Gërdeci, 9 vjet nga tragjedia e shpërthimit i fabrikës së demontimit të municioneve

2493
Nga Arjan ZADRIMA
Me VKM, ngjarja u klasifikua zyrtarisht “Aksident Teknologjik”, sipas neneve 170 e 174 të Kushtetutës së Shqipërisë
Sot, më 15 mars 2017, shënohet data e shpërthimit tragjik në fshatin Gërdec të Vorës, ndodhur në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, të nxjerra nga depot e rezervave ushtarake të disa zonave të vendit, shumica tunele të hapur nën kodra e male! Se çfarë ka ndodhur me municionet që çoheshin për demontim në Gërdec, kjo tashëm dihet mbasi është bërë objekt i mijëra lajmeve mediatike, dëshmive, proceseve hetimore e gjyqësore, akuzave dhe denoncimeve brenda e jashtë vendit, çështje ku është angazhuar me hetime e ndëshkime edhe drejtësia amerikane. Qendra e demontimit ishte një linjë e ngritur nga shteti shqiptar me partner biznesin privat. Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec Sot, sipas burimeve tona, thuhet se në Gërdec do të përkujtohet 9 vjetori i asaj tragjedie të rëndë njerëzore, ku humbën jetën 26 punonjës dhe banorë të këtij fshati, mes tyre edhe fëmijë, si dhe u plagosën afro 300 banorë të të tjerë të zonës. Shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi pak pas mesditës, përveçse shkaktoi qindra të plagosur, dëmtoi dhjetëra banesa e biznese të zonës, disa prej tyre u shkatërruan totalisht. Kur kanë kaluar 8 vite nga ngjarja e rendë, familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë ende drejtësi, pavarësisht vendimeve që ka dhënë drejtësia për zyrtarët e shtetit, për pronarët e biznesit të demontimit dhe bashkëpunëtorët e tyre deri në SHBA. Si u klasifikua kjo ngjarje e rëndë? Sipas përcaktimit në VKM e dëmshpërblimit të familjeve të viktimave dhe dëmeve financiare në banesa e biznese, ish-qeveria e vitit 2008 e klasifikoi këtë ngjarje të ndodhur në datën 15 mars 2008 në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, si “Aksident Teknologjik për shkak të një gabimi njerëzor gjatë procesit”, ndodhur në fabrikën e demontimit të municioneve. Ky klasifikim u bazua në Nenet 170 e 174 të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë, në të cilën thuhet: “Për parandalimin, ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore, ose aksidentesh teknologjike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se tridhjetë ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose gjithë territorin e vendit”. 
Kronika e shpërthimit në Gërdec, pasojat dhe dëmet financiare
1. Shpërthimi i parë, i orës 12:10 u regjistrua nga rrjeti sizmologjik, me magnitudë ML=2.9, të shkallës Rihter. 
2. Shpërthimi i dytë, i orës 12:29, u regjistrua nga rrjeti sizmologjik, me magnitudë ML=2.5, të shkallës Rihter. Shpërthime më të lehta, kanë vijuar deri pesëmbëdhjetë orë pas shpërthimit të parë.
3. Zonat e prekura e të dëmtuara nga shpërthimi: Gërdeci, Marqineti, Gjokaj dhe Qyteti i Vorës.
4. Numri total i viktimave: 26 persona.
5. Numri i të plagosurve: 400 persona.
6. Të trajtuar në spital: 300 persona. 170 të plagosur në Spitalin Ushtarak Tiranë.
7. Rezultojnë 63 të plagosur në QSUT.
8. Rezultojnë 44 të plagosur në spitalin e Durrësit.
9. Rezultojnë 3 të plagosur në spitalin e Krujës.
10. Të dërguar për mjekim jashtë vendit gjithsej 24 në Itali, Zvicër, Greqi dhe Turqi.
11. Persona të evakuar: 4 000
12. Persona të prekur: 10 000
13. Buxheti i Shtetit për Gërdecin:
14. Në Buxhetin e Shtetit (faktik) rezultojnë të shpenzuara për vitin 2008
15. Në zërin “Dëmshpërblim për Gërdecin”, kaluan 2390 milionë (2,39 miliardë) lekë
Bilanc nga ngjarjet e muajve janar-mars 1997
1. U hapën 1130 depo e tunele të rezervave me armë dhe municione luftarake.
2. U hapën të gjithë burgjet dhe prej tyre dolën rreth 5 mijë të burgosur.
3. Shkatërrimet dhe vjedhjet, arritën vlerën mbi 20 miliardë lekë të reja.
4. U grabitën 650 550 copë armë luftarake të çdo lloji dhe 2 miliardë copë të çdo kalibri.
5. U hapën dhe u shkatërruan 1581 depo dhe nuk u hapën dhe dëmtuan 286 depo.
6. Dëmi i shkaktuar ishte 61 miliardë e 465 milionë lekë të reja.
7. U vranë 1555 njerëz dhe u plagosën e u gjymtuan mbi 10 mijë të tjerë. 
8. U larguan nga Shqipëria 2000 biznese dhe 39 mijë familje.
9. Më 27 mars 1997, në Levan të Fierit, pas përleshjes mes bandave, u vranë 18 persona.
10. Në datën 28 mars 1997, ndodhi tragjedia detare e Otrantos, pas mbytjes së një anijeje. shqiptare, që u godit nga një anije italiane, ku humbën jetën dhe u zhdukën 105 persona.
Sigal