohem  për të vënë në funksion çdo qelizë të arsimit në Mirditë.
A do përdoret mësimi i pasdites për mungesë ambientesh, për të mos mbingarkuar klasat?
-Në të gjitha shkollat e arsimit në Mirditë mësimi do të zhvillohet paradite dhe në ambiente të mjaftueshme për zhvillimin e procesit mësimor, pasi sigurohen të gjitha kushtet për të mos pasur ngarkesë jashtë normave të caktuara nga Ministria e Arsimit.
Çfarë do të bëni me shkollat që kanë mungesë logjistike dhe laboratorët për praktikë mësimore?
-Përsa i takon bazës materiale nëpër klasa është në kushte normale për proceset mësimore, ka nevojë për ndërhyrje emergjentë për riparimin e disa kompjuterave në laboratorët e informatikës që shumë shpejtë do të gjejë zgjidhje.