Gert Hekurani, KLSH: Reforma territoriale dhe efektet

1398
Sigal

Nga : Gert HEKURANI

Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit

Në botën demokratike ku jetojmë sot, gjithmonë e më tepër nënvizohet nevoja për mekanizmat e ndryshëm të kontrollit që kanë qytetarët për t’u bërë pjesë e procesit të vendimmarrjes dhe transparencës në qeverisje. Përveç votës, si e drejta themelore në demokraci për ushtrimin e vullnetit të popullit, sot kërkohen dhe bëhen të domosdoshme edhe një sërë mekanizmash të tjerë. Bërja publike e veprimtarisë së përditshme të institucioneve në rrjetet masive të komunikimit publik sërish nuk është e mjaftueshme për të rritur këtë pjesëmarrje dhe këtë transparencë. Kjo sepse janë vetë institucionet ato që e zgjedhin se çfarë duhet të ndajnë me publikun dhe çfarë jo. Sot shtrohet pyetja sesa një qytetar ka mundësi të shikojë dhe të ndjekë se si menaxhohen të ardhurat që mblidhen nga taksat që paguajmë të gjithë ne si qytetarë. Është e pamundur si në burime njerëzore, ashtu edhe financiare, që institucionet t’ju përgjigjen interesit të çdonjërit prej qytetarëve, sepse kjo do të çonte në një keq menaxhim të pushtetit të qytetarit. Në demokraci mjetet e kontrollit janë të shumëllojshme, si media, organizata jo qeveritare, institucione të pavarura që merrem me studime dhe statistika, por edhe rrjetet sociale. Megjithatë asnjë prej këtyre nuk e zëvendëson rolin e institucioneve audituese përgjegjëse, të pavarura dhe përcaktuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, për të kontrolluar menaxhimin e fondeve publike. E këtë të drejtë ligjvënësi ia ka dhënë edhe institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si  institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar si dhe anëtar i organizmave ndërkombëtarë si INTOSAI, EUROSAI, Gjykatën e Llogarive të BE, etj. Duhet theksuar qysh në krye të herës se Bashkitë dhe Njësitë administrative, ende nuk kanë arritur të marrin formën e duhur që pas implementimin të ndryshimeve si pasojë e Reformës Administrative Territoriale.  Qëllimi i kësaj reforme ishte forcimi i qeverisjes dhe demokracisë vendore, si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në nivel vendore.

Por sa realisht e ka arritur kjo reformë qëllimin e saj?

Vështirë se mund të flasim në këtë fazë për një arritje qëllimi, pasi ende këto institucione nuk kanë marrë formën e duhur. Thelbi i reformës ishte eliminimi i fragmentarizmit të panevojshëm që konsiderohej totalisht ineficente nga pikëpamja ekonomike, çka u shoqërua me një strategji të decentralizimit gjithëpërfshirës dhe delegimin e funksioneve të reja tek pushteti vendor. Shumë prej shërbimeve kaluan nga pushteti qendror në atë vendor. Në kuadër të forcimit të kompetencave të bashkive të mëdha, i janë reduktuar kompetencat njësive administrative, ku drejtuesit e tyre nuk janë më të zgjedhur, por të emëruar. E pikërisht në këtë pikë nis një prej problematikave më të mëdha që ne hasim shpesh gjatë punës sonë. Kompetencat e njësive administrative janë reduktuar deri në pikën që ato nuk marrin dot asnjë vendim, por janë kthyer në një zyrë shkëmbimi i dokumenteve. Por pavarësisht kësaj, strukturat e këtyre njësive administrative janë të fryra përtej nevojave që ato realisht kanë, duke shpërdoruar në këtë mënyrë fondet. Drejtuesve të këtyre njësive nuk i është lënë asnjë kompetencë vendimmarrjeje, sepse çdo vendim e merr bashkia qendrore, por ndërkohë numri i punonjësve nuk është reduktuar, siç ishte dhe qëllimi i kësaj reforme. Do të duhet që njësitë administrative vendore tashmë të hartojnë projekte për të aplikuar pranë qeverisë për marrjen e fondeve shtesë nga buxheti i shtetit, të cilat më pas do të jenë vetë këto njësi që do t’i administrojnë. E ndoshta këtu fillon realisht problemi. Me rritjen e kompetencave dhe autonomisë rritet edhe niveli i përgjegjësisë. Duhet thënë se në disa nga bashkitë e vogla nuk kanë ende kapacitetet e duhura njerëzore për të përthithur dhe më pas për të administruar si duhet këto fonde, konstatim ky në bazë të auditimeve që institucioni i KLSH ka zhvilluar në këto Bashki. Kjo sjellë automatikisht nevojë për vënien në funksion të mekanizmave të kontrollit të brendshëm së pari. Por edhe pse nga 61 Bashki në shkallë vendi në 40 prej tyre janë krijuar dhe funksionojnë Njësitë e Auditit të Brendshëm Publik,  në 15 prej tyre ende nuk janë krijuar pasi nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara nga VKM. Për më keq këto nuk kanë lidhur as kontrata me Bashkitë e tjera të cilat disponojnë kapacitetet e nevojshme dhe të mjaftueshme  me qëllim realizimin e misionit të auditimit të brendshëm. Edhe në ato Bashki ku janë krijuar dhe funksionojnë Njësitë e Auditit të Brendshëm ato nuk janë funksionale dhe në mjaft raste anashkalojnë problematikat që hasen.  Për këtë qëllim kërkohet kualifikimi dhe vazhdimi i trajnimi i burimeve njerëzore të këtyre njësive audituese, në mënyrë që të rriten aftësitë profesionale, por edhe të përditësuar njohuritë mbi auditimin publik, të domosdoshme për kryerjen misionit dhe ushtrimin me sukses të detyrës së audituesit. Pavarësisht se KLSH gjatë mbikëqyrjes së punës të këtyre strukturave ka rekomanduar masa për përmirësimin e gjendjes, por  konstatohet se çdo ditë e më tepër shtohet nevoja për marrjen në konsideratë dhe zbatimin e rekomandimeve të KLSH, i cili është institucioni më i lartë në vend për rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes së parave publike.  Në kushtet e mungesës së besimit të qytetarit ndaj administratës dhe institucioneve shtetërore, KLSH luan rolin e një barometri për rritjen e llogaridhënies dhe transparencë të plotë përpara qytetarit, lidhur me punën e bërë ose të munguar në përmirësimin e qeverisjes publike në shërbim të tij.