Gërmime të paligjshme në Apoloni

516
Policia shqiptare tha se ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërim dy të tjerë pasi akuzohen për gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë.
Sipas burimeve zyrtare të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhe të gjatë kohe kanë gërmuar dhe kanë nxjerrë rrethe 230 objekte arkeologjike si bronx, hekur dhe qeramikë.
Sipas policisë këto objekte pasi personat e arrestuar i grumbullonin në banesa i përgatisnin me qellim trafikimin e tyre. Policia tha se në banesën e njërit prej të arrestuarve u sekuestrua një pajisje detektor për gjurmim të antikuarëve. Sipas policisë materialet arkeologjike të sekuestruara do t’i kalojnë për vlerësim Ministrisë së Kulturës.
Edhe në zona të tjera të Shqipërisë janë vënë re vitet e fundit gërmime të paligjshme për të cilat nuk ka pasur persona të arrestuar. Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Qyteti antik u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.
Sipas studiuesve ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Territori i madh i zonës është mbuluar me monumente, shumë prej të cilave të pazbuluara ende.
Sigal